“YPG/PYD është kërcënimi më i madh për të ardhmen e Sirisë”

Organizata terroriste YPG/PYD paraqet kërcënimin “më të madh” për të ardhmen e Sirisë, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.

“PKK, dhe zgjatimi i saj, YPG/PYD, janë kërcënimi më i madh për të ardhmen e Sirisë. Për sa kohë që vazhdon prania e PKK/PYD-së në vend, as Siria dhe as rajoni ynë nuk mund të gjejnë paqe”, tha Erdogan në konferencën për shtyp pas samitit trepalësh për Sirinë me homologun e tij rus Vladimir Putin dhe atë iranian Hassan Rouhani në Ankara.

Erdogan tha se Ankaraja, Moska dhe Teherani kanë theksuar se mbështetja e terroristëve nën pretekstin e luftimit të DEASH-it është “e papranueshme”, duke iu referuar mbështetjes amerikane për YPG/PYD-në.

Ai shtoi se liderët kanë “të njëjtën ndjeshmëri” për rëndësinë e mbrojtjes së integritetit territorial të Sirisë.

“Morëm vendime të rëndësishme të cilat do t’i rrisin shpresat për zgjidhje politike në Siri”, tha ndër të tjera presidenti turk.

Erdogan deklaroi se Turqia nuk mund të lejojë një korridor terrori përgjatë kufirit të saj me Sirinë, duke iu referuar pranisë së organizatës terroriste YPG/PYD.

Ai shtoi se qëllimi kryesor i Turqisë është të sigurojë një “korridor paqeje” në veri të Sirisë.

Ndërkaq, presidenti i Iranit, Rouhani, tha se rajoni i Eufratit Lindor në Siri është nën kontrollin e SHBA-së dhe se në këtë rajon gjenden edhe terroristë.

“SHBA mbështeti terroristët në Siri. U përpoq ta ndajë Sirinë. Kjo gjë është e papranueshme”, u shpreh Rouhani.

Nga ana tjetër, lideri rus Vladimir Putin tha se me homologun turk dhe atë iranian kanë ngelur dakord për të hedhur hapa për uljen e tensioneve në Idlib.

Gjatë adresimeve të tyre, tre liderët sinjalizuan se së shpejti do të fillojë me punë komiteti kushtetues sirian.

Ndryshe, samiti i sotëm ishte i pesti i këtij lloji për Sirinë sipas formatit të Astanas, ku u diskutuan zhvillimet e fundit në rajonin veriperëndimor Idlib, kthimi vullnetar i refugjatëve dhe zgjidhja politike për krizën në Siri./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne