Turqia dhe Katari fillojnë stërvitjen e përbashkët ushtarake

Ushtarët turq dhe ata të Katarit filluan dje një stërvitje të përbashkët, ndërsa kriza mes Katarit dhe vendeve të Gjirit vazhdon. Mbi 250 ushtarë turq dhe 30 automjete të blinduara po marrin pjesë në stërvitje në një bazë në Katar.

Fregata TCG Gökova e Komandës së Flotës Turke arriti në Portin Hamad, në juglindje të kryeqytetit Doha më 31 korrik, si pjesë e seksionit detar të stërvitjes. Ministria e Mbrojtjes së Katarit njoftoi në një deklaratë me shkrim se TCG Gökova arriti në Katar me një njësi prej 214 marinarësh për të marrë pjesë në stërvitjet e përbashkëta detare.

Ushtrimet detare po zhvillohen në portin Hamad, në bazën detare të Dohas dhe në ujërat territoriale të Katarit. Ushtrimet kryhen si pjesë e marrëveshjeve të bashkëpunimit ushtarak midis Turqisë dhe Katarit në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit.

Një marrëveshje dypalëshe lidhur me vendosjen e ushtarëve turq në Katar u ratifikua në Parlamentin turk më 7 qershor.

Qëllimi i stërvitjes së përbashkët ushtarake është forcimi i koordinimit dhe i bashkëpunimit midis Turqisë dhe Katarit, të cilat janë anëtare të koalicionit anti-Daesh.

Që nga fillimi i bllokadës ndaj Katarit, Ankaraja po i bën thirrje të gjitha palëve për të zgjidhur çështjen përmes dialogut. Kriza filloi më 5 qershor, kur Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni, Egjipti dhe disa shtete të tjera prenë lidhjet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar atë për mbështetjen e grupeve terroriste. Emiri i Katarit, Sheik Tamim bin Hamad al-Thani, i kundërshtoi me forcë akuzat dhe këmbënguli që Katari do të luftojë kundër terrorizmit pa pushim.

Blloku lëshoi për Katarin ​​një listë prej 13 kërkesash për të hequr sanksionet, duke përfshirë dëbimin e trupave turke të vendosura në vend. Katari i hodhi poshtë kërkesat, duke i quajtur ndërhyrje në sovranitetin e Katarit. Ministri i Jashtëm i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim al-Thani tha më 31 korrik se kriza duhet të zgjidhet nëpërmjet diplomacisë pa e prekur sovranitetin e Katarit, dhe e bëri të qartë se Katari nuk do të pranojë asnjë kërkesë që nuk është në përputhje me ligjin ndërkombëtar. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne