Bëhu burrë, eja dhe provoje hallin e tyre!

Nga Edison Balla

Kohët e fundit, kemi dëgjuar jo pak debate e diskutime rreth punës së minatorëve në minera, e kryesisht në galeritë e Bulqizës. T’ju them të drejtën jam shumë i ndjeshëm kur flitet për jetën e minatorëve apo punën e tyre, pasi edhe pse me kohë të pjesshme kam qenë vetë një ndër ata minatorë. Kam punuar vetë në minerë, jam përballuar vetë me rrezikun evident, kam duruar vetë të pashkollë që të japin urdhëra “qorre”, kam parë vetë me sy djem të rinj që janë sakatuar nëper furnele e skuta galerish. Ndaj edhe sot kur dëgjoj lloj-lloj deklaratash nga pusht-tetarë të kollarisur, që vetëm rrobat i bëjnë të duken zotërinj, më vjen të bërtas e të shaj me libër shpie të gjithë këto horrat rreth e qark që dërdëllisin e formulojnë fjalime në mbrojtje të interesave të tyre klienteliste.

JO, ju nuk u’a dini hallin minatorëve. Se po t’ua dinit nuk do na thonit që minatorët marrin nga 900 mij lek në muaj. Gjithsesi problemin nuk e kam me shifrat më shumë sesa me fenomenin. Minatorët sot nuk marrin 900 mij lek. Jo jo miku im, ata me zor marrin 500 mij lek. Që të kuptohemi, jo 900 po as 9 milion lekë nuk mund të justifikojnë e as të shpërblejnë mundin e atyre minatorëve, që përditë përballen me vdekjen, duke mos ditur nëse e nesërmja do ti gjejë sërish gjallë.
Ti që më thua se në Bulqizë jetohet mirë… Kur ke qenë për herë të fundit në Qytetin e Minatorëve o llafazan që flet pareshtur, në mbrojtje të pronarëve të tu që ta lirojnë e shtrëngojnë zinxhirin sa herë tu teket. Me siguri i ke ca vite që nuk ke qenë. E në mos ca vite, nuk ke qenë ca dekada që në “kohën e Xhaxhit” se atëherë të binin për llape të futeshe në minierë. Por që atëherë ti u bëre milioner, punon në Ministri dhe madje ka llafe që je edhe bashkëpronar në ca galeri këtej rreth e rrotull, po vetëm fjalë…
Unë nuk mund të lejoj që ata që përfaqësojnë popullin shqiptar, që përfaqësojnë minatorët e Bulqizës, dhe gjithë punëtorët e këtij vendi, të flasin e të mbrojnë milionerët dhe oligarkët e këtij vendi. Më vjen keq, por unë nuk mund të resht teksa përfaqësuesit e shtetit tim, drejtuesit e shtetit tim , t’u bëjnë reklamë atyre që vjedhin pasuritë e Bulqizës, dhe që ditën për diell nuk u preket një fije floku teksa djem nënash vdesin nëpër galeritë e Bulqizës, në përpjekje për të nxjerrë një kafshatë bukë.

Unë nuk mund të lejoj që të shoh fytyrat tuaja fort të shëmtuara, që pa pikë morali gënjeni mijëra shqiptarë, duke u thënë që në Bulqizë ka plasur lumturia aq shumë sa po lëmë pas edhe ndonjë qytet Norvegjez. Unë nuk mund t’ju dëgjoj juve teksa dërdëllisni e nxirrni nga goja lloj-lloj shifrash, që sipas jush qenkan investuar së fundmi në minierë. Unë e di shumë mirë që ju këtë e bëni për populizëm, dhe për të justifikuar këto miliona euro që kanë shkuar në mënyrë të paditur në ca xhepa të pafajshëm, e në ca njerëz për tu mbyllur gojën e për tu marrë të vetmen gjë që kanë, të drejtën e zgjedhjes, pra votën. E nëse për një moment “rrekem” t’ju shfajësoj që as e kam ndërmend ta bëj këtë, po e zë sikur po thoni të vërtetën. Dëshiron ta kuptosh nëse janë përmirësuar apo jo kushtet në minierë? Epo ta gjej unë një zgjidhje…

Eja futu një herë në minierë. Vetëm se nuk do shoqërohesh nga televizionet, kamerat, grimi, apo bodigardët. Që ta dish, do duhet ta heqësh kollaren, edhe kostumin e shtrenjtë, madje si për dreq edhe këpucët e tua të shtrenjta. Do futesh disa mijëra metra nën tokë, ku i vetmi shpqërues që do kesh, do jetë errësira dhe llampa jote që do kesh të vënë në kokë. Më beso që do lutesh si dreqi që mos të të bjerë sipër ndonjë nga ato shkëmbinjtë e mëdhenj, që mbahen akoma me dru të kalbur që në kohën e xhaxhit. Do lutesh për vete, por edhe për fëmijët e tu që ti shohësh sërish. Do ecësh e do bëhesh dru nga uji i ftohtë disa gradë nën zero që të bie nga sipër e të bën qull akoma pa filluar punën. Mos vazhdoj të flas për vagonët me krom që duhet të nxjerrësh. Aha se harrova, norma është dyfishuar këto kohët e fundit, se edhe sasia e nxjerrjes është dyfishuar. Kuptoje vetë llogjikën.
Nuk po vazhdoj të flas më tej se nuk dua të të fus tmerrin vetëm kur ti lexosh këto rreshta e jo më ti përjetosh ato. Gjithsesi në fund, nuk po ju kërkoj gjë, të gjithëve ju që fatkeqësisht drejtoni e keqmenaxhoni në mënyrë barbare pasuritë e qytetit tim. E vetmja gjë që dua nga ju, është të shporreni nga ekranet e televizorit, ku prezenca juaj ndjell vetëm ters. Ters, që përkthehet në humbje jetësh në minierë./ gazetabulqiza

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne