Në Shkup dhe Tiranë shënohet Dita Botërore e Hixhabit

Me rastin e 1 shkurtit, Ditës Botërore të Hixhabit, në Maqedoni dhe Shqipëri sonte janë organizuar aktivitete të ndryshme për të shënuar këtë ditë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në panel diskutimin që u mbajt në Shkup me titull “Është zgjedhja e tyre”, organizuar nga ana e Unionit Studentor Shqiptar morën pjesë përfaqësues të organizatave joqeveritare, studentë dhe një numër i madh i mysafirëve.

Në fjalimet e tyre, panelistët folën për Ditën Botërore të Hixhabit, e cila u inicua në vitin 2013 për të inkurajuar gratë e të gjitha feve dhe prejardhjeve që të mbajnë hixhabin sot në mbështetje të grave muslimane.

Nermine Hamidi, nënkryetare e Unionit Studentor Shqiptar në deklaratën për AA tha se tema e këtij aktiviteti mban titullin “Është zgjedhja e tyre” dhe se një femër me mbulesë mund të ketë një karrierë profesionale edhe të veprojë në jetën e saj profesionale, pa u penguar nga rrethanat tjera.

Duke porositur që femra mos të paragjykohet sipas dukjes, Hamidi tha se: “Mesazhi i këtij eventi është se femra ka vlera, ka aftësi dhe ka shkathtësi dhe ajo në asnjë mënyrë nuk duhet të paragjykohet nga dukja e saj. Që nënkupton se mbulesa nuk e ndalon për t’i shfaqur aftësitë dhe shkathtësitë e veta, përkundrazi ajo duhet të veprojë e lirë dhe të japë kontributin e saj aty ku është më e mirë”.

Kryetarja e organizatës joqeveritare Legis, Mersiha Smailoviç, tha se Dita Botërore e Hixhabit shënon ditën kur gratë e tjera duhet të jenë solidare me gruan muslimane.

Ajo theksoi se në këtë ditë, në nivel botëror, jo-muslimanet mbajnë një shall, që të shohin se si është të jenë muslimane dhe të përballen me të gjitha paragjykimet, diskriminimin që ajo vuan.

“Mesazhi i vetë panelit është interesant, ‘kjo është zgjedhja ime’, zgjedhja ime për të mbajtur shami dhe zgjedhja ime për të mos mbajtur Kështu që mesazhi im do të ishte që secili të jetojë jetën ashtu siç dëshiron të jetojë dhe të ketë vetë mundësi për të zgjedhur se çfarë jete dëshiron të jetojë”, tha Smailoviç, kryetare e OJQ Legis.

Meral Musli Tajroska, ambasadore e OJQ-së “Women Without Borders” në Maqedoni, theksoi se me krenari e mbajnë shaminë pavarësisht nga të gjitha sfidat me të cilat ballafaqohen gratë muslimane me shami.

“Ka shumë porosi, por para së gjithash dëshiroj t’u tregoj grave që mbajnë shami që të mos dyshojnë në vete, gjithmonë të kenë vetëbesim, se ky është vetëm simboli ynë që mbajmë me krenari dhe se gjithçka mund të arrihet gjithçka që dëshirohet”, tha ajo.

Aktiviteti i organizuar në Tiranë ka mbledhur përfaqësues të institucioneve, të organizatave të shoqërisë civile, aktivistë dhe dhjetëra gra me shami, për promovimin e të drejtës themelore të arsimit dhe të drejtën e njeriut për të shprehur besimin dhe fenë edhe përmes shamisë.

Në fjalën e saj Ardiana Hala, përfaqësuese e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi të Shqipërisë tha se ligji për mbrojtjen nga diskriminimi mbron çdo individ nga sjelljet diskriminuese, duke përfshirë edhe çështjet fetare.

Duke folur kundër gjuhës së urrejtjes, Hala theksoi se duhet të punohet shumë së bashku për të shmangur gjuhën e urrejtjes.

“Gjuha e urrejtjes mund të sjellë pasoja të rënda për komunitetin. Edhe në kodin penal janë bërë ndryshime, ku gjuha e urrejtjes konsiderohet vepër penale”, tha ajo.

Duke folur për rolin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Hala tha se ky institucion mbron interesat e çdo individi.

“Do doja që nëpërmjet shoqatave në qytete të ndryshme të punës dhe shkollës të jemi bashkë në luftimin e koncepteve të gabuara. Duhet të punojmë bashkërisht, sepse diskriminim ka në shumë fusha dhe ne si institucion e vlerësojmë kurajën e individit që vjen dhe shpreh shqetësimin pranë institucionit tonë”, përfundoi Hala.

Elona Sytari, koordinatore e Medresesë Haxhi Sheh Shamia në Shkodër mbajti një kumtesë me temë “Regjimi komunist dhe tranzicioni si stacione për të kuptuar edukimin fetar sot”.

Sipas saj, Shqipëria e rraskapitur nga periudha gjysmëshekullore komuniste u gjend përballë sfidave të periudhës së tranzicionit, të cilat akoma edhe sot shtrijnë ndikimin në fushën e edukimit fetar.

“Është e kotë të humbim kohë dhe energji duke ofruar opinione pro apo kundër edukimit fetar në shkollat publike. Le të marrim shembull nga shumë vende evropiane të cilat me kohë e kanë kapërcyer këtë debat, duke dëshmuar se njohja është gjithmonë një hap përpara. Ta njohësh fenë dhe ta duash Zotin do të thotë të jesh i paqtë me këdo. A nuk është kjo ajo për të cilën sot më shumë se kurrë kemi nevojë: Paqja”, tha Sytari.

Konferenca e organizuar nën kujdesin e disa organizatave të shoqërisë civile kishte si synim krijimin e një axhende në dobi të luftës kundër islamofobise si dhe në kapërcimin e sfidave në shoqëri për më shumë ndërgjegjësim dhe më shumë bashkëpunim, në konsolidimin e vlerave dhe më shumë paqe, për të nxjerrë në pah modelin civilizues të grave muslimane./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne