/Mirela Ruko, Viki Çipi/

Të jesh në fshat dhe të kesh një copë tokë sot nuk të bën të vetëpunësuar, madje nuk përmbush as nevojat familjare. Përkundrazi, toka të ha përpara se të hash ti nga ajo. Sot fshatari është i detyruar të shesë fuqinë e tij punëtore për të përballuar jetesën, ndonëse ka tokë, kafshë e shpezë.

Nga hulumtimi dhe intervistat që po realizojnë në terren disa prej aktivistët tanë rezulton se:

Shteti i ka braktisur fermerët e vegjël e të mesëm. Në shumicën e rasteve nuk mjafton dëshira që të punosh tokën tënde, kur nuk ke treg ku ta shesësh produktin. Subvencionet janë të rralla (njëlloj siç janë marrja e kredisë me një normë të ulët interesi, ulja e çmimit apo rimbursimi i TVSH-së për naftën për fermerët, marrja e ndihmave të ndryshme financiare etj.). Edhe atëherë kur jepen, nuk arrijnë asnjëherë te fermeri i thjeshtë, por përfundojnë në duart e fermerëve të mëdhenj apo atyre që kanë marrëdhënie të ngushta me pushtetin. Importi i produkteve bujqësore e ka ulur shumë çmimin e produkteve dhe kjo e detyron fermerin që në të shumtën e rasteve ta shesë atë aq lirë sa të mos mbulojë as koston e prodhimit apo që ta hedhë në lumë, së bashku me lodhjen, rraskapitjen, shpenzimet e shumta dhe stresin që ka përjetuar gjatë ditëve të punës.

Fermerët para se të aplikojnë për subvencione duhet të përballen me një burokraci të korruptuar dhe të panevojshme. Gjetja dhe plotësimi i dokumentacionit, si edhe kostoja e tyre mund të arrijnë shumën e parave që marrin në fund fermerët. Për të mos përmendur faktin që asnjë nga zonat bujqësore nuk ka zyra informacioni apo konsulencë për orientimin e fermerëve. Ministria e Bujqësisë dhe drejtoritë përkatëse kanë pasaktësi të mëdha në lidhje me numrin e fermave dhe fermerëve të regjistruar (madhësinë e tyre), listën e atyre që përfitojnë subvencione apo numrin e të punësuarve në bujqësi.

Puna në bujqësi është kryesisht sezonale, punëtorët janë pa kontrata pune, nuk u paguhen siguracione dhe janë të pasigurt për vendin e punës. Ka nga ata që punojnë në ferma të ndryshme bujqësore e në të njëjtën kohë punojnë edhe në tokën e tyre, e cila u mbulon vetëm një pjesë të vogël të nevojave ushqimore. Sipas tyre, të ardhurat që marrin janë të pamjaftueshme si për arsimimin e fëmijëve, ashtu edhe për kujdesin shëndetësor. Madje disa prej nënave punëtore, kur i kemi pyetur se çfarë ëndërronin për të ardhmen e tyre dhe të familjes, shpreheshin se dëshira e tyre e vetme ishte që t’i çonin fëmijët në shkollë, edhe duke u futur në borxhe.

Fabrikat, minierat, uzinat, bujqësia dhe çdo e mirë publike sot nuk u përkasin atyre që punojnë në to, pra as punëtorëve, as fermerëve, as qytetarëve, por oligarkëve të pangopur të cilët kanë zaptuar çdo sektor të ekonomisë, duke shfrytëzuar në mënyrë çnjerëzore krahun e punës dhe burimet natyrore. Një grusht njerëzish ka në dorë çdo gjë.

Situata nuk është ashtu siç e shfaq pushteti përmes propagandës mediatike. Vetëm me disa intervista në terren me ata që prodhojnë të mirat që ne konsumojmë, arrin të kuptosh shfrytëzimin e vazhdueshëm që mban në këmbë shoqërinë tonë, se si sot njerëzit i kanë reduktuar dëshirat dhe ëndrrat e tyre thjesht në pasjen e një pune dhe sigurimin e mbijetesës. Sidoqoftë, pavarësisht shfrytëzimit dhe vështirësive të panumërta, shpresa për barazi dhe një të ardhme më të mirë jeton ende brenda tyre./ OP

12