Edhe europianë, edhe myslimanë

Në llogarinë e saj zyrtare në twitter, Ministria e Europës dhe e Punëve të Jashtme, më datë 31 korrik deklaron: “Ne jemi shoqëri sekulare, ne jemi europianë”, duke krijuar edhe një hashtag me mbiemrin “europianë”. E shkëputur kështu nga tërësia e intervistës së ministrit titullar z. Bushati, dhënë për zëvendës presidentin ekzekutiv të Këshillit të Atlantikut z. Damon Wilson, pohimi i të qenit europianë nuk ka sens, përderisa nuk njihet ndonjë pretendim tjetër serioz për përkatësinë etnike të shqiptarëve, aq më tepër për vendndodhjen gjeografike të trevave që ata popullojnë si komb. Megjithatë, duke qenë se publikimi në twitter na fton të lexojmë të plotë intervistën e ministrit, është me interes të shohin përse është dashur që ministri në mënyrë të panevojshme të afirmojë qenësinë europianë të shqiptarëve.

Të qenit europianë, sipas ministrit është e kundërta e të pasurit ndonjë lidhje me Islamin, i cili sakaq përkufizohet si diçka negative që nuk duhet të identifikohet asesi shoqëria shqiptare. Për të përforcuar idenë se prania e Islami tek ne, në disa qarqe europiane qarkullon si një “stereotip negativ i pabazë”, ministri jep si shembull mënyrën publike të jetesës alla evropiane që karakterizon shoqërinë shqiptare. Dikotomia e diskretituar Europë-Islam, që mund të ishte edhe Perëndim-Lindje, etj, përdoret sërish si stereotip mediokër për të arnuar vrazhdë kompleksin e inferioritetit të elitës kryesore të vendit, që gjendet jokomode sa herë përmendet identiteti dhe trashëgimia myslimane e Shqipërisë. Mënyra europiane e jetesës së shqiptarëve, që ndryshon në shumçka nga ajo e polakëve, norvegjezëve apo e portugezëve, është një argument së paku naiv, dhe më së shumti racist, për të refuzuar Islamin si diçka të huaj dhe të papajtueshme me historinë, vlerat dhe trashigiminë e një kontinenti me kultura të larmishme ku bëjmë pjesë pandashëm edhe ne. Qasja ndaj Islamit sipas frymës së teorisë së “përplasies së qytetërimeve”, pëveçse përplas në fytyrën e publikut injorancën institucionale ndaj vlerave të përbashkëta shoqërore, i jep karburant retorik qarqeve më ekstremiste islamofobe në vend, që pikërisht frymëzimin e gjejnë tek antishqiptarët dhe antimyslimanët europianë.

Alibia ministrore për të mbështetur pretendimin e tij problematik është sekulariteti i shoqërisë shqiptare, set vlerash të modernitetit që në këtë logjikë determinohet në faktin e të qenit europianë, duke nënkuptuar gjithashtu se vendet me popullsi myslimane kanë një qasje përjashtuese ndaj shumë aspekteve të sekularitetit, pra nuk janë europianë. Por kjo optikë trekëndore gjithsesi nuk e ndihmon këtë argumentim të çalë, pasi gjeografia e larmishme e vendeve myslimane njeh edhe realitete ku sekularizmi është pjesë organike e vlerave identitare të shoqërisë. Gjithashtu duhet përmendur se myslimanë jetojnë si minoritete historike apo rishtare edhe në vende ku sekularizmi ka një traditë të hershme, ku poashtu ata jo vetëm e kanë përbrendësuar në organizimin e tyre social, por kanë edhe kontributet e tyre në konsolidimin e procesit të sekularizmit. Në logjikën e ministrit, tejthjeshtëzimi i Islamit, i cili si objekt teorik nuk ekziston (T. Asad, 1986) , i nënshtrohet qenësisë europiane, në mënyrën e jetesës, e cila presupozohet e sekularizuar dhe rrjedhimisht e shkëputur nga religjoziteti, por që paditurisht si qasje anashkalon një dimension ku sekularizmi has vështirësi, si besimet fetare, ose besimet në përgjithësi, me gjithë implikimet e shumta tek individi dhe shoqëria, besime që përftohen përmes procesit të njohjes, brenda kuadrit të lirive dhe të drejtave të njeriut (Ch.Taylor, 2007). Me fjalë të tjera, të qenit shoqëri sekulare nuk e përjashton identitetin, apo besimin fetar të një pjese të popullsisë, i cila në rastin tonë është Islami, e kësisoj mbetet sërisht një shoqëri europiane me kulturë dhe identitet unik.

Ministri Bushati, por dhe titullarë të tjerë të shtetit, të cilët herë pas here rrëshkasin në qasje përjashtuese ndaj myslimanëve apo edhe në qëndrime islamofobe, e kanë për detyrë të jenë më të kthellët dhe më të drejtë kur është  puna për të analizuar dhe prezantuar realitetin dhe traditën fetare të vendit. Megjithëse jemi një shoqëri sekulare, por njëkohësisht shumëfetare, kjo nuk do të thotë se qytetarët shqiptarë të mos e shprehin vokacionin e tyre fetar në publik, cilidoqoftë ai. Përkundrazi shoqëria shqiptare, si një shoqëri sekulare ka të drejtë të shprehë dhe të ndajë vlerat e përbashkëta shoqërore, me burim nga etika e feve apo e filozofive të ndryshme, që janë trupëzuar përgjatë bashkëjetesës harmonike dhe këmbënguljes tek kjo vlerë, duke qenë dhe mbetur njëkohësish pa asnjë dyshim europianë. Kjo simbiozë ndodh rëndom në vendin tonë, ku me gjithë problematikat e shumta të një vendi në zhvillim, ndërthuren gjerësisht traditat, interesat dhe identitetet e pjesshme që gërshetohen në shoqëri. Në këtë këndvështrim, kur intervistuesi në pyetjen e tij ndaj ministrit, me të drejtë nënvizon faktin e të qenit një vend me shumicë myslimane, ai ka parasysh identitetin e shprehur me vullnet të lirë të shumicës së shoqërisë. Kjo qasje korrekte nga të huajt nuk duhet të kompleksojë zyrtarët shqiptarë, të cilët ikin drejt terreneve spekulative burokratike dhe paternaliste, që fyejn pikërish këtë shumësi qytetarësh, kur identiteti i tyre përkufizohet padrejtësisht si “stereotip negativ i pabazë”./ e-zani

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne