Turqia do t’i ndajë përvojat e saj në Afrikë me Hungarinë

Zëvendësministrja e Tregtisë, Gonca Yilmaz Batur bëri të ditur se Turqia është e lumtur t’i ndajë me Hungarinë përvojat e saj në kontinentin e Afrikës.

Në fjalën e mbajtur gjatë mbledhjes së dytë të Forumit të Biznesit të Afrikës mes Turqisë dhe Hungarisë, të organizuar nga Këshilli i Marrëdhënieve Ekonomike me Jashtë (DEIK), Batur tha se dy vende mike dhe vëllazërore, që kanë lidhje të forta kulturore dhe ekonomike, dy vende që e plotësojnë njëra-tjetrën dhe bashkojnë forcat e tyre, synojnë të bashkëveprojnë në një strukturë.

Batur vuri në dukje se gjatë zhvillimit të bashkëpunimit tregtar me Hungarinë po jetojnë emocionet nga hyrja në tregje të vështira së bashku me miqtë besnik, ndërsa shtoi se “Sot shohim që Hungaria, në kuadër të strategjisë së saj të hapjes globale është duke i zhvilluar marrëdhëniet me Afrikën. Ne kemi kënaqësinë t’i ndajmë përvojat tona të fituara në Kontinentin e Afrikës. Mendojmë që në fazën e parë do të mund të zhvillojmë bashkëpunimin mes dy vendeve në sektorët, ku të dy vendet janë të forta si shëndetësia, teknologjia e informatikës, shërbimet e ujësjellësit dhe menaxhimit të ujërave të zeza, në sektorin e ndërtimtarisë dhe inxhinierisë”.

Ndërkaq ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto bëri të ditur se ndryshimi në ekonomi dhe politikë në rendin e ri botëror zbulon një sistem të ri në marrëdhënie, ndërsa tha se “Ata që vendosin aleanca të forta do të arrijnë sukses në rendin e ri botëror. Turqia është një aleate e tillë për Hungarinë”.

Duke theksuar se liderët politik turq dhe hungarez zhvillojnë takime të sinqerta, ministri Szijjarto tha: “Mes dy vendeve u krijua një besim. Ajo që do të përfitojë më së shumti nga kjo është ekonomia. Tani duhet të përqendrohemi në Afrikë. Ky është një kontinent plotë mundësi dhe burime. Investimet që do t’i bëjnë kompanitë hungareze dhe turke mund të bëjnë që afrikanët të mos dëshirojnë të largohen nga vendi i tyre”.

Szijjarto gjithashtu shtoi se Banka e Eksportit dhe Importit e Hungarisë (Eximbank) ka siguruar 220 milionë dollarë kredi për investime të përbashkëta në Afrikë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne