Nga Kreshnik Osmani

Ndahet nga jeta Adela Xhamani. Ishte një mike e mirë fejsbuku që prej shtatë vitesh më lexonte me kureshtje. Adela u bë e njohur kur u përpoq të thyejë disa tabu në Big Brother-in e viteve të para.

Vajza nga Kavaja u përpoq të ofrojë për vajzat dhe rininë shqiptare simbolikën e rebelimit ndaj realiteteve në të cilat jetojnë. Edhe pse në ato fillime Adela u konsiderua se theu tabu të medha, ajo mbeti në thelb vajza e ndrojtur dhe konservatore e Kavajës që në jetën e saj të shkurter përjetoi dilema të mëdha identitare dhe kulturore. Me të gjitha përpjekjet e saj Adela nuk ia doli të hyjë tek rrethet e larta të jetës së Bllokut. Nuk ia doli të integrohet tek jeta e “elitës” së medias, të shtypit rozë, të gazetarisë apo të biznesit të Tiranës. Ishte vajza që kërkoi një jetë të bukur, por që njëkohësisht nuk shkulej dot prej identitetit të saj prej vajze me disa norma dhe me disa kufij.

Përjetimet dhe dilemat e Adelës i kanë mijëra të rinj e te reja sot. Mos i shkatërroni jetët tuaja duke vrapuar pas iluzioneve. Ky është popull i mrekullueshëm me tradita dhe zakone të mrekullueshme. Mos hidhni poshtë gjithçka keni trashëguar nga etërit dhe gjyshërit tuaj. Jeta e Bllokut, jeta e natës, vilat, pubet, kokaina, redbulli, fustanet, bizhuteritë, fama, televizioni, reklama, jeta e luksit, avionet, veturat e bukura, biznesi, erotika, thashethemet vip, dashnorët, kronikat rozë janë një iluzion i madh që shkatërron jetët dhe mendjet tuaja.

Jeta e bukur është aty pranë familjes tënde, pranë frymës tënde, me dashurinë tënde, me bashkëshortin, të fejuarin, me dashurinë e jetës tënde. Lumturia është aty në fshatin tënd, në lagjen tënde, në katundin tënd, në cepin tënd ku frymon. Jeta e bukur është aty ku frymon prindi yt, aty tek pemët e lagjes apo të bahçes tënde ku kalojnë zogjtë, qentë, macet, të njohurit dhe të afermit që të njohin dhe të duan të gjithë. Jeta e bukur është aty ku ke dëshirë të të varrosin nëse vdes. Nga aty ku je, mund ta ndërtosh perandorinë e ëndrrave dhe të dëshirave të tua.

Nuk jam kundër shpërnguljes as kundër përpjekjeve për një jetë më të mirë, kurresesi, por jam thellësisht i bindur se sparkatat identitare janë ato që e çajnë zemrën më shumë. Adela u përpoq të futej tek një jetë të cilën nuk e besonte fuqimisht dhe u refuzua prej saj. Adela u përpoq të integrohej tek një jete që binte në kundërshtim flagrant me identitetin e saj të vërtetë të cilin e fshihte thellë dhe e maskonte mirë, që të mos ia zbulonte “elita” e rremë e jetës së bukur të Tiranës. Si Adela ka mijëra djem dhe vajza nga e gjithë Shqipëria, të cilet humbin jetët e tyre humbëtrirave dhe labirintheve plot makth të jetës “përrallore” të elitave të Bllokut.

Miku im dhe ti mikesha ime!

Jeta është e bukur me gjërat më të thjeshta të saj. Jeta është e mrekullueshme me frymën që merr në çdo ag. Me aromën e luleve, me aromën e dheut, me diellin që të prek butë mbi lekurë. Është e bukur me çdo frymë e mendim. Është e bukur me çdo ëndërr të cilës je i gatshëm t’i falësh jetën.

Është e bukur me një shëtitje kapur dorë për dore me njeriun që do, pranë lumit, liqenit, malit, detit, rrugicave të ngushta të lagjes, apo metropoleve të mëdha në Lindje a në Perëndim. Është e bukur, me një puthje, me një përkëdhelje, me një buzëqeshje dhe një përqafim. Jetoni jetën e vërtetë sepse iluzionet janë drogëra të forta që dobësojnë sistemin imunitar të lumturisë dhe ngacmojnë e provokojnë arrest kardiak. U prehsh në paqe Adelë. Qofsh nën përkujdesjen e Zotit tënd të cilin nuk e mohove kurrë!

34