Turqia nuk përkulet ndaj kërcënimeve për zonën e sigurt në Siri

Turqia nuk është një shtet që vepron sipas kërcënimeve, tha zv/presidenti Fuat Oktay duke iu përgjigjur kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump sa i përket operacionit të planifikuar të Turqisë për zonën e sigurt.

“Turqia vendos vetë kur është në pyetje siguria kombëtare e Turqisë, siç theksoi presidenti Recep Tayyip Erdoğan”, tha Fuat Oktay, duke folur gjatë ceremonisë së fillimit të vitit akademik 2019-2020 në universitetin Gazi në kryeqytetin e Turqisë.

Oktay gjithashtu tha se Turqia asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk do të tolerojë krijimin e një korridori të terrorit apo shteti terrorist në kufijtë e saj, pa marrë parasysh pasojat.

Komentet e zv/presidentit Oktay vijnë pasi Trump kërcënoi Turqinë me kolaps ekonomik nëse Ankaraja ndërmerr aksion në Siri të cilin ai e konsideron “jashtë caqeve”, para operacionit të planifikuar në verilindje të Sirisë.

“Siç kam thënë fuqishëm edhe më parë dhe thjesht për të përsëritur, nëse Turqia bën ndonjë gjë që unë, me urtësinë time të madhe dhe të pakrahasueshme, e konsideroj si jashtë caqeve, unë do ta shkatërroj dhe do ta fshij plotësisht ekonominë e Turqisë (Unë e kam bërë edhe më parë!)”, shkroi Trump në Twitter.

Oktay theksoi se është koha të krijohet zona e sigurt në Sirinë veriore, duke shtuar se Turqia do të pastrojë terroristët që kërcënojnë kufirin e saj jugor dhe do të krijojë mundësi që sirianët të cilët gjenden në Turqi, të kthehen në shtëpi.

Turqia planifikon të zhvendosë 2 milionë sirianë në një zonë të sigurt 30 kilometra të gjerë që do të krijohet në Siri, që shtrihet nga lumi Eufrat deri në kufirin me Irakun, duke përfshirë edhe qytetin Munbixh.

Që nga viti 2016, operacionet “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit” në veriperëndim të Sirisë kanë çliruar rajonin nga terroristët e YPG/PKK-së dhe DEASH-it, duke u mundësuar rreth 400.000 sirianëve që shpëtuan nga dhuna të kthehen në shtëpi në Sirinë perëndimore.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë personave, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnje. YPG-ja është dega siriane e organizatës terroriste PKK./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne