Fillon në kryeqytetin e Rusisë, Moskë, takimi i ministrit të Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu dhe të Mbrojtjes, Hulusi Akar, me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov dhe atë të Mbrojtjes, Sergey Shoygu, ku do të trajtohen zhvillimet në Siri.
 
Siç raporton Anadolu Agency Çavuşoğlu, Akar, shefi i inteligjencës turke MIT, Hakan Fidan, dhe zëdhënësi presidencial Ibrahim Kalın, u takuan me homologët e tyre rusë në Moskë.
 
Çavuşoğlu, në deklaratën e tij para mbledhjes tha se, mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit është duke u zhvilluar një bashkëpunim i afërt në lidhje me Sirinë në formatin e Astana-s.
 
“Në këtë mënyrë, ne kemi bërë përparim të rëndësishëm në shumë fusha duke përfshirë procesin politik”, u shpreh ai.
 
Ai tërhoqi vëmendjen se në Rusi kanë shkuar për t’i vlerësuar zhvillimet e fundit.
 
“Pas kësaj do të vlerësojmë me partnerët tanë rusë se çfarë mund të bëjmë në Siri. Veçanërisht presidenti ynë Recep Tayyip Erdoğan na dërgoi ne sepse i jep shumë rëndësi marrëdhënieve tona me Rusinë në çështjet rajonale”, tha Çavuşoğlu.
 
Ndërsa ministri rus i Mbrojtjes, Shoygu, tha se, “përveç Idlib-it do të vlerësojmë edhe zbatimin e marrëveshjes të arritur në Stamboll”.
 
“Ndërkohë do të trajtojmë edhe tërheqjen e SHBA-ve nga Siria dhe zhvillimet e fundit në lindje të Eufratit”, ka thënë ai.
 
Në takim nga pala ruse përveç Lavrov dhe Shoygu marrin pjesë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë, Valery Gerasimov si dhe përfaqësuesi special i presidentit rus, Vladimir Putin, për Sirinë, Alexander Lavrentyev. Në takim planifikohet të zhvillohet konsultim për operacionet ushtarake të Turqisë kundër organizatave terroriste në Siri.
13