Prezantohet në Tiranë fjalori i turqizmave në gjuhët e Ballkanit

Gjatë një aktiviteti në Tiranë është prezantuar “Fjalori i turqizmave të përbashkëta në gjuhët e Ballkanit”, me autore Prof. Asoc. Dr. Lindita Latifi Xhanari, raporton Anadolu Agency.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin kryetari i Institutit të Gjuhës Turke, Gürer Gülsevin, dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës, Prof. Dr. Sabri Laçi, përfaqësues të Ambasadës së Turqisë në Tiranë, të universiteteve turke, pedagogë dhe studiues.

Prof. Dr. Sabri Laçi gjatë fjalës së tij vlerësoi gatishmërinë për bashkëpunim të institucioneve turke. “Prof. Lindita përveçse është një studiuese skurpuloze është dhe një interlokutore shumë e mirë mes nesh dhe universiteteve të Turqisë. Mundësitë dhe hapësirat janë të pafundme dhe gatishmëria e ambasadës së Turqisë në Tiranë është perfekte”, tha Laçi.

Kryetari i Institutit të Gjuhës Turke, Prof. Dr. Gürer Gülsevin, u shpreh se është në plan të hapet Qendra e Përbashkët e Studimeve Shqiptaro-Turke. “Pavarësisht se kemi njerëz të kombeve të ndryshme, e përbashkëta jonë është që kemi fjalë të shumta që i përdorim bashkërisht. Kemi një bashkëveprim mes fjalëve dhe gjuhëve dhe kjo merr formën e saj në rrugën e gjuhës”, tha Gülsevin.

Ai tha se “Të jeni të bindur që në çdo lagje dhe zonë të Turqisë ekzistojnë komshinjtë tanë shumë të nderuar shqiptarë, boshnjakë e maqedonas, e të kombësive të tjera. Të gjithë së bashku i kanë dalë për zot gjuhëve të tyre amtare dhe i flasin aq mirë, po aq sa flasin dhe mjaft rrjedhshëm edhe gjuhën turke. Ajo që na bën ne të dallojmë mes këtyre dy komponentëve është se ne në Turqi jetojmë të gjithë së bashku me të gjitha kombësitë, ndërsa ju këtu jetoni në zonat tuaja përkatëse”.

Ndërsa, Prof. Asoc. Dr. Lindita Latifi Xhanari, në fjalën e saj tha se botimi i këtij fjalori vjen në radhë pas gjithë punëve të realizuara për studimin e ndikimeve të gjuhës turke në gjuhën shqipe.

“Njohja me kolegët dhe diskutimi me ta për pikëpamje të ndryshme për çështjet e turqizmave në gjuhët e Ballkanit më ka formësuar dhe dhënë dijen e nevojshme që të vazhdoja të hartoja fjalorin e turqizmave ballkanike”, deklaroi autorja e fjalorit.

Duke folur për punën për hartimin e fjalorit, ajo tha se ka punuar mbi një literaturë të gjerë me rreth 146 fjalorë, studime të drejtpërdrejta në lidhje me turqizmat në gjuhët e Ballkanit dhe 250 studime në lidhje me ndikimet e gjuhës dhe kulturës turke në gjuhët dhe kulturat e Ballkanit.

Më tej gjatë fjalës së saj, Prof. Asoc. Dr Lindita Latifi Xhanari, tha se një nga synimet e saj gjatë punimit të fjalorit ka qenë hartimi i një produkti shkencor që të jetë i dobishëm për punën shkencore të kolegëve dhe studentëve në të ardhmen, pasi sipas saj, materiali që paraqet fjalori jep mundësi për studime të mëtejshme në fushën e fonetikës krahasuese, morfologjisë dhe semantikës.

Fjalori në turqisht është botuar në Turqi nga Universiteti i Pamukkalesë dhe përmban rreth 5000 huazime. Ky botim ka si objekt evidentimin e turqizmave të përbashkëta në tetë gjuhë të Ballkanit, në shqip, rumanisht, bullgarisht, serbisht, greqisht, maqedonisht, boshnjakisht dhe kroatisht.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne