Parlamenti i Turqisë refuzon unanimisht planin Amerikan për Jerusalemin

Grupet parlamentare të forcave politike në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë (TBMM) përgatitën të mërkurën në seancë plenare një komunikatë të përbashkët kundër planit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Partia Republikane Popullore (CHP), Partia Demokratike e Popujve (HDP) dhe Partia Lëvizja Nacionaliste (MHP) theksuan unanimisht në komunikatën e tyre të përbashkët se nuk do mund të ndryshohet statusi i Jerusalemit dhe as të shkelen rezolutat e Kombeve të Bashkuara.

Komunikata nënvizon se Jerusalemi është zemra e Lindjes së Mesme, që kërkon liri dhe paqe mbi bazat e drejtësisë brenda kuadrit të tri feve hyjnore.

“Jerusalemi është kibleja jonë e parë; është një qytet që e ka fituar identitetin e tij historik, kulturor dhe fetar me Haram al-Sharif dhe vendet e shenjta të tri feve hyjnore, cilësi këto që e bëjnë atë bebja e syrit të mirëqenies botërore. Dalja për zot dhe mbrojtja e këtij statusi të posaçëm të Jerusalemit është me rëndësi jetike nga aspekti i realizimit të një bote të paqme me tërë larminë dhe qenësinë e saj të shumëngjyrshme. Pas Luftës II Botërore, një sërë dramash njerëzore, morale dhe politike janë përjetuar në hapësirën gjeografike të Lindjes së Mesme, me qendër në Jerusalem”, thuhet mes rreshtave të komunikatës së përbashkët të forcave politike turke me grup parlamentar në TBMM.

Problemi palestinez – thekson komunikata – është në realitet një problem i njerëzimit dhe, krahas të gjitha përpjekjeve aktuale për paqe, ai ruhet ende në agjendën e njerëzimit për shkak të politikave agresive që i dëmtojnë ato.

Në komunikatë rikujtohet gjithashtu se sundimi izraelit i Jerusalemit refuzohet në të gjitha rezolutat e OKB-së që nga viti 1947 e këtej; ndërsa pas pushtimit të Jerusalemit Lindor nga Izraeli më 1967-n, Kombet e Bashkuara kanë vazhduar t’i bëjnë Izraelit thirrje të përsëritura për t’iu shmangur nismave, të cilat do të ndryshonin statusin e Jerusalemit.

“Kështu, Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka dënuar në të njëjtën mënyrë vendimin aneksues të Izraelit më 1980-n duke regjistruar pavlefshmërinë e të gjitha vendimeve të qeverisë izraelite. Në këtë rezolutë është theksuar veçanërisht se misionet diplomatike në Izrael nuk mund të vendosen në Jerusalem. Është tërësisht e papranueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deri më sot të distancuara ndaj nismave për të bërë Jerusalemin kryeqytet, një përmbledhje e politikave izraelite të këtij lloji, t’i futen këtë herë një rruge që nënkupton mbështetje. Qëndrimi i sotëm i SHBA-së, që vepron prej vitesh të tëra mbi bazat e zgjidhjes së problemit palestinez dhe vendosjes së paqes e stabilitetit në rajon, madje duke i prezantuar opinionit publik botëror misionin e saj në këtë mënyrë, do të provokojë një sërë zhvillimesh duke shkaktuar konflikte dhe drama humanitare të reja në rajon. Përpjekjet paqësore aktuale për të zgjidhur problemin palestinez do të pësojnë me siguri një goditje të rëndë përballë kësaj nisme dhe një seri destabilitetesh do të përjetohen në Lindjen e Mesme. S’duhet harruar që njerëzimi do ta ketë të pamundur të arrijë qetësinë dhe mirëqenien pa një paqe të drejtë, të qëndrueshme, të ekuilibruar dhe që respekton të drejtat historike, shpirtërore dhe morale ndërmjet Izraelit dhe Palestinës. Si përgjigje ndaj këtyre zhvillimeve të papranueshme, ne, si TBMM, deklarojmë dhe shpallim për opinionin publik botëror se çdo individ i 80 milionë qytetarëve përbërës të Republikës së Turqisë do të refuzojë nismat aventureske për të ndryshuar statusin historik të Jerusalemit në kundërshtim me rezolutat e OKB -së”, potencohet në komunikatën e përbashkët të forcave politike turke të përfaqësuara në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë.


NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne