Shtëpia e Bardhë: Takimi Trump-Kim, mëngjesin e 12 qershorit në Singapor

Takimi i parë mes Presidentit amerikan, Donald Trump dhe liderit koreanoverior, Kim Jong-Un, do të zhvillohet të martën e 12 qershorit në orën 09:00, në Singapor, njoftoi të hënën Shtëpia e Bardhë.

“Ne po përgatitemi në mënyrë aktive për këtë samit”, theksoi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, duke konfirmuar se progrese domethënëse ishin regjistruar në diskutimet me Phenianin.

“Takimi i parë u vendos më 12 qershor në orën 09:00, në Singapor”, theksoi ajo.

E pyetur mbi një ndryshim të qëndrimit amerikan përballë Phenianit pas refuzimit të fundit nga Donald Trump për të përdorur shprehjen “presion maksimal”, Sanders theksoi se nuk kishte pasur zhvillime.

“Politika jonë nuk ka ndryshuar, ne nuk do ta ulim presionin për aq kohë sa nuk do të ketë denuklearizim”, shtoi ajo.

Uashingtoni kërkon një denuklearizim të plotë, të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm të Koresë së Veriut dhe u shpreh i gatshëm të japë garanci për sigurinë e regjimit, që e ka konsideruar arsenalin e tij si një lloj mbijetese. /ATSH

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne