Turqia dhe SHBA vazhdojnë patrullimet në zonën e sigurt në veri të Sirisë

Forcat e armatosura turke dhe amerikane kanë filluar fluturimin e tyre të katërt të planifikuar me helikopter për në zonën e sigurt në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë.

Dy helikopterë turq dhe dy helikopterë amerikanë u ngritën nga Akçakale në Şanlıurfa, në juglindje të Turqisë, ku forcat e armatosura të dy vendeve kanë një qendër të përbashkët të operacioneve.

Ata fluturuan në anën siriane të kufirit.

Forcat e armatosura të të dy vendeve më parë kanë kryer tre fluturime të përbashkëta me helikopter dhe një patrullim tokësor.

Më 7 gusht, zyrtarët ushtarakë turq dhe ato amerikanë ranë dakord të krijojnë një zonë të sigurt në veri të Sirisë dhe një korridor të paqes për të lehtësuar lëvizjen e sirianëve të zhvendosur që duan të kthehen në shtëpitë e tyre. Ata po ashtu ranë dakord të krijojnë një qendër të përbashkët të operacioneve.

Turqia insiston që zona të pastrohet nga terroristët e PKK/YPG-së, grupit që terrorizon vendasit dhe paraqet një kërcënim për Turqinë.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare, PKK-ja e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë personave, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG është dega e saj siriane./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne