SHBA po përpiqet të parandalojë Turqinë nga blerja e sistemeve raketore ruse duke pezulluar dërgimin e avionëve F-35 për Ankaranë. Duke folur për Sputnik, ekspertët dhe analistët e kësaj fushe kanë ndarë pikëpamjet e tyre mbi përplasjen SHBA-Turqi për avionët F-35 dhe të ardhmen e anëtarësimit të Ankarasë në NATO.

Më 1 prill, Uashingtoni i bllokoi Turqisë dorëzimin e pjesëve të avionëve F-35 derisa aleati i saj i NATO-s të hiqte dorë nga marrëveshja prej 2.5 miliardë dollarësh e sistetmit raketor S-400, e cila ka përfunduar mes Moskës dhe Ankarasë në vitin 2017.

“Derisa të heqin dorë nga marrja e sistemit S-400, Shtetet e Bashkuara do ti mbajnë të pezulluara dërgesat e avioneve F-35 dhe aktivitetet që lidhen me ngritjen e aftësive operacionale të Turqisë lidhur në këtë drejtim. Nëse Turqia merr sistemin S-400, pjesëmarrja e saj e vazhdueshme në programin F-35 do vihet në rrezik”, deklaroi të hënën zëdhënësi i Pentagonit Charles E. Summers Jr.

Pothuajse në të njëjtën kohë, u raportua se Korporata Lockheed Martin kishte marrë një kontratë nga Pentagoni prej 2.4 miliardë dollarësh për sisteme raketore mbrojtjëse të një niveli të lartë (THAAD), disa prej të cilave diskutoheshin që ti jepeshin Arabisë Saudite. Në nëntor 2018 Uashingtoni dhe Riadi arritën një marrëveshje që parashikonte blerjen e 44 sistemeve raketore THAAD nga sauditët.

Sputnik ka kontaktuar me ekspertët dhe strategët politikë që të shohin me imtësi në atë që duket se është një përpjekje e Uashingtonit për ti vënë fre Ankarasë.

Çfarë qëndron prapa vendimit të SHBA-së për të pezulluar marrëveshjen e avionëve F-35 me Turqinë?

Sipas Oliver Steward, një strateg politik nga Mbretëria e Bashkuar, vendimi i Uashingtonit për kthimin pas të marrëveshjes F-35 me Turqisë është qartësisht i kuptueshëm pavarësisht nga koha dhe përpjekja e shpenzuar nga turqit për zhvillimin e projektit.

“Për këtë ka dy arsye”, tha Steward per Sputnik. “E para është teknologjike. Shtetet e Bashkuara kanë frikë se teknologjia F-35 mund të shkojë në duar të gabuara … E dyta, duke mos pasur një garanci bashkëpunimi në planin afatgjatë mes aleancës së Ankarasë dhe Shteteve të Bashkuara, SHBA tregohet e kujdesshme në dorëzimin e teknologjisë F-35”.

Nga ana e tij, Abdullah Bozkurt, gazetar dhe autor i “Turkey Interrupted: Derailing Democracy”, thekson se arsyeja kryesore që qëndron mbrapa lëvizjes së SHBA-së është “finalizimi i blerjes së sistemit raketor rus S-400”. Në të njëjtën kohë, ai thotë se “Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara me qeverinë e Erdoganit dhe po e shohin qëndrimin e saj si të papranueshëm brenda strukturës së aleancës”.

Daniel Darling, një analist i lartë i tregtisë së armëve i specializuar në Evropë dhe Azi në Forecast International Inc, beson se SHBA mund të përdorë edhe masa të tjera përveç bllokimit të avionëve F-35.

“Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin hapa përtej pezullimit të dërgimit të pjesëve të avionëve F-35 në Turqi në formën e ndalimit të pajisjeve dhe shërbimeve të tjera sipas seksionit 231 të kundërshtarëve të Amerikës nëpërmjet Aktit të Sanksioneve (CAATSA), duke përfshirë dërgesat F-16, Chinook dhe UH-60 Black Hawk”, thotë ai.

Darling parashikon që edhe nëse Turqia zgjedh të braktisë ose ti përmbahet marrëveshjes S- 400, ajo do të vazhdojë të përqëndrohet në avancimin e aftësive të veta në industrinë e mbrojtjes”. Në të njëjtën kohë, ai shpreh dyshime se “Turqia mund të largohet tërësisht nga SHBA-ja dhe Evropa si burim furnizimi me armë në favor të Rusisë, Kinës apo Koresë së Jugut”.

A mund të jenë avionët luftarakë Su-57 të Rusisë alternativa tjetër e Turqisë?

Për ti ofruar zgjidhje situatës me avionët F-35, Moska mund t’i ofrojë Turqisë një alternativë të vlefshme, qoftë avionët rusë Sukhoi Su-35 të aviacionit rus ose avionët luftarakë SU-57 të gjeneratës së pestë. Siç raportoi edhe Yeni Safak e Turqisë në maj 2018, Ankaraja mund të mendojë për blerjen e avionëve luftarakë rusë.

Steward mendon se “do të ishte jashtëzakonisht e dobishme për Ankaranë blerja e avionëve rusë”, veçanërisht për shkakun se Rusia nuk i vendos kushte Turqisë, kurse analistët e tjerë i referohen disa vështirësive të caktuara në këtë drejtim.

“Forca ajrore turke është mbështetur mbi teknologjinë amerikane për dekada, veçanërisht tek avionët F-16. Mirëmbajtja e flotës deri te sigurimi i pjesëve rezervë, janë të lidhura ngushtë me SHBA-në dhe aleatë të tjerë të NATO-s”, shpjegon Bozkurt.

Diliman Abdulkader, drejtor i Projektit të Kurdistanit në organizatën the Endowment for Middle East Truth, ndan një qëndrim të ngjashëm: “Që nga viti 2002 Turqia ka investuar shumë në programin afatgjatë F-35 dhe do të ishte mençuri që Turqia të qëndronte në NATO duke mos i mërzitur aleatët e saj perëndimorë “, thotë ai.

Bllokimi i F-35-ve për Turqinë dhe sitemi THAAD për Arabinë Saudite

Sipas Steward, fakti që pezullimi i furnizimeve F-35 për Turqinë për shkak të marrëveshjes S-400 dhe kontrata THAAD me Arabinë Saudite u njoftuan në të njëjtën ditë, meriton vëmendje.

Ai supozon se ky veprim tregon se Uashingtoni e konsideron Riadin si aleatin e tij primar në Lindjen e Mesme: “Shtetet e Bashkuara po i bëjnë favorizim lidershipit të fortë të Saudisë. Ata nuk mund të kenë garanci tek Ankaraja si aleat, sepse besojnë se ka një ndryshim në ekuilibrin e pushteteve në Lindjen e Mesme, kështu që po shikon drejt Arabisë Saudite si një garantues e sigurisë”.

Megjithatë, analistë të tjerë mbajnë një mendim të ndryshëm.

“Marrëveshja e SHBA-së me Arabinë Saudite në lidhje me sistemin THAAD është periferike ndaj mosmarrëveshjes aktuale mes Uashingtonit dhe Ankarasë lidhur me blerjen e sistemit S-400 dhe lidhjen e saj me avionët F-35”, thotë Darling.

Sipas Abdulkader, “shitja e interceptorëve THAAD për sauditët nuk është e lidhur me pezullimin e dërgimit të avionëve F-35, sepse në këtë drejtim, Arabia Saudite ka pasur një partneritet të fortë përpara zhvendosjes së Turqisë në lindje”.

“Unë nuk mendoj se shitja e propozuar e sistemit THAAD për Arabinë Saudite është një presion ndaj Turqisë”, pajtohet Bozkurt.

Turqia, NATO dhe ndryshimi i balancave të pushtetit

Atëherë ngrihet pyetja nëse përplasja SHBA-Turqi mbi shpërndarjen e avionëve luftarakë F-35s mund të ndikojë në angazhimin e Ankarasë në NATO dhe ta shtyjë lidershipin turk që të shkojë aq larg sa të mbyllë bazën ajrore Incirlik të forcave ajrore të SHBA-së?

“Angazhimi i Turqisë ndaj NATO-s duket i vendosur, pavarësisht mosmarrëveshjes F-35 / S- 400”, argumenton Darling. “Turqia gjithmonë ka pasur një llogaritje të ndryshme drejt politikës së jashtme sesa ndaj partnerëve të saj, BE-së dhe NATO-s, për shkak të çështjeve të brendshme dhe të jashtme si dhe pozitës së saj të vecantë gjeografike”.

Sipas tij, “mbyllja e bazës ajrore Incirlik mund të ketë një efekt dytësor ose të tretë lidhur me mosmarrëveshjen e tanishme, por për momentin kjo nuk duket se është në tryezë”.

Abdulkader dhe Bozkurt duket se ndajnë këtë qëndrim. Megjithatë, Steward sugjeron që të shihet më gjërësisht. “Duhet të shikoni lëvizjen e Trumpit dhe zhvendosjen e Trumpit nga doktrina perceptuese amerikane si garantuese e sigurisë evropiane dhe NATO-s”, thekson strategu politik, duke shtuar se ai nuk beson “për asnjë moment se Donald Trump të ketë për NATO-n një konsideratë të lartë”.

Në të njëjtën kohë, bota po bëhet gjithnjë e më shumë polare me qendrat e reja të fuqive në rritje, domethënë Rusia dhe Kina, thekson ai. Sipas Steward, Erdogan po e shikon zhvendosjen e fuqive globale. “Erdogan po vëren se si Trump po e sheh NATO-n, dhe e dyta, ai ka parë një ndryshim në shpërndarjen e pushtetit. Ajo që Erdogan ka perceptuar është se ai mund të fitojë më shumë avantazh duke zhvilluar lidhje më të ngushta me Rusinë dhe unë parashikoj që kjo të ketë një mundshmëri më të madhe”, përfundon strategu./sputnik/Gazeta Impakt

57