Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, deklaroi të mërkurën se shpallja e Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një vendim jashtëzakonisht i gabuar.

Duke u prononcuar për një kanal televiziv privat, Çavusoglu theksoi gjithashtu se Turqia nuk vlerëson si të drejta as veprimtarinë e IRGC-së në Siri dhe as politikat e Iranit.

“Të shpallësh organizatë terroriste ushtrinë zyrtare të një vendi është jashtëzakonisht e rrezikshme. Irani po ashtu shpalli organizatë terroriste Komandën Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), edhe ky është gabim. Ju (SHBA) bashkëpunoni me YPG/PKK-në dhe pastaj ngriheni e shpallni organizatë terroriste ushtrinë zyrtare të një vendi tjetër”, u shpreh ai.

Shefi i diplomacisë turke potencoi se plotësisht i gabuar është edhe vendimi i SHBA-së për të njohur “sovranitetin e Izraelit” mbi Lartësitë e Golanit të pushtuar, gjë që bie ndesh po ashtu me rezolutat e Kombeve të Bashkuara.

“Ne kemi bërë shumë përpjekje në të kaluarën. Këto janë territore të Sirisë. Në vend që të marrë vendime të cilat injorojnë ligjin, SHBA-ja duhet të vendosë në përputhje me kornizën e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të drejtën ndërkombëtare”, shtoi Çavusoglu.

Ai u ndal më tej edhe mbi zgjedhjet parlamentare të së martës në Izrael. Sipas tij, të gjithë duhet të respektojnë vullnetin e popullit izraelit dhe pavarësisht se kush do të vijë në pushtet, duhet të heqë dorë nga populizmi.

Çavusoglu nënvizoi mes të tjerash se Izraeli duhet të ndërmarrë hapin e nevojshëm për zgjidhjen me dy shtete të problemit palestinez.

“Zgjidhja e vetme për paqe është ajo me dy shtete. Përveç asaj, asnjë zgjidhje tjetër nuk sjell paqe. Izraeli duhet të heqë dorë nga qëndrimi i tij agresiv. SHBA-ja deri më sot ka mbajtur anën e Izraelit. Tani zgjedhjet përfunduan, duhet të mbisundojë gjykimi i shëndoshë. Turqia është e gatshme të ofrojë kontributin që i takon”, përfundoi kryediplomati turk./ trt

21