Nga Erblin Vukaj
Aktivistë të tjerë kanë raportuar vazhdimisht për prerje të pyjeve në malësitë e Pukës, Kukësit apo dhe Përmetit. Po kështu edhe mediat për zonat e Librazhdit.
Prej vitit 2016 qeveria ka ndaluar për 10 vite me ligj prerjen për lëndë drusore të pyjeve. Moratoriumi u propagandua si politika që do të mundësonte rigjenerimin e zonave të gjelbra.
Mirëpo pasi vendosi për moratoriumin, qeveria ia kaloi pyjet dhe kullotat si pronë bashkive, duke ia ngarkuar kështu edhe përgjegjësitë e ruajtjes së sipërfaqeve të gjelbra autoriteteve lokale.
Nga ana tjetër kontratat dhe licencat e shfrytëzimit të pyjeve nuk u anuluan. Në zona si në Dardhë dhe Librazhd kompanitë vazhdouan prerjet të paktën deri vitin e shkuar.
Përgjithësisht moratoriumi nuk është zbatuar dhe nuk është shoqëruar me investime konkrete në pyllëzim.
Të dhënat e Institutit të Statistikave (INSTAT) kanë treguar se prej vitit 2016 vendi ka humbur 378 hektarë pyje, kjo si pasojë e zjarreve dhe prerjeve të vazhdueshme.
Nga viti 2016, organizime qytetarësh si ato të Ecovolis kanë kryer dhjetëra fushata mbjelljesh në parqe si Lura, Mali Munellës, Shebenik-Jabllanica, Mali Taraboshit etj.
Këto nisma nuk janë mbështetur shumë nga qeveria, e cila sipas INSTAT, prej vitit 2016 ka shpenzuar për pyllëzim vetëm 220 mijë euro./ exit.al