Linja ajrore shqiptare do të nisë fluturimet brenda këtij viti. Lajmi është konfirmuar nga gjigandi turk i aviacionit, “Turkish Airlines”, i cili është duke asistuar qeverinë shqiptare në themelimin e kompanisë vendase, që do të kryejë fluturime nga Rinasi drejt rajonit dhe vendeve të tjera të botës.
Ilker Ayci, kryetari i bordit ekzekutiv të “Turkish Airlines” ka deklaruar para gazetarëve se projekti po ecën sipas parashikimit dhe shanset që linja të rezultojë një sukses tashmë janë më të mëdha.

“Pritshmëritë tona që kompanitë italiane të reduktojnë operacionet e tyre në Shqipëri krijojnë një mundësi të lartë biznesi për këtë partneritet strategjik”, ka deklaruar Ayci.

Krijimi i një kompanie ajrore shqiptare u njoftua nga kryeministri Edi Rama në maj të këtij viti. Gjigandi turk u përfshi në projekt për të asistuar qeverinë shqiptare pas një vendimi të përbashkët mes Ramës dhe presidentit turk Erdogan.

Burime nga Kryeministria bëjnë të ditur se kompania do të jetë private. Sipas tyre, fillimisht ajo do të fillojë me operacione në shkallë të vogël, por me kalimin e kohës numri i fluturimeve dhe destinacioneve do të zgjerohen.

Që pas falimentimit të “Bel Air” në vitin 2013, Shqipëria nuk ka asnjë kompani ajrore vendase. Tregu i fluturimeve ajrore në Shqipëri numëron rreth 2.2 milionë pasagjerë në vit dhe gati gjysma e tij dominohet nga kompanitë italiane.

301