Pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit po kërkojnë mënyra për të dalë nga stanjacioni ekonomik që vazhdon prej vitesh. Përmirësimi i kapaciteteve prodhuese dhe rrjedhimisht rritja e punësimit renditen ndër objektivat kryesore të të gjitha vendeve të Ballkanit. Megjithatë, në rajon mungon konsensusi në mendim lidhur me atë se si do të arrihen këto objektiva.

Punimet e bëra në lidhje me infrastrukturën e transportit në vendet e Ballkanit përgjithësisht tregojnë se kjo infrastrukturë nuk është e zhvilluar mjaftueshëm. Jo vetëm infrastruktura fizike por edhe institucionet dhe politika që ndiqet në lidhje me sektorin e transportit cilësohet e dobët. Për këtë arsye ndjehet nevoja e investimit, mirëmbajtjes dhe restaurimit të të gjitha llojeve të transportit në rajon dhe veçanërisht të rrugëve hekurudhore që janë neglizhuar për dhjetëra vite. Që nga vitet 1990 e deri më sot, ndër vendet e Ballkanit, vetëm Greqia dhe Kroacia kanë mundur të bëjnë investime të konsiderueshme në infrastrukturën e transportit.

E parë nga aspekti i gjendjes së energjisë, gjëja e parë që bie në sy se rezervat e naftës dhe gazit natyror janë shumë të pakta dhe rajoni, një pjesë shumë të madhe të nevojës së energjisë e siguron nëpërmjet importit. Pothuajse të gjithë gazin natyror e importon nga Rusia.

Ballkani vetëm nga aspekti i prodhimit dhe konsumit të qymyrit, si rajon në përgjithësi, është i mjaftueshëm për veten. Në rajon vetëm Rumania është më e pasur me rezerva të naftës dhe gazit natyror. Rezervat e evidentuara të naftës në Rumani janë rreth 600 milion fuçi kurse rezervat e evidentuara të gazit natyror janë në nivelin e 105,5 metra kub gaz natyror.

Vendet e Ballkanit, në krahasim me mesataren e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, zotërojnë një nivel shumë të ulët të ardhurash për person. Sepse në vitin 2016-të, përveç Greqisë, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) ishte afërsisht 43% e mesatares së 28 vendeve anëtare të Unionit. Padyshim që po të krahasohet me shifrat e 15 vendeve të para në ekonomi ndër vendet e Bashkimit Evropian, mirëqenia e ulët në vendet e Ballkanit bëhet edhe më e theksuar. Produkti i Brendshëm Bruto i Greqisë, që në fillim të vitit 2009, me krizën e rëndë ekonomike ishte në buzë të falimentimit dhe nuk bie nga rendi i ditës pavarësisht disa ndërhyrjeve të bëra, i llogaritur për person sipas paritetit të fuqisë blerëse, tërheq vëmendjen pasi është afërsisht 67% e mesataret, që i përket 28 vendeve anëtare të BE-së. Pas Greqisë, nga aspekti i PBB më të lartë për person në vendet e Ballkanit, vjen Rumania dhe Kroacia. Këto vende ndiqen me radhë nga Bullgaria, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia. Ndër vendet e Ballkanit, të ardhur për person në Bosnjë-Hercegovinë janë sa 31% e mesatares së BE-së ndërsa në Shqipëri afërsisht 30%.

Së bashku me nivelin e ulët të mirëqenies, duhet të themi se edhe papunësia në vendet e Ballkanit është një problem tepër serioz. Për shembull: Në vitin 2016 papunësia e regjistruar në Kosovë ishte 27,5%, në Maqedoni 26,7%, në Bosnjë-Hercegovinë 25,8%, në Greqi 23,9%, në Malin e Zi 17,5%, në Serbi 16,5%, Shqipëri 16,3% kurse në Kroaci ishte 13,5%. Nga vendet e rajonit vetëm Bullgaria me 8% dhe Rumania me 6,4% kanë pasur një normë papunësie njëshifore.

Produkti i Brendshëm Bruto i llogaritur sipas paritetit të fuqisë blerëse i 10 vendeve të Ballkanit në total është 1 207,9 miliardë dollarë. Nga kjo 37% i përket Rumanisë, 24% Greqisë, 12% Bullgarisë, 8% Serbisë kurse 8% tjetër i përket Kroacisë. Ndërkaq 11% e pjesës që mbetet i përkasin Bosnjë-Hercegovinës, Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës dhe Malit të Zi.

E parë nga aspekti i shpërndarjes sektoriale të Produktit të Brendshëm Bruto në vendet e Ballkanit, kuptohet se pjesa që zë sektori i shërbimit, mbetet shumë prapa në krahasim me mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian.

Në vitin 2016, ndër vendet e Ballkanit , vetëm sektori i shërbimeve të Greqisë, që përkon me 80% të PBB-së, ka prodhuar më shumë vlerë të shtuar se sa mesatarja e sektorit të shërbimit të vendeve të Bashkimit Evropian. Kurse në vendet e tjera të Ballkanit përqindja e sektorit të shërbimeve në krahasim me PBB-në është në vlerën 53-69%. E krahasuar me mesataren e vendeve të Unionit, vihet re se duke filluar nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia, sektori i bujqësisë në Ballkan ka një rëndësi më të madhe.

Në vitin 2016, mesatarja e pjesës së Ballkanit në PBB-në e sektorit të industrisë ishte shumë afër të njëjtës mesatare në 28 vendet e Bashkimit Evropian. Duke marrë për bazë vitin 2010, kuptohet se drejt vitit 2016-të prodhimi i industrisë në shumë vende të rajonit ishte gjallëruar. Në periudhën e përcaktuar prodhimi industrial nuk ishte gjallëruar vetëm në Malin e Zi, Greqi dhe Kroaci./ trt

18