Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, në një intervistë për gazetën “Sot”, komenton zhvillimet e fundit politike, që nga zgjedhjet e 25 qershorit, procesi i vetingut dhe gara për kreun e PD. Fatos Klosi paralajmëron se pas Maqedonisë do të ketë arrestime VIP edhe në Shqipëri. Ai theksoi se me reformën në drejtësi, askush nuk do t’i shpëtojë vetingut pasi SHBA-BE presin raste konkrete. Klosi u shpreh se gjyqësori që është kolona më e korruptuar e këtij sistemi, do spastrohet nga të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që nuk e justifikojnë dot pasurinë. Ndërkaq, duke u ndalur në zhvillimet politike në Partinë Demokratike, Fatos Klosi u shpreh se nuk ka garë të ndershme për kreun e partisë, pasi, pas të gjitha zhvillimeve të brendshme fshihet Sali Berisha. Ai tha se gjithashtu Berisha ka gisht në përjashtimin e të vjetërve nga PD.

-Më 25 qershor, PS arriti të marrë e vetme qeverinë, ndërkohë që u pa një humbje drastike e PD. Çfarë ndikoi në faktin që Lulzim Basha doli me 200 mijë vota më pas se Sali Berisha në 2013?

Ky është një problem i tyre dhe do ta bëjnë ata analizën, gjithmonë nëse do ta bëjnë. Në vend që të përpiqemi nga jashtë të marrin me mend se çfarë e ka shkaktuar një gjë të tillë, unë them se duhet t’ia lëmë të zotëve të punës të bëjnë analizën. Megjithatë, me sa duket, brenda PD ka zhgënjim nga udhëheqja e sotme; ndërsa elektorati duhej të mobilizohej nga anëtarët e partisë. Elektorati nuk vendos se kë do votojë duke parë në televizor se çfarë thonë udhëheqësit; kjo nuk mjafton në Shqipëri; në Shqipëri punohet derë më derë; merret fjala, merret premtimi dhe këtë duhet ta bëjnë strukturat e partisë. Po nuk ishin të mobilizuara strukturat e partisë, nuk ka sukses partia. Jemi akoma herët për të vendosur njerëzit sipas opinioneve, sipas debateve në televizion. Unë besoj se PD ishte në një farë mënyre e shkrehur në këto zgjedhje. Pas çadrës, ata u futën në zgjedhje dhe nuk e di çfarë iu solli çadra, nëse i arritën ato objektiva që kishin në çadër. Unë them se është partia në fillim, pastaj elektorati.

-PS mori 74 mandate duke korrur një sukses të madh. A mund të justifikohet se kjo fitore erdhi edhe për shkak të shitblerjes së votës, ashtu siç pretendon Lulzim Basha?

Për mua është absurde! Ky është një justifikim që përdoret nga ato parti që nuk arrijnë objektivin e tyre në zgjedhje. Unë dëgjova se në Qarkun e Korçës, prokuroria paska tre raste të shitblerjes së votës. Rezultate të tilla si në 25 qershor nuk arrihen me shitblerjen e votës. Nëse ka patur raste konkrete gjatë zgjedhjeve, të dilnin t’i denonconin, por nuk mund të flasësh pas rezultatit zgjedhor. Edhe nëse ka patur raste të tilla, do t’i quaja fare sporadike pasi nuk mund të arrihet një rezultat kaq i thellë vetëm me blerje votash. Kjo bëhet vetëm në zgjedhjet lokale, sepse kandidatët janë konkretë, ndërsa në zgjedhjet politike problemi është më i ngatërruar. Sepse është i gjithë qarku që voton, duhen shumë vota për të marrë një deputet. Për mua është e palogjikshme! Nuk më duken këto argumente për të justifikuar mosarritjen e objektivave.

-Brenda Partisë Demokratike ka nisur një betejë mes të vjetërve dhe Lulzim Bashës. A mendoni se Sali Berisha ka gisht në këtë mes?

Kjo përplasje nuk është vetëm mes të vjetërve. Unë kam dëgjuar që edhe të rinj janë kundër gjithë mënyrës se si e ka drejtuar Basha partinë, të paktën në këto muajt e fundit. Basha më shumë punoi për veten e tij, sepse fitoren e PD e shihte shumë larg. Ai largoi disa njerëz nga partia, dhe unë jam i sigurt që nuk guxon Basha të marrë vendime të tilla pa miratimin e Berishës. Berisha vuri dhëndrin për të kundërshtuar ndonjë gjë të vogël, por unë jam i sigurt se në atë parti drejton akoma Berisha.

-Si e sheh garën brenda PD dhe pse Berisha po qëndron larg këtij procesi, ndërkohë që ka vendosur të nxjerrë dhëndrin dhe djalin në disa raste?

Kur nuk ishte e ndershme dhe transparente gara e parë, kjo jo e jo! PD nuk ka demokraci të brendshme. Kështu që nuk besoj fare në një garë të ndershme. Për sa kohë që ka interesa, demokracia është gjithmonë prapa portës. Interesat e mundin demokracinë dhe ndershmërinë në Shqipëri. Partia është një grupim vullnetar njerëzish që pretendojnë se kanë opinione të njëjta për vendin, për të ardhmen, njerëz me ideale të përbashkëta, por fakti që ndodhin të tilla gjëra, kjo formulë klasike nuk funksionon. Jemi akoma në stadet foshnjore të demokracisë. Në fillim, para demokracisë janë interesat. Hajde se po pati pak vend për demokracinë, po sajohemi, gjithmonë nëse interesat janë të sigurta.

-Fushata solli një përplasje të fortë mes PS dhe LSI. Pse mendoni se erdhi fundi mes koalicionit Rama-Meta?

Unë këtë nuk e di. Edhe në intervista të mëparshme kam thënë se ata të dy janë aq të mençur sa duhet ta kuptojnë se duhet të qëndrojnë bashkë. Këtë e kam thënë disa herë. Ndarja mes tyre ka ardhur për probleme që ata i dinë. Rama e ka thënë se pavarësisht se çfarë ndodhën, unë dua të kem timonin, që të mbaj të plotë përgjegjësinë e qeverisë. Edhe për mua, ai koalicion ishte i shëmtuar. Një parti merr një ministri, dhe atë parti e menaxhon ajo. Është absurde! Duket sikur ajo ministri është pronë e asaj partie. Nuk e kam fjalën vetëm për LSI. Gjithmonë, kështu është bërë. Caktohet një ministër dhe çfarë vjen poshtë zyrës së këtij ministri, është e asaj partie. Ministritë bëhen si prona! Është e paarsyeshme! Tani kjo është një provë tjetër, të shohim sa e suksesshme do jetë. Qeverinë e ka plotësisht PS, dhe do vihet e plotë mundësia për të qeverisur jashtë interesave të grupit. Të shohim, uroj të jetë e suksesshme!

-Më 22 qershor, Kuvendi i hapi rrugë vetingut, duke ngritur dy komisione. A mendoni se do ketë sukses në këtë proces?

Unë mendoj se do ketë sukses. Nuk shoh asnjë arsye që të jetë i pasuksesshëm. Qeveria ka përgjegjësinë për mbarëvajtjen e çdo gjëje, jo sepse është qeveri e vetme, por sepse ka shumicën në Parlament dhe Parlamenti i bën ligjet. Nuk besoj se opozita e ardhshme do ta pengojë procesin e vetingut. Sepse do dilte hapur kundër të gjitha atyre gjërave që janë thënë sot. Përgjegjësinë për drogën e ka marrë kryeministri. Duket se këtë radhë ka filluar që në mbjellje lufta kundër drogës. Unë besoj se partitë e opozitës do kontribuojnë, nuk do bëhen pengesë në procesin e vetingut. Gjyqësori është një nga kolonat e këtij sistemi, dhe ai funksionin keq. Njerëzit nuk kanë besim se do u zgjidhen problemet, sepse gjyqësori u vret shpresën me vendime të gabuara.

-Nëse shohim Ballkanin, në Kroaci, Rumani, Bullgari, Serbi dhe së fundmi në Maqedoni kanë nisur arrestimet dhe procedimet e zyrtarëve të niveleve të larta. A mendoni se edhe në Shqipëri do ndodhë e njëjta gjë?

Sigurisht, kështu mendoj. Në Shqipëri nuk duhet të ekzistojë më paprekshmëria e disa figurave, nuk duhet të ekzistojë më siguria që të jep pozicioni politik; pozicioni politik është një pozicion që shkon e vjen, është i përkohshëm. Vetingu si subjekt do ketë gjyqtarë dhe prokurorë sepse për ta është nisur, dhe unë besoj se ata do punojnë në përputhje me ligjin. Ne nuk mund të mbetemi jashtë, edhe pse jemi të vonuar në krahasim me shtetet e tjera që janë anëtarë të BE. Ne pretendojmë të jemi pjesë e BE por, që të bëhemi pjesë, kusht kryesor është jo vetëm miratimi i reformës, por edhe zbatimi i saj. Ata kërkojnë rezultate konkrete. Unë besoj se kjo qeveri por edhe të tjera që do të vijnë, do ta kenë thelbësore zbatimin e reformës në drejtësi, pasi është kusht për hyrjen në BE.

-Vetingu duhet të kishte nisur që para një viti. Mendoni se gjatë kësaj periudhe i është dhënë kohë gjyqtarëve dhe prokurorëve të gjejnë mënyra për të justifikuar pasuritë e tyre, për t’i shpëtuar vetingut?

Unë nuk e quaj këtë problem. Problem do të quaja mbylljen e rrugës për të bërë pasuri nëpërmjet pozicionit të gjyqtarit. Natyrisht që kjo të funksionojë duhet të dënohen ata që janë aktualisht, të cilët nuk e justifikojnë dot pasurinë e tyre. E rëndësishme është që kjo të pengojë që ky proces të vazhdojë. Ndonjë edhe mund të shpëtojë. Varet nga profesionalizmi i tyre në hajdutëri, por nuk e quaj që është ky problemi. Unë uroj që ato shembuj që do jepen në procesin e vetingut, të shërbejnë për të ardhmen, që askush nga gjykatësit dhe prokurorët të mos guxojë të vërë pasuri nëpërmjet dhënies së drejtësisë.

35