Pse Rama po vetshpallet si trashëgimtar i Skënderbeut?

Edi Rama i është drejtuar sot demokratëve të zhgënjyer, atyre që sipas tij e kishin rrefuzuar mitingun e organizuar nga PD-ja zyrtare, duke i ftuar që megjithë bindjet e kundërta dhe mospajtimet që kanë me të të shkojnë e të votojnë në 18 qershor. Pavarësisht se letra e tij dukej një kopje e asaj që më parë kishte thënë Majlinda Bregu, fakti se Rama i fton kundërshtarët që të tradhëtojnë partinë e tyre dhe t’i bashkëngjiten atij nuk është edhe aq shqetësues.

Ajo që të bën të ngresh pyetjen nëse jetojmë vërtet në një vend normal është mënyra se si e justifikon kryeministri këtë thirrje. “Nëse Partia Demokratike e shpërfilli votën tuaj, Shqipërisë i duhet edhe vota juaj! Për të ngritur më lart flamurin kuqezi të Skënderbeut e të Ismail Qemalit, duke bërë shtetin tonë dhe duke e bërë Shqipërinë edhe më të respektuar nga fqinjët e nga bota ku jetojmë”.

Pra nuk ka shumë nevojë për kujdes për të parë se Rama po e propogandon veten si trashëgimtar të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit. Kush i bashkëngjitet atij është në këtë linjë, kush e kundërshton atë, rradhitet mes armiqve të Shqipërisë.

Ja pra që fraza e Elisa Spiropalit me të rinjtë, që shumëkush në rrjetet sociale e përqeshi si një monument servilizmi, që të tjerë e tallën si zellin e një ish doganiereje që pasi e kanë nxjerë nga dera do të hyjë nga dritarja, nuk paska qenë e saj. Krahsimi me Skënderbeun nuk e ka shpikur Elisa, atë ia ka kërkuar vetë Rama.

Po të njëjtën linjë trashigimie me heroin tonë kombëtar dhe me babain e pavrësisë, kryeministri i radhës përdori edhe në monologun e javës së shkuar. Ai i ftoi emigrantët të vinin të votonin në 18 qershor, në emër të një Shqipërie të fortë siç e donin Skënderbeu dhe Ismail Qemali.

Se pse po i përdor Edi Rama këto koncepte që më shumë i ngjajnë strehëzave të fundit të maskarenjve, kjo është një gjë që dihet. I gjendur në hall se pjesmarrja e vogël në zgjedhjet e 18 qershorit rrëzon legjitimitetin e karriges që kërkon të vazhdojë të mbajë, ai i ka hyrë betejës për një numur sa më të madhe votuesish.

Por edhe këtu ai është në të drejtën e tij. Kështu do të sillej çdo politikan.

Por ajo ku ai kapërcen çdo limit është fakti se këtë betejë mes palëve, ai po mundohet ta vizatojë si një konflikt mes të mirës dhe të keqes. Mes të ndershmes dhe të pandershmes. Mes atyre që janë për Shqipërinë e etërve themelues dhe atyre që janë me armiqtë e vendit.

Pikërisht për këtë, kjo retorikë pa tabu është e rrezikshme. Se ajo është fiks gjuha që përdorin satrapët, dikatatorët, liderët autoritarë. Vetëm ata e njësojnë fatin e vendit me fatin e tyre personal. Historinë e kombit me historinë e tyre. Baballarët e shtetit, me imazhin e tyre.

Dhe kuptohet se pse kjo gjuhë është dyfish e rrezikshme, kur ajo përdoret nga një lider që po bëhet gati të drejtojë vendin pa opozitë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne