Shtohen kundërshtimet ndaj referendumit për pavarësinë e Kurdistanit të Irakut

Gjykata e Lartë e Irakut në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar ankesat e ndryshme të paraqitura kundër referendumit për ndarjen e rajonit të Kurdistanit dhe ka marrë vendim për pezullimin e këtij referendumi.

Gjykata deklaroi se duhet të ndalet procesi i organizimit të referendumit për ndarjen e rajonit të Kurdistanit. Edhe Këshilli ministror i sigurisë kombëtare i kryesuar nga Heidar Abadi kryeministër i Irakut, është shprehur haptazi kundër organizimit të referendumit separatist në rajonin e Kurdistanit duke e cilësuar atë të jashtëligjshëm dhe kërcënim për sigurinë dhe unitetin kombëtar të Irakut. Kabineti i sigurisë shprehu mbështetjen për unitetin, pavarësinë, tërësinë territoriale dhe sigurinë e të gjithë shtetasve irakianë dhe deklaroi se është kundër çdo faktori që konsiderohet kërcënim për Irakun. Zv/presidenti i parë i Irakut deklaroi se ishte e nevojshme të braktiset ideja e referendumin mbi ndarjen e rajonit të Kurdistanit irakian dhe se qeveria e Bagdadit nuk do të lejonte krijimin e Izraelit të dytë në Irakun verior. Nuri Maliki, zv/presidenti i Irakut i bëri thirrje Masud Barzanit, kreut të rajonit të Kurdistanit, që të “respektojë vullnetin e popullit të Irakut dhe qëndrimet ndërkombëtare që janë në kundërshtim me referendumin”. Ai tha se referendumi mbi ndarjen e rajonit të Kurdistanit irakian është ilegal dhe nuk është në favor të popullit irakian e sidomos të popullit të Kurdistanit. Ish-kryeministri i Irakut deklaroi: “Ne u kërkojmë negociatorëve të zgjidhin problemet midis Bagdadit dhe Erbilit, sipas kushtetutës për të cilën të gjithë kanë votuar”.

Nga ana e tij, Kryeministri irakian Heidar Abadi ka kërkuar zyrtarisht pezullimin e referendumit të ardhshëm të pavarësisë së Kurdistanit të Irakut, pas kundërshtimit të fortë të qeverisë qendrore ndaj votimit të planifikuar. Urdhri i kryeministrit irakian erdhi pasi Gjykata e Lartë e Irakut të hënën urdhëroi shtyrjen e referendumit të 25 shtatorit për të shqyrtuar nëse një vendim i tillë do të ishte kushtetues. “Gjykata e Lartë ka lëshuar urdhrin për pezullimin e organizimit të referendumit të caktuar për 25 shtator … derisa të shqyrtojë ankesat që ka marrë lidhur me këtë plebishit që është jokushtetues” tha Gjykata në një deklaratë. Gjykata e Lartë e Irakut deklaroi se vendimi u mor pasi ajo “shqyrtoi kërkesat për ndalimin e referendumit”. Kryeministri Abadi tha se autoritetet kurde po “luajnë me zjarrin” duke planifikuar të mbajnë një referendum mbi pavarësinë e rajonit gjysmë autonom të Kurdistanit. “Një thirrje e sinqertë dhe vëllazërore ndaj zyrtarëve në Kurdistan: vendimi i referendumit është i rrezikshëm. E konsideroj atë lojë me zjarrin. Ky vendim përbën rrezikun më të madh për qytetarët tanë në Kurdistan, ” tha kryeministri irakian Heidar Abadi.

Ndërkohë, OKB i ka dhënë një propozim Masud Barzanit kreut të rajonit të Kurdistanit të Irakut lidhur me shtyrjen e afatit të organizimit të referendumit për ndarjen e këtij rajoni nga Iraku. Jan Kubish përfaqësuesi special i OKB në Irak i ka propozuar Masud Barzani që në vend të organizimit të referendumit të futet në bisedime me qeverinë e Irakut për arritjen e një marrëveshjeje 3-vjecare dhe theksoi se Bashkësia Ndërkombëtare e mbështet këtë. Megjithëse referendumi për pavarësinë e Kurdistanit të Irakut është kundërshtuar nga qeveria qendrore e Irakut, grupet e ndryshme irakiane, vendet e rajonit dhe nga bota, Masud Barzani u ka bërë thirrje kurdëve që të marrin pjesë në referendumin separatist./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne