Gjatë 40 viteve të fundit, shkencëtarët kanë zbuluar një fakt të papritur për universin: kundër parashikimeve, vlerat fizike në univers treguan se janë fiks në nivelet që nevojiten për të mundësuar jetën. Çfarë do të thotë kjo?

Do të thotë që sikur forca e rëndesës të kishte qenë pak fare më e dobët se ç’është tani, yjet nuk do të kishin shpërthyer dot në supernova, të cilat janë burimi i elementeve që krijojnë kushtet natyrore për të pasur jetë.

Dhe po kështu, në të anasjelltë, sikur forca e rëndesës të kishte qenë pak fare më e fortë, yjet do të kishin jetuar vetëm për disa mijëra vite, jo me miliarda, duke mos lënë kohë për evolucione biologjike, e si rrjedhojë s’do të kishte pasur jetë.

Ky është vetëm një shembull, por ka dhe shumë të tjerë, që tregojnë se ligjet e fizikës janë koordinuar fiks në nivelet që duhen për të lejuar ekzistencën e jetës, (pra si me dorën e dikujt), me një detajim shumë specifik për të qenë natyror. Disa filozofë mendojnë se fakti që ky koordinim është detajuar me aq shumë imtësi, vërteton ekzistencën e një Zoti.

Megjithatë, Stephen Hawkings, në librin e vitit 2010, të titulluar “Kompozimi i Madh”, (i shkruar në bashkëpunim me Leonard Mlodinow), mbrojti shpjegimin që koordinimi i detajuar i elementeve fizike është natyral, duke dhënë kështu hipotezën e multiversit, praninë e më shumë se një universi.

Sipas hipotezës së multiversit, gjithësia ku jetojmë përbëhet nga një grup i madh universesh, numër ndoshta i pafund. Nëse krijohen kaq shumë universe, atëherë gjasat janë që të paktën njëri të jetë rastësisht në vlerat e duhura fizike për të mundësuar jetë.

Një version më i vjetër i teorisë së Hawkings për hipotezën e multiversit thotë se ligjet e fizikës variojnë nga universi në univers. Diku forca e rëndesës është më e madhe, diku më e vogël, etj. Megjithatë, fizikantët kanë nisur të gjejnë boshllëqe në teorinë e një multiversi kaq të larmishëm. Sidomos nëse numri i universeve është i pafund.

Analizimi i hipotezës së multiversit bëhet duke pyetur se sa e mundshme bëhet ekzistenca e universit tonë sipas kësaj hipoteze. Por nëse numri i universeve është i pafund, pyetja bëhet e pakuptimtë. Për këtë arsye, në shkrimin e fundit “Dalje e Butë nga Inflacioni i Përjetshëm?”, Hawkings dhe bashkautori tjetër, Thomas Hertog, thonë se ndryshimet midis universeve në multivers janë shumë të vogla.

Por problemi qëndron se sa më të vogla të jenë ndryshimet midis universeve, aq më pak shërben hipoteza e multiversit për të shpjeguar “koordinimin e detajuar”.  Nëse ligjet fizike përmes universeve ndryshojnë larmishëm, nuk është habi që një prej tyre të qëllojë fiks në kushtet për të mbajtur jetë.

Por nëse të gjitha universet kanë pak a shumë të njëjtat ligje fizike, siç propozon Hawkings dhe Hertog, rikthehet problemi i parë: tani na duhet një shpjegim se pse vlerat fizike në të gjitha universet janë koordinuar me aq imtësi, si me dorë?

Hertog nuk është dakord. Ai argumenton se shkrimi përparon me shpjegimin e koordinimit të detajuar: “Ky shkrim e çon një hap para shpjegimin për koordinimin misterioz. E tregon multiversin si një set universesh që duken pak a shumë njësoj”, thotë ai.

Por kjo nuk e shpjegon pothuajse fare çështjen e koordinimit të detajuar, sepse tregon që ligjet e gjithë universeve janë koordinuar në mënyrë të detajuar. Tani kemi jo vetëm universin tonë për të shpjeguar, por edhe gjithë universet e tjera. Ky hap nuk të çon para, por prapa.

Megjithatë, nuk kanë humbur të gjitha shpresat. Hawkings po eksploronte modelet e një multiversi të bazuar në kozmologjinë inflacioniste, dhe shkrimi i tij hedh hije dyshimi mbi aftësinë e këtij multiversi për të shpjeguar koordinimin e detajuar.

Por për të mbështetur teorinë e multiversit ekziston edhe një tjetër burim: interpretimi me “shumë botë” i mekanikës kuantike. Ndërkohë që fizikantët kanë eksploruar shpjegimet  inflacioniste të “koordinimit të detajuar”, filozofët e fizikës kanë eksploruar shpjegimet nëpërmjet mekanikës kuantike.

Në rast se në zanafillën e krijimit të universit tonë ligjet fizike janë formuar nga procesi i duhur probabilistik, teoria e “shumë botëve” tregon që ligjet fizike variojnë aq shumë nga njëra botë në tjetrën, sa në njërën prej tyre ligjet mund të jenë koordinuar fiks për të mbajtur jetë. Megjithatë, s’kemi asnjë provë që ligjet tona ishin formuar nga një proces i tillë. Por nëse alternativa tjetër është që të marrim si të mirëqenë ekzistencën e një qenieje të mbinatyrshme, atëherë ky mbetet propozimi më i pranueshëm shkencor deri më sot.

Ka ende shpresa për ta shpjeguar në mënyrë shkencore “koordinimin e detajuar” të ligjeve të fizikës. Por duke përjashtuar një nga dy mundësitë e besueshme shkencore, Hawkings dhe Hertog kanë përforcuar shpjegimin alternativ, atë të Zotit. Është ironike, sepse duke qenë ateist, në kontributin e fundit që i ka dhuruar shkencës, Hawkings duhej ta kishte bërë ekzistencën e Zotit që të dukej edhe më e pamundur.

 Philip Goff, the Guardian

91