USFK: Raketat koreanoveriore kanë aftësi të mbërrijnë në çdo skaj të SHBA-së

Siç bën të ditur agjencia zyrtare koreanojugore e lajmeve “Yonhap”, bazuar në një deklaratë të USFK-së, raketa “Hwasong-15” ka një rreze veprimi prej 12.874 km, kapacitet ky që mjafton për të mbërritur anembanë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Edhe pse udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-Un, urdhëroi shkatërrimin e një fushe për testimin e raketave dhe objektit të testimit bërthamor në Punggye-ri, mbetet shumë punë drejt qëllimit përfundimtar dhe të verifikuar të denuklearizimit të plotë të vendit”, theksohet në komunikatën e USFK-së.

Më 29 nëntor 2017, Koreja e Veriut pati testuar një raketë balistike ndërkontinentale “Hwasong-15”.

Ushtria koreanoveriore zotëron gjithashtu ICBM të llojit “Hwasong-13” me rreze veprimi 5.500 km dhe “Hwasong-14” me rreze veprimi 10.000 km.

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe lideri koreanoveriore, Kim Jong-Un, u takuan për herë të parë më 12 qershor 2018 në një samit historik në Singapor, ku ranë dakord për denuklearizimin e gadishullit Korean dhe vendosjen e paqes së qëndrueshme.

Dy liderët realizuan një tjetër takim më 26-27 shkurt 2019 në kryeqytetin Hanoi të Vietnamit, por ky samit përfundoi më herët sesa parashikohej dhe pa marrëveshje.

“Ata kërkuan heqjen e plotë të sanksioneve. Por ne s’kishim ndërmend një gjë të tillë. Prandaj nuk ramë dot dakord”, qe shkrehur Trumpi në lidhje me takimin e tij të dytë me Kimin.

Takimi i fundit ndërmjet Trumpit dhe Kimit ishte ai i 30 qershorit në zonën e demilitarizuar (DMZ) ndërmjet Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut, ku ata vendosën për të vijuar procesin e negociatave të denuklearizimit./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne