Prej më shumë se një viti, Ujësjellësi i Lushnjes nuk ka hedhur klor për ujin e pijshëm për popullatën, bizneset dhe institucionet e ndryshme të këtij qyteti.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka audituar këtë ndërmarrje për periudhën shtator 2015-dhjetor 2016, ku janë zbuluar një sërë shklejesh financiare me një vlerë rreth 300 mijë euro.

Por ajo që të bie në sy në raportin e KLSH është se furnizimi me ujë nuk është kryer në zbatim të standardeve shtetërore, pasi nuk janë kryer analizat e përbërjes fiziko-kimike të ujit të pijshëm dhe për periudhën e auditimit nuk është kryer klorinimi.

Sipas ligjeve në fuqi, ka disa kontrolle të brendshme rutinë me frekuencë të shpeshtë që janë nën përgjegjësinë e administratorit të vetë ujësjellësit. Uji monitorohet në disa pika të ndryshme të rrjetit që nga burimi, depozitat e grumbullimit, tubacionet e shpërndarjes, e deri tek daljet në çezma.

Rezultatet i vihen në dispozicion Institutit të Shëndetit Publik dhe ky i fundit nga ana tjetër është përgjegjës për monitorimin e jashtëm të furnizimit me ujë.

Për shkeljet e ndryshme, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurorinë e rrethit, Administratorin e Shoqërise Ujesjellës-Kanalizime Lushnje, për veprime apo mosveprime me pasoja për interesat e shtetit.

14