Pas aksionit të IKMT-së në zonën e Unazës së Re, situata është e ndarë në dy realitete të ndryshme. Disa prej banorëve nuk kanë pranuar të largohen nga shtëpitë e tyre, duke vijuar të qëndrojnë tek rrënojat. Ndërsa banorë të tjerë largojnë vetë materialet për ti hapur rrugë zbatimit të projektit. IKMT në aksionin e fundit e çon numrin e banesave të shembura në 35.

Banorët e Unazës së Re, të cilëve iu janë shembur shtëpitë gjatë aksionit të IKMT-së, nuk kanë pranuar të largohen nga prona e tyre teksa qëndrojnë pranë rrënojave.

Kjo familje ka ndërtuar murin ndarës me rrugën.

Gjatë ditës qëndrojnë rreth tavolinës të shpëtuar para shembjes së shtëpisë.

Ndryshe nga familjarët që qëndrojnë në banesat e tyre edhe pas shembjes, banorë të tjerë kanë larguar vullnetarisht orenditë dhe sendet, për ti hapur rrugë zbatimit të projektit.

Unaza e Re u rrethua sërish nga forcat e policisë rreth orës 5 të mëngjesit ku IKMT ka vijuar aksionin për shembjen e banesave të reja, duke e çuar numrin e godinave të shembura në 35.

Pavarësisht se ishin lajmëruar, banorët nuk kanë mundur të largojnë sendet nga godinat e tyre.

Pas shembjes ata tentojnë të nxjerrin disa prej sendeve që mund të kenë shpëtuar pa u dëmtuar.

Aksionin e të premtes banorët e Unazës së Re e quajnë të paligjshëm.

“Punojnë si kaçakë në orën 5 të mëngjesit. Orari i punës fillon 8 me 4. Ata në 5 të mëngjesit sjellin fadromat. Çfarë bashkëpunimi kanë ata? Nuk jemi njoftuar. Ka shtëpi në rreshtin e dytë që nuk u është vënë kryqi herën e parë dhe nuk e ka ditur do ti prishet apo nuk do ti prishet. Ata vetë nuk janë të qartë se çfarë do të bëjnë. Nuk vinë me një projekt në dorë, ai projekti këtu kalon dhe kaq”.

Puna në Unazën e Re pritet të vijojë sërish me prishje të tjera, ndërsa banorët, të cilëve do u shemben shtëpitë dhe bizneset do të duhet të braktisin lagjen ku kanë jetuar e punuar prej më shumë se 20-vitesh./Ora News