Dënohet Emiljano Shullazi dhe banda e tij

Një gjyq maratonë është konsideruar ai i Emiljano Shullazit dhe bandës së tij, ndërsa vendimi është marrë më në fund këtë të martë.

14 vjet burg ka dhënë Gjykata për Krime të Rënda për Emiljano Shullazin, të akuzuar për një sërë veprash penale, mes të cilave edhe gjobvënia.

Emiljano Shullazi është shpallur i pafajshëm për disa nga veprat penale që rëndonin ndaj tij.

Vendimi u mor këtë të martë për të gjithë anëtarët e bandës së kryesuar prej tij, të cilët u njohën me dënimet respektive, 55 vite burg në total.

Me 12 vite burg është dënuar Gilmando Dani, Indrit Qyqja 10 vite burg, Indrit Zela 10 vite, Blerim Shullazi 9 vite burg.

Emiljano Shullazi u shpall i pafajshëm për akuzat e shkatërrimit të pronës me eksploziv në dy raste, gjithashtu ai ka marrë pafajësi edhe sa i përket akuzës së kanosjes së dy profesorëve Mynyr Koni de Dhori Kule. Shullazi u shpall i pafajshëm edhe në një rast të akuzës së gjobvënies

Në një prononcim për median menjëherë pas leximit të vendimit avokati tha se duhej të binin poshtë të gjitha akuzat, ndërsa paralajmëroi se do t’i drejtohen Gjykatës së Apelit për të ankimuar vendimin.

“Fatkeqësia e kësaj gjykate është që nuk i shpëton dot presionit, dhe së dyti në fushën penale që operojnë nuk janë në gjendje të bëjnë dallimin mes të drejtës civile, administrative dhe penale, kështu që e konsideroj një konflikt të pastër civil. Do e çojmë në Apel këtë vendim”, tha avokati Vladimir Meçe.

Procesi gjyqësor u zhvillua nën masa të rrepta sigurie të Krimet e Rënda, ndërsa seanca u monitorua nga përfaqësues të ambasadës amerikane dhe asaj gjermane. Trupit gjykues iu deshën rreth 3 orë e gjysmë për të marrë vendimin final për bandën e Emiljano Shullazit

Më 2 tetor Prokurorët kërkuan në total 64 vite burg për të gjithë të akuzuarit, ndërsa avokatët e të pandehurve kanë kërkuar gjithmonë pafajësinë për klientët e tyre.
Për Emiljano Shullazin, i cili është cilësuar si kreu i grupit të strukturuar kriminal, prokuroria kërkonte 17 vjet burg.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne