“Tema e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk do të hapet në Bruksel”

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se tema e formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në territorin e Kosovës nuk do të hapet në procesin e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku Hoti u përgjigj për tri interpelanca radhazi të thirrura nga opozita, lidhur me çështjen e asociacionit tha se nuk do të lejohet shkelje e rendit kushtetues në vend.

“Kjo temë nuk do të hapet në kuadër të bisedimeve në dialogun me Serbinë, pasi kemi një marrëveshje që është arritur, nënshkruar dhe ratifikuar në kuvend më 2013. Përveç kësaj, ekziston edhe Marrëveshja e Parimeve për Asociacionin e vitit 2015 dhe aktgjykimi i Kushtetueses mbi këtë çështje. Çdo veprim në këtë rrafsh do të bëhet në pajtim me këto”, u shpreh Hoti.

Për këtë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, njëherësh kërkuesi i interpelancës lidhur me këtë çështje, ka thënë se “marrëveshja për asociacionin e ndan Kosovën”.

“A e dini se Zajednica (Asociacioni) e defunksionalizon shtetin e Kosovës? A e dini se kjo marrëveshje është shpallur antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese në 23 nene të saj? Si doni ta realizoni? Shikojeni Bosnjën dhe Serbinë për të parë të ardhmen e Kosovës nëse ju e themeloni Zajednicën”, tha Selimi.

Kryeministri Hoti ka mbajtur edhe dy interpelanca të tjera pos çështjes së asociacionit: për dakordimin njëvjeçar për të pauzuar në aplikimin në organizata ndërkombëtare dhe për bashkëngjitjen e Kosovës në zonën e mini-schengenit ballkanik, që të dyja zotime të bëra nga pala kosovare në Marrëveshjen e Washingtonit në shtator të këtij viti.

Në pyetjen e deputetes së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli, lidhur me moratoriumin njëvjeçar, kryeministri Avdullah Hoti tha se megjithatë, “nuk i kanë pauzuar përgatitjet”.

“Ne po vazhdojmë koordinimin e plotë me të gjithë partnerët dhe me partnerin tonë kryesor SHBA-në që të sigurohemi që aplikimet tona në organizata ndërkombëtare nuk dështojnë siç ka ndodhur në të kaluarën, por rezultojnë me pranim dhe fuqizim të subjektivitetit tonë ndërkombëtar”, tha Hoti.

Sa i përket interpelancës së thirrur nga deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, rreth bashkëngjitjes së Kosovës në zonën e mini-schengenit ballkanik, deputetja kritikoi Hotin për zotim në përfshirje në këtë plan, duke thënë se “mini-schengeni është ide dhe projekt i Serbisë”.

Ndërkaq, kryeministri Hoti tha se zotimi për bashkëngjitje në mini-schengen duhet parë si “përpjekje për të forcuar bashkëpunimin rajonal”.

Kryeministri Hoti, në një konferencë për media nga Qeveria e Kosovës, tha sot se nga deputetë të kuvendit janë thirrur gjithsej pesë interpelanca, tre nga të cilat u mbajtën sot, ndërsa dy të tjera do të mbahen javën e ardhshme./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne