“Vëllazëria shqiptaro-turke të vazhdojë edhe më tej”

Organizata dhe institucione nga Turqia edhe në vitin 2019 kanë vazhduar me shpërndarjen e pakove me mish të kurbanit për familjet në nevojë në qytete të ndryshme shqiptare.

Në kuadër të atmosferës së festës së Kurban Bajramit, Fondacioni i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë-TDV ka shpërndarë pjesë të kurbanit për dhjetëra familje në nevojë në fshatin Laknas në Qarkun e Tiranës.

Këshilltari për Çështjet Fetare pranë Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Bekir Yanılmaz, në një prononcim mediatik ka deklaruar se shpërndarja e kurbaneve nga TDV është një shembull i dashamirësisë dhe vëllazërisë së popullit turk për shqiptarët.

“Sot kemi shpërndarë kurbanet e dhuruar nga Fondacioni i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë për vëllezërit tanë në Shqipëri. Ky është një shembull i mirë sepse ne çdo vit e realizojmë këtë projekt për vëllazërinë shqiptaro-turke. Urojmë që ky lloj bashkëpunimi, kjo lloj vëllazërie të vazhdojë edhe më tej, sepse vëllazëria jonë, miqësia jonë është shumë vjeçare dhe ka një kohë të gjatë që vazhdon mes dy shteteve”, u shpreh Yanılmaz.

Duke ju uruar myslimanëve shqiptarë Kurban Bajramin, Yanılmaz theksoi se dëshiron që ky lloj projekti të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.

Fondacioni i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë ka realizuar 10 bagëti të trasha në Shqipëri duke shpërndarë pjesë të kurbanit për 350 familje në nevojë, në Qarkun e Tiranës. 

Kujtojmë, se edhe Gjysmëhëna e Kuqe Turke në bashkëpunim me shoqatën “Istanbul” ka shpërndarë pjesë të kurbanit për mijëra familje në nevojë në Shqipëri, pikërisht 7500 pako të kurbanit në ditët e festës së Kurban Bajramit.

Në shenjë solidariteti me familjet në nevojë në Shqipëri organizatat dhe institucionet e ndryshme nga Turqia në bashkëpunim me organizatat shqiptare çdo vit organizojnë shpërndarjen e pakove të kurbanit, duke forcuar edhe lidhjet mes dy popujve shqiptare-turke.

Nga ana tjetër, Myftinia Shkodër dhe ambasada e Kuvajtit në Tiranë kanë dhuruar për festën e Kurban Bajramit 42 pako për familjet në nevojë, të regjistruara në shoqatën e invalidëve, para dhe tetraplegjikëve. Ky aktivitet u zhvillua në mjediset e kësaj shoqate, ndërsa të pranishëm ishin edhe përfaqësues të myftinisë, të cilët

bënë thirrje edhe individëve apo subjekteve të tjera që kanë mundësi të ndihmojnë shtresat në nevojë si një domosdoshmëri që ata kanë për t’ju gjendur pranë jo vetëm në rastet e festave.

Kryetari i shoqatës së para dhe tetraplegjikëve, Saimir Beqiri falënderoi për dhurimin e 42 pakove për 42 familje në nevojë…

Myftinia e Metropolit Verior, Shkodër gjatë gjithë ditëve të bajramit në bashkëpunim edhe me institucione apo biznese të ndryshme kanë shpërndarë pako me rastin e festës të Kurban Bajramit./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne