Zhurma të pazakonta pranë vendit të zhdukjes së nëndetëses “San Juan” në Argjentinë

Zhurma të pazakonta janë regjistruar një javë më parë, tri orë pas komunikimit të fundit me nëndetësen argjentinase “San Juan”, shumë pranë pozicionit të fundit të ditur, njoftoi sot zëdhënësi i Marinës argjentinase duke mos dashur të pohonte mundësinë e një shpërthimi.

“Ne u informuam rreth një fakti zyrtar, të mërkurën e 15 nëntorit, në orën 11:00 (14:00 GMT) në zonën e operacionit të nëndetëses, të një anomalie hidro-akustike. Ishte një zhurmë që duhet analizuar”, u shpreh gjatë një konference shtypi kapiteni Enrique Balbi për tragjedinë që prek 44 marinarë dhe familjet e tyre, tashmë duke u ndjekur ore pas ore nga media argjentinase, shkruan ATA.

Ai saktësoi se zhurma u regjistrua rreth 400 kilometra nga brigjet e Patagonisë, rreth 60 kilometra në veri nga pozicioni i fundit i komunikuar nga nëndetësja, që ishte drejtuar në bazën detare në Mar del Plata, porti ankorues i nëndetëses.

Marina argjentinase i kërkoi SHBA-së dhe agjencive të ndryshme për të dhëna akustike që korrespondojnë me ato të së mërkurës së 15 nëntorit, data e fundit e komunikimit me nëndetësen, rreth orës lokale 07:30 (10:30 GMT).

“Ka qenë një zhurmë shumë e fortë. Mund të bëhet fjalë për një shpërthim”, pohoi për median një ish-komandant i nëndetëses, që kërkoi të mbetej anonim.

I pyetur në lidhje me këtë mundësi, zëdhënësi i marinës u përgjigj se zhurma ishte duke u analizuar.
Tre anije janë nisur drejt pozicionit të njoftuar për lokalizimin e nëndetëses dhe pritet të mbërrijnë në zonë sot në mbrëmje, rreth orës lokale 23:00 (të enjten 02:00 GMT).

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne