Nga Edison Balla

 

Kur nis të shkruaj për Islamin, për këtë sistem të pastër hyjnor, për këtë sistem vlerash, parimesh e dispozitash, e kam të pamundur të gjej fjalët e duhura për ta përshkruar. Madje-madje, edhe tani që shkruaj kam shumë për të thënë. Aq shumë sa unë nuk do mundja ti shkruaja e po aq edhe ju t’i lexonit.

Sa më shumë që kalojnë kohët, sa më shumë “injektohet” materializmi tek njerëzit e posaçërisht tek të rinjtë, aq më shumë lind nevoja që ti edukojmë këta të fundit me kulturë fetare. Fundja bota e tillë është, një vend tundimesh, përfitimesh materiale afatshkurtra, argëtimi e epshesh që shumë njerëz nuk i’a dalin dot ti kontrollojnë dhe bien pre e së keqes. Pikërisht për këtë arsye, por edhe shumë të tjera, sërish duke mos e parë dynjanë si të keqen e madhe, por si një sprovë paraprake drejt destinacionit tonë përfundimtar, unë e shoh sot Islamin si mundësinë dhe zgjidhjen, padiskutim më optimale për të rinjtë e të rejat tona.

Këta të rinj e të reja, kanë sot më shumë nevojë se kurrë që të besojnë. Të besojnë në fuqinë e Krijuesit, në njëshmërinë dhe unifikimin e tij. Të rinjtë tanë sot kanë nevojë të kuptojnë që bota nuk është destinacioni ynë përfundimtar, dhe ne nuk jemi vegël e as instrument në duart e dikujt a të disave. Duke kuptuar limitin e kësaj bote në kohë e në hapësirë, vetëm atëherë ne si të rinj do të kuptojmë se përse po jetojme, përse po studiojme, përse po punojmë, dhe ku duam të shkojmë.

Siç e “ceka” dhe më sipër, unë nuk e shoh botën si të keqen  e madhe, por si një sprovë shumë të vështirë ku nëse ne nuk do dimë ta kalojmë me sukses, nuk do të kuptojmë asnjëherë arsyen përse lindëm e përse jetuam. Nuk pyetemi kur lindim, e padyshim nuk do pyetemi as ditën që do largohemi nga kjo botë. Ja, është kaq e thjeshtë për të kuptuar edhe faktin që ne nuk jemi “padronë” të kësaj bote e as të përhershëm në këtë dynja. Pas kaq shumë vitesh punë, studim, jetë dhe argetim, a e pyesim ndonjëherë veten, përse jetuam dhe kush ishte rezultati i këtyre viteve?

Pa dashur që të evitoj temën, dua të them me bindje që sot të rinjtë kanë nevojë më shumë se kurrë që të besojnë. Të besojnë fort tek e pafundmja dhe jo e përkohshmja, të besojnë tek vlerat e vërteta dhe jo ato të sajuara, të besojnë tek e drejta dhe jo tek e shtrembëruara. Të rinjtë kanë nevojë për besim, po aq sa kanë nevojë edhe për ushqim. Kanë nevojë të besojnë fort tek Krijuesi dhe jo tek krijesat.

Vetëm duke u “ushqyer” me këtë besim të vazhdueshëm, ne si të rinj do jemi në gjendje që të kuptojmë derivatisht edhe qëllimin e të qenit i suksesshëm në këtë botë. Nëse nuk do dimë të jemi mirënjohës ndaj të Madhit Zot, për punët e arrira, rezultatet e mira, dhe sukseset e kësaj bote, atëherë  çfarë kuptimi do të kishin këto fitore?

Duhet të mos harrojmë që jemi një vend me një traditë, fatkeqësisht të gjatë ateizmi gati gjysëm shekullore. I vetmi shtet “de juro” ateist në botë. Prandaj, sot më shumë se kurrë njerëzit kanë nevojë të mësojnë më shumë për Islamin, dhe të ushqehen më shumë me besim. Këtë duhet ta bëjmë të gjithë ne që kemi një iman (besim) solid e të palëkundshëm në Zot, por para së gjithash këtë mision duhet ta luajnë në mënyrën më konstruktive dhe të qartë prijësit e xhamive tona. Imamët nëpër xhamitë tona, nuk duhet të merren me “punët e botës”, por t’i mëshojnë sa më shumë “shtyllës” së besimit në Zot, si e para dhe e vetmja rrugë që të bën besimtar si fillim, dhe pastaj njeri të devotshëm dhe me vlera.

Ky nuk është vetëm misioni, por edhe profesioni dhe puna e përditshme e Imamëve. Tek e fundit, a ka mision më të mirë, më hyjnor e më solid, se mësimi dhe përçimi i fjalës së Zotit tek njerëzit. Cdo gërmë dhe parim i Islamit, është padyshim sa i rëndësishëm dhe i domsdoshëm për të rinjtë tanë, por gjithçka duhet dhe nis me besim të fortë tek Krijuesi. Nëpër xhamit tona, të rinjtë kanë nevojë të dëgjojnë gjëra themelore, sepse aty mblidhen çdo ditë të rinj që janë fillestarë në fe, ndaj dhe duhet tu “nguliten”në mendje disa parime shumë themelore.

Më shumë sesa si të vishen, këta të rinj kanë nevojë të mësohen si të sillen. Mësojuni të rinjve besimin e vërtetë në Zot, sepse vetëm kështu ata do të ushqehen me “frikën pozitive” e të mos bërit gjëra të gabuara, në pamundësi për t’ju fshehur Zotit të tyre.

Mësojuni të rinjve Islamin e vërtetë dhe jo atë që padrejtësisht përcillet nga qarqe të ndryshme që duan ti prishin imazhin kësaj feje. Mësojini ata me praktikën e mrekullueshme të Profetit Muhamed. “Injektoni” në zemrat e tyre besim dhe vetëm besim në të Madhin Zot.

35