Thirrjet ekstremiste të qytetarëve grekë teksa merrnin pjesë në ceremoninë e varrimit të minoritarit, Kostandinos Kacifas janë dënuar me forcë nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë.

Përmes një deklarate të shpërndarë në rrjete sociale, UGSH-ja thirrjet e grekëve ndaj gazetarëve i quan kërcënime të pastra për shkak të detyrës.

“Agresiviteti dhe thirrjet ekstremiste te qytetarëve grekë dhe disa minoritarëve në Bularat ndaj gazetarëve, janë shkelje e lirisë dhe kërcënim për shkak të detyrës”, thuhet mes tjerash në reagim.

Postimi i plotë:

“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë denoncon thirrjet ekstremiste, fyerjet dhe dhunën verbale si dhe pengimin e gazetarëve të mediave në ceremoninë mortore që u organizua sot në fshatin Bularat të bashkisë së Dropullit, për qytetarin K.Kacifas, i cili u vra në përballje me forcat speciale të policisë. Agresiviteti i qytetarëve të ardhur nga Greqia si dhe disa personave ekstremistë me origjinë greke ndaj reporterëve të mediave shqiptare, gjatë ceremonisë së sotme, është një rast pa precedent.

UGSH denoncon këto sjellje, pengimin e gazetarëve në detyrë ai dhe gjithë veprimet provokative të ekstremistëve nacionalistë grekë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë u bën apel gjithë kolegëve që u përballën me këta individë në krye të detyrës dhe që kanë fiksuar momente të këtyre sjelljeve agresive, t’i publikojnë ato dhe organizata jonë u drejtohet institucioneve ligjore për vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë agresorëve dhe penguesve të reporterëve.

UGSH apelon pranë organizatave të gazetarëve në shtetin fqinj, në Greqi, për reagime solidare. Organizata jonë u drejtohet organizatave ndërkombëtare të gazetarëve dhe të mbrojtjes së lirive themelore, të denoncojnë këtë agresion të pashëmbëllt të ekstremistëve nacionalistë të ardhur nga një vend, në një shtet tjetër. Kërkojmë nga institucionet vendore të Dropullit, subjektet politike dhe përfaqësuesit e minoritetit grek në Shqipëri tê distancohen nga sjellje dhe agresione të tilla nacionalistësh esktremistë mbi gazetarët shqiptarë. Veprime dhe agresione të tilla janë shkelje të rënda ligjore, ato jo vetëm provokojnë, por krijojnë klimë negative në bashkëjetesën greko-shqiptare”, thuhet në reagim.

Burimi: BalkanWeb

16