Koment – Tribunali i Hagës dhe trashëgimia që la prapa

Autor: Dr. Erhan TÜRBEDAR

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY), e cila e filloi veprimtarinë e saj në vitin 1993, do të mbyllet zyrtarisht në fund të këtij viti. Trashëgiminë e kësaj gjykate, juridiksionin dhe detyrimet e saj këtej e tutje do ti marrë përsipër “Mekanizmi i Gjykatave Ndërkombëtare Penale”, i themeluar në vitin 2010 me rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Shqyrtimi në apel i rasteve, për të cilat Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë ka marrë një vendim, tani e tutje do të bëhet në kuadër të mekanizmit në fjalë. Kurse rastet lidhur me individët e tjerë të akuzuar për krime lufte do të vazhdojnë të gjykohen në gjykatat vendore të themeluara në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë. Mirëpo, cili ishte kontributi i Tribunalit të Hagës (Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë) dhe si do të mbahet mend ai?

Një nga zhvillimet e rëndësishme që dëshmoi bota në fillim të viteve 1990 ishte shpërbërja e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe luftërat që ndodhën në Ballkan paralelisht me këtë zhvillim. Gjatë këtyre luftërave, sidomos gjatë Luftës së Bosnjës 1992-1995, u kryen krime nga më të tmerrshmet. Në vitin 1993, në kuadër të Kombeve të Bashkuara (OKB) u krijua Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë me qëllim për të hetuar krimet e luftës të kryera në rajon dhe për të ndjekur penalisht përgjegjësit e tyre. Deri në fund të vitit 2017, kjo gjykatë do të jetë e mbyllur zyrtarisht

Që nga themelimi i saj e deri tani në Tribunalin e Hagës janë bërë kallëzime penale kundër 161 personave të akuzuar për krime lufte. Në mesin e atyre që janë gjykuar këtu ka pasur presidentë, kryeministra, shefa shtabi, ministra të brendshëm dhe shumë drejtues të tjerë politikë, ushtarakë dhe policorë. Përafërsisht 70% e të gjykuarve kanë qenë serbë.

Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë dha kontribute të rëndësishme si në aspektin e të drejtës ndërkombëtare penale, ashtu edhe në aspektin e të drejtës ndërkombëtare humanitare. Në të vërtetë, disa vendime të kësaj gjykate përbëjnë pikë-kthesa ligjore shumë të rëndësishme. Sot, shumica e krimeve kundër njerëzimit janë përkufizuar plotësisht përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë. Për shembull, korniza e krimeve të persekutimit dhe torturës u zgjerua dhe u konsideruan si torturë edhe përdhunimi dhe aktet e tjera të dhunës seksuale. Nga ana tjetër, shumë nga ish-drejtuesit e nivelit të lartë që u gjykuan në këtë tribunal u dënuan për kryerjen e veprave penale përmes një aleance kriminale. Shumica e udhëheqësve të gjykuar në kuadër të konceptit të ‘aleancës me krimin’, nuk i kishin kryer personalisht krimet. Më shumë, këta kanë qenë persona që i kanë përdorur të tjerët si masha për të kryer krimet e planifikuara.

Nuk ka dyshim se trashëgimia e Gjykatës në këtë drejtim do të vazhdojë t’u shërbejë gjykatave ndërkombëtare në të ardhmen dhe të ndikojë në nocionin e drejtësisë penale në mbarë botën. Megjithatë, duhet theksuar se ka elemente që e penguan Tribunalin e Hagës të arrinte një sukses të plotë. Para së gjithash, vendet ballkanike që ishin nën juridiksionin e kësaj gjykate u angazhuan me mbulimin e krimeve të kryera, duke e arsyetuar këtë si çështje të sigurisë kombëtare. Për shembull, Serbia bëri shumë përpjekje për të zhdukur dokumentet, faktet dhe provat që mund të zbardhnin ose hidhnin dritë mbi pjesëmarrjen aktive të saj në Luftën e Bosnjës. Dhe ana e keqe e çështjes është se Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë e pranoi që Serbia mund të paraqiste edhe dokumente të cunguara apo të censuruara pjesërisht. Për më tepër, një praktikë të tillë nuk e kundërshtuan as Këshilli i Sigurimit dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, të cilët e kanë pasur për detyrë mbikëqyrjen e punës së Gjykatës. OKB-ja nuk i ofroi për përdorim Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë as arkivin e saj në kuptimin e plotë të fjalës.

Nëse anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të kishin bërë një bashkëpunim të plotë me Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, informacionet e mbledhura nga shërbimet e inteligjencës së këtyre vendeve mund të kishin siguruar që kompleksiteti i krimeve të kryera të kuptohej më mirë. Megjithatë, ashtu si u pa edhe në vitet e Luftës së Bosnjës, Këshilli i Sigurimit të OKB-së rrallë arriti të qëndrojë larg ndikimeve politike. Dhe në një situatë të tillë, gjenocidi i Srebrenicës u vërtetua si në Tribunalin e Hagës, ashtu edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, vetëm se me përjashtim të disa emrave nuk u gjetën kriminelët që meritonin ndëshkimin.

Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë u mjaftua vetëm me gjykimin e atyre që i pa si më përgjegjës. Ndërkohë që qindra kriminelë, që kanë kryer krime të ndryshme në Ballkan, vazhdojnë të lëvizin lirshëm. Për shembull, vlerësohet se vetëm në gjenocidin e Srebrenicës kanë marrë pjesë në mënyrë direkte apo indirekte 25.000 vetë. Një pjesë e këtyre mund të nxirren para drejtësisë edhe në të ardhmen. Vetëm se me mbylljen e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, të akuzuarin për krime lufte në hapësirën e ish-Jugosllavisë do të gjykohen në gjykatat vendore që janë themeluar në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë. Për shembull, vetëm në gjykatën e krimeve të luftës që është themeluar në Bosnjë-Hercegovinë janë akuzuar për krime lufte rreth 10.000 njerëz. Megjithatë, këtu mund të diskutohet edhe kjo, se sa do të shkojë drejtësia në vend me proceset që do të zhvillohen në këto gjykata të brendshme.

Për fat të keq, institucionet politike dhe gjyqësore të vendeve të Ballkanit vazhduan ta shihnin si një detyrë me interes kombëtar mbulimin e gabimeve të qeverisjeve të kaluara. Për shembull, ekzistojnë një numër dokumentesh dhe dëshmish që tregojnë se organizata paraushtarake serbe e quajtur “Akrepat”, e cila ka marrë pjesë në gjenocidin e Srebrenicës, ka pasur lidhje me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë. Megjithatë, Kolegji i Krimeve të Luftës, i ngritur në kuadër të gjykatës vendore në Beograd, për të pandehurin, pra organizatën “Akrepat”, vendosi që kjo ka qenë një organizatë paramilitare që nuk ka pasur ndonjë lidhje institucionale me organet shtetërore të Serbisë. Një shembull i ri, ishte reagimi i pashpjegueshëm në Kroaci ndaj dënimeve të mëdha të konfirmuara nga gjykata më 29 nëntor 2017 për gjashtë gjeneralët kroatë, të akuzuar për krime ndaj boshnjakëve në vitet 1993-1994. Reagimet në fjalë kanë tronditur marrëdhëniet e Kroacisë me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.

Një tjetër desavantazh lidhur me proceset në gjykatat e brendshme ka të bëjë me sigurinë e dëshmitarëve. Përafërsisht identiteti i 40 për qind i atyre dëshmitarëve që kanë bashkëpunuar me Tribunalin Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë është mbajtur sekret për shkak të sigurisë. Por megjithatë, dëshmitarët u përballën sërish me kërcënime. Si rrjedhojë e kësaj, nuk do të ishte gabim nëse thuhet se ata që do të dëshmojnë në gjykatat lokale do të përballen me presione dhe kërcënime shumë më të mëdha.

Për fat të keq, realitetet e ndryshme të palëve të ndryshme vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot në lidhje me luftërat që kanë ndodhur në vitet 1990 në Ballkan. Para se në seancat e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavisë të zbuloheshin faktet mbi këto luftëra në Ballkan, drejtuesit e vendeve të rajonit prodhuan fakte sipas interesave të tyre dhe ua paraqitën këto fakte popujve të tyre si të ishin të vërteta të padiskutueshme. Kjo është arsyeja që rastet që u trajtuan nga Tribunali i Hagës shpeshherë u perceptuan si raste politike. Në një situatë të tillë kriminelët e luftës, që vranë madje edhe fëmijë dhe gra, vazhduan të shiheshin si heronj nga bashkëkombësit e tyre. Ekzistenca e një mentaliteti të tillë do të vazhdojë të përbëjë kërcënimin më të madh për paqen dhe sigurinë e Ballkanit në të ardhmen./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne