Të paktën nuk do ketë më heronj të rremë!

Sali Berisha i parë i bëri heronj. Heronj të rremë të një shoqërie që ecën mbrapa përmes stafetës së iluzioneve.

I bëri heronj gazetarët si komunitet dhe bëri madje heronj të privilegjuar ata, të cilët hëngrën ndonjë dorë dru për ndonjë shkrim që sot do ishte qesharak nga njerëz pagdhendur të atij pushteti të viteve ’92-97. Në atë valë dhune absurde, u justifikua edhe ndonjë incident që përfshinte gazetarë, por që nuk kishte të bënte me punën.

Socialistët e Fatos Nanos i lanë të qetë gazetarët, u dhanë atyre mundësinë që të tresnin dhjamin e heroit dhe të vilnin privilegjet e këtij statusi.

Kjo do dukej më së miri në qeverisjen e Ilir Metës që “hapi thesin” nëse mund të shprehemi metaforikisht. Dhe hapja e thesit të privilegjeve funksionoi më së miri me ata heronj që i kishin marrë frymën me heroizma shqiptarëve që nga themelimi i demokracisë e deri te fajdet për të cilat u shpikën gjithfarë skenarësh.

Fatos Nanua i qeverisjes së dytë as merret në konsideratë, për shkak se liberalizmi i tij u bë një ndër shkaqet që gazetarët heronj ta bënin korruptimin detyrë parësore të ekzistencës. Se xhanëm a mund të shtyhet vetëm duke bërë shkrime? A mund të shtyhet vetëm me gazetari për hir të gazetarisë?

Aq e vërtetë është kjo saqë paguesi i parë, apo që të mos shpifim, porositësi i parë, u bë kryeministri i tanishëm që loboi dhe ja doli të orientonte pjesë të medias konform axhendës dhe ambicieve të tij politike. Sigurisht këto media, pronarët e tyre e mbështetën Edi Ramën për shkak të vizionit për Shqipërinë, kurse gazetarët për shkak të afeksionit për intelektualin. Ne këtë e besojmë edhe sot. Por edhe kështu, Qyl, njeriu e humbet paanësinë dhe ndershmërinë profesionale, sepse shndërron iracionalitetin dhe voluntarizmin në kriter profesional.

Limbos profesionale të gazetarëve, heronj të dikurshëm betejash imagjinare epike me një pushtet si i Sali Berishës, i erdhi fundi me ardhjen e dytë të këtij në pushtet. U mprehën lapsat, u kashaisën shqisat krahinore, u ndezën motorrët e financimeve. Yxhym kundër kriminelit!

Por ç’të shohësh? Saliu i dytë po shihte vetëm punën e vet, ai madje rekomandonte që ta shanin tërë ditën e ditës. Po ç’gazetari të bëhej atëherë? Cilat investigime, cilat analiza? Kush ja kishte ngenë atij muhabeti?

Nëse Saliu nuk do të jetë Sali si ai i pari, hajde ta bëjmë ne. Dhe nis ajo litani e pandalshme shpikjesh dhe parashkimesh ogurzeza përmbledhur në korin dhe kujën e mirënjohur socialiste. Fatos Nano ishte në burg dhe nuk kërkoi kaq shumë, Edi Rama ishte në karrige dhe po kërkonte haraçin mediatik të Rilindjes së Shqipërisë: shporrjen e Malokut. Sepse kjo e fundit, ky term, kjo fjalë, kjo stigmë, ka qenë aty përherë e pranishme, në majë të gjuhës, por pa e nxjerrë, në çdo shikim dhe në çdo tavolinë.

Sot zotërinjtë heronj po mbeten pa punë. Askush nuk ka nevojë për ta, por ata tashmë janë në moshë pensioni, kanë vila dhe makina luksi. Drekat dhe darkat e tyre janë të paguara. anë monopolin e çdo ekrani. Ndaj luftën kanë mundësi ta bëjnë në emër të trashëgimisë së çmuar që i lanë publicistikës shqiptare. Edi Rama duket se po i ndihmon, por nuk ka në dorë ndonjë dhuratë kushedi se çfarë kësaj radhe. Ai do t’i padisë për shpifje dhe qameti do t’u marrë ca lekë që do t’ua japë prapë mbrapsht. Por nuk i bën dot heronj, as ua jep dot gardhin e së vërtetës kësaj radhe. Sepse kjo marrëdhënie është epilog i një flirtimi të gjatë, i një korrupsioni moral që ka ecur dora dorës mes medias dhe politikës, i një inkriminimi të asaj që nuk thuhet në emër të detyrimeve ndaj njërit apo tjetrit, në emër të sms-ve që shkelin syrin e që nuk publikohen ndonjëherë.

Ndaj z. Kryeministër, po ua more lekët, qelepir i ke, plus merr mbrapsht investimin. Vetëm në mos e katandis muhabetin në padi për reporterë, pasi do ishte tepër edhe për humorin e zi të këtij vendi. Puna është se nuk je nga ai lloj brumi ti, këtë e mësoi i madh e i vogël tashmë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne