Shprehja e dhunshme e  pakënaqësisë së banorëve të qendrës për strehim të azilkërkuesve të rinj në Kriens të Lucernit ka bërë që të ndërhyjë policia e qytetit me një numër të madh policësh për të qetësuar gjendjen. Sipas komunikatës së lëshuar sot, ngjarja ka ndodhur mnbrëmë (e premte) rreth orës 19, shkruan SDA.

Trazira në këtë qendër ka pasur edhe të enjten. Për këtë arsye, udhëheqja e kampit kishte vendosur që krerët e trazirave t`i ndante nëpër qendra tjera azili. Por kjo sërish ka shkaktuar trazira, aq sa banorët kanë hedhur gurë mbi policët. Janë shkaktuar dëme në ndërtesën e kampit dhe në mobile. Policia ka ndërhyrë me sprej.

Policia e Lucernit më tutje thotë se gjendja është qetësuar rreth orës 21. Tre nga azilkërkuesit e rinj janë ndaluar përkohësisht ndërsa dy të tjerë po atë natë janë transferuar në qendra tjera të azilit.

Shkak për pakënaqësinë që ka përshkallëzuar në konflikt fizik, ka qenë ndryshimi i trajtimit të azilkërkuesve të rinj, shkruan “Luzerner Zeitung”. Ata kishin ardhur nga qendra tjera ku ishin paguar më mirë dhe kishin pasur mundësi të përgatisnin ushqimin vetë me paratë që merrnin.

Ndërsa në qendrën e re, atyre u përgatitet ushqimi nga mensa por marrin më pak para në dorë. Këtu, azilkërkuesit deri në moshën 16 vjeçare marrin nga 3 franga në ditë ndërsa mbi këtë moshë, nga 6 franga.

15