-bazuar në publikimet fetare islame në Maqedoni-

nga Mr. Elez Ismaili

Medreseja “Isa Beu” Shkup

Më 2015 u mbushën 20 vjet nga botimi i plotë i përkthimit të Kur’anit në gjuhën shqipe, që paraqet një ngjarje të shënuar në rrafshin fetar e kulturor, por në të njëjtën kohë zë fill edhe botimi i veprave dhe revistave të mirëfillta me përmbajtje islame.[1] Kjo u arrit falë angazhimit të drejtpërdrejtë të Bashkësive Islame në trojet shqiptare, për realizimin e projekteve të këtilla madhore, që edhe lexuesi shqiptar të ketë në duart e veta veprat më kapitale të proveniencës islame. Në dallim nga ato pak botime të mëparshme, që kryesisht ishin ilmihale, në botimet e kësaj kohe, norma e gjuhës së sotme letrare shqipe, ka marrë fizionominë e gjuhës së njësuar dhe i përmbush të gjitha kriteret që këto botime të jenë sa më të kapshme për lexuesin dhe të mund të përcjellin mesazhet universale për të njohur Zotin, për të njohur vetveten dhe për t’u bërë zëdhënëse të ndërgjegjes së pastër për një jetë sa më dinjitoze, edhe përkundër trysnive të shumta nga e gjithë ajo veprimtari botuese e veshur me petkun ideologjik të kohës.

Terminologjia islame është mishëruar me qenien e popullit tonë, ashtu siç është mishëruar dhe bërë pjesë integrale e fjalorit të myslimanëve në mbarë botën, pa marrë parasysh gjuhën, që ata e flasin ose shkruajnë. E veçanta e kësaj terminologjie në gjuhën shqipe është se i përket arealit gjuhësor mbarëshqiptar. Madje kjo terminologji haset edhe te disa popuj jomyslimanë, që ne i njohim, dhe se fjalët bereqet, selamet, kudret, hakikat, fukara, katil, xhahil, haram, hallall, mekteb, medrese, Xhenet, Xhehenem, ezan, e sa e sa fjalë tjera janë begati (por jo edhe përherë të domosdoshme), që i kanë rënë për pjesë edhe gjuhës sonë dhe se në krijimtarinë popullore hasen dendur dhe dihet se çfarë efektesh poetike e stilistike arrihet me to, madje kjo terminologji vihet në funksion të muzikalitetit të gjuhës poetike.

Në Maqedoni, si promotore e zbatimit të terminologjisë islame, për disa vjet me radhë, ishte gazeta Hëna e Re, në kuadër të së cilës qenë angazhuar bashkëpunëtorë që kishin mbaruar Medresenë “Alaud-din” të Prishtinës, ndërsa studimet e larta ose në Prishtinë, ose në botën arabe. Këtij grupi iu bashkëngjitën edhe një plejadë studiuesish, publicistësh, gazetarësh etj. të cilët, krahas shkrimeve origjinale botuan një sërë shkrimesh të përkthyera nga boshnjakishtja, e dikur edhe nga arabishtja. Në fillim të punës sonë, qoftë në kuadër të redaksisë së Hënës së Re, apo me rastin e redaktimit dhe botimit të veprave me përmbajtje fetare, nuk hartuam ndonjë platformë se si do të shkruhen fjalët e kësaj provenience, por askush nga rrethi ynë nuk kishte qëndrim tjetër, nga ai që ne e konsideruam si më parimorin: që fjalët të jenë sa më afër origjinalit të arabishtes. Hëna e Re, përveç karakterit informativ që kishte, pikësynim të veçantë pati përdorimin e një terminologjie fetare, që do të qëndronte sa më afër origjinalit të gjuhës së Kur’anit, duke përdorur konstrukte, që nuk kishin të bëjnë as me turqishten, as me persishten, as me boshnjakishten, e as me ndonjë gjuhë tjetër, sepse gjuha shqipe, për nga fondi i shkronjave që ka, është e zonja, që më miri se në cilëndo gjuhë tjetër të bëjë transkriptimin e fjalëve të gjuhës arabe, pasi ajo ka disa shkronja, që gjuhët tjera nuk i kanë. Fjalën e kemi për shkronjat “th” dhe “dh” , që te turqit dhe boshnjakët na dalin “s” dhe “z”.

        Nuk ishte vetëm dëshira jonë që në përdorimin e terminologjisë islame të jemi sa më afër arabishtes, por ekzistonin edhe disa arsye të tjera, siç ishte përdorimi i kësaj terminologjie me të njëjtat tendenca edhe në disa gjuhë tjera, si në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, etj., si dhe tradita e ndritshme e filluar që nga koha e Pavarësisë e deri në shuarjen e Mbretërisë Shqiptare. Sipas kësaj, që u tha mund të konstatojmë, se dëshira për të përdorur një terminologji islame, që buron nga gjuha e Kur’anit, krahasimi i kësaj terminologjie me termat, që përdoren në gjuhët perëndimore, tradita e krijuar në kohën e Mbretërisë dhe puna e përkushtuar e figurave më të shquara të kësaj periudhe (Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, Behxhet Shapati, Hafiz Ismet Dibra, Ferit Vokopola, si dhe veprimtaria e bujshme e ish-medresistëve të Medresesë së Përgjithshme të Tiranës), pastaj përdorimi i shprehjeve frazeologjike me rastin e përkthimit të filmave të ndryshëm, veçanërisht filmat e përkthyer në Shqipëri, gjë të cilën ne e hetojmë shumë lehtë, por, në anën tjetër edhe përdorimi banal i kësaj terminologjie, nga disa individë, edhe atë në formën më të rëndomtë do të jenë shtytësit (indikatorët) kryesorë, që na kanë detyruar të kërkojmë, që kohë më parë që të organizohet një tubim shkencor, që të shtrohen me një taban të shëndoshë shkencor, madje nga njerëzit që duhet të jenë më përgjegjësit në këtë lëmi, sidomos ata që për një kohë të gjatë merren me studimet islame, orientale dhe që e njohin shqipen dhe arabishten. Tashmë mund të themi pa droje se është krijuar një bazë solide kuadrosh, që në fushën e gjuhësisë e kanë dëshmuar veten dhe mund t’u qasen të gjitha çështjeve të gjuhësisë së përgjithshme, por edhe të terminologjisë gjuhësore.

Konferenca Shkencore “Kur’ani te shqiptarët”, mbajtur në Prishtinë në dhjetor 2015, mund të jetë e para e kësaj natyre në historinë e gjuhësisë dhe kulturologjisë shqiptare dhe rezultatet do të jenë evidente, por njëkohësisht do të jetë moment për të hapur shtigje të reja për njohjen e terminologjisë islame në të gjitha fushat e veprimtarisë mendore, siç është filozofia, mjekësia, poetika, oratoria, kaligrafia etj. Pra, përgjegjësia më e madhe bie mbi ne ish-medresistët, që vazhdimisht jemi të lidhur ngushtë me këtë problematikë. Kemi të drejtë të mendojmë dhe të themi kështu, sepse në punën tonë më se 20-vjeçare, për këto çështje, ne kemi pasur nevojë të konsultohemi dhe jemi konsultuar me njohës të mirë të çështjeve gjuhësore e kulturologjike në Prishtinë, Tiranë, Shkodër e Shkup, disa prej të cilëve janë deklaruar se kjo është një çështje mjaft e ndjeshme, por edhe sublime dhe nuk duan të mbajnë përgjegjësi në radhë të parë shkencore, por kanë shprehur gatishmëri, që të japin ndihmesën e tyre, ashtu siç kanë vepruar dhe veprojnë në jetësimin e normës së gjuhës së sotme letrare shqipe dhe radhitjen e gjuhës sonë në varganin e gjuhëve të standardizuara. Besoj se edhe konkluzionet, që do të dalin nga ky studim do ta çojnë edhe më lartë këtë ngrehinë të vetëdijes sonë shoqërore, kombëtare e fetare dhe do të kisha dëshirë që me kontributet tona shkencore të përcjellim mesazhin, që i takon kohës në të cilën jetojmë, që të dëshmojmë pjekurinë tonë dhe të themi se kjo terminologji duhet të ketë atë formë, që do të na afrojë sa më afër Zotit, por edhe të hiqen dilemat, që na kanë rënduar jo vetëm neve, por edhe lexuesit e ndryshëm, se si do të duhej të shkruhen shumë fjalë, që, bazuar në Fjalorin Drejtshkrimor, nuk ke alternativë tjetër dhe fjalët All-llah dhe Zot duhet t’i shkruash me “a” të vogël gjegjësisht me “z” të vogël, që nuk besoj më të ketë gjuhë në botë të kishte parapëlqyer diçka të këtillë.

Me këtë rast ne duhet t’u bëjmë ballë edhe atyre tendencave retrograde pseudoshkencore, kur dikush merr guximin që emrin e Pejgamberit tonë ta zbërthejë nga “muva” dhe “med”. Me keqardhje më duhet të them se kësisoj xhevahiresh kemi edhe nga autorët tanë: togfjalëshin Ibnul Kelb (personazh i dramës së Faik Konicës) një studiues yni e lidh me fjalën shqipe qelb, që s’ka të bëjë as për së afërmi me këtë fjalë. F. Konica, si njohës i mirë i arabishtes, e ka pasur lehtë ta merrte këtë emërtim për të bërë individualizimin e personazhit në fjalë, sepse edhe në gjuhën shqipe e ka ekuivalentin e fjalëpërfjalshëm “I biri i Qenit” (kelb, arabisht do të thotë qen). Nuk e shoh të arsyeshme të zbërthej sajime të këtilla, por le të shërbejë vetëm si vërejtje për ata që me çdo kusht tentojnë, që çdo huazim ta shqiptarizojnë dhe pastaj ato fjalë na dalin me kuptime qesharake.

Në vazhdim, sipas një rendi alfabetik do të shqyrtojmë fjalët që i hasim më së shumti, në radhë të parë në literaturën islame, por edhe në publikimet e tjera. Fjalët që s’kanë asnjë shënim përcjellës i pranojmë në formën e dhënë dhe si të tilla propozojmë të përdoren.

*Fjala All-llah-u, sipas Drejtshkrimit duhet të shkruhet me a të vogël dhe pa teshdid (pa dyfishimin e shkronjës “ll”). Që nga shkrimi i parë e gjer më sot, përfshirë edhe përkthimin e Kur’anit nga dr. Feti Mehdiu, Prishtinë 1985, e kemi përdorur në formën All-llah. Kështu e hasim edhe në literaturën mes dy luftërave botërore. Kështu shkruhet edhe në gjuhët e tjera. Kjo duhet të jetë forma e vetme e pranueshme për përdorimin e drejtë të këtij emri. Ndërsa te emrat e përbërë me origjinë arabe, si Bejtull-llah, Sejfull-llah, Hamidull-llah, Hajrull-llah, etj., nistorja “a” rrëgjohet. Këta emra në gjuhën shqipe a do të shkruhen me dy “ll” apo me një? Kjo është një çështje, që duhet të diskutohet dhe të dilet me një mendim unanim.

*Fjala abdes-i (pers.) Në  fjalorët e deritashëm haset në format abdes, avdes, abdest.

*Ajet-i,-et. Për këtë fjalë besoj se nuk ka nevojë të përdoret fjala verset.

*Akide-ja

*Alejhisselam-i

*As’habe-t (të përdoret me apostrof)

 *Asër- duhet t’i përmbahemi parimit fonetik, sepse ndërmjet së-së dhe rë-së, hetohet një ë (jo e zëshme).

*Bismil-lahi (në lit. e hasim edhe Besmeleja)

*Bajram-i,-et. Gjatë vitit festojmë Fitër Bajramin dhe Kurban Bajramin. Kështu edhe duhet të jetë forma e drejtë e përdorimit të këtyre dy festave.[2]

*Da’i (thirrës në fe)

       *Da’ve – da’veja (thirrja e njerëzve në Islam); da’vet-i (ftesë normale).

*Dua-ja (lutja drejtuar All-llahut)

*Dunja,-ja; dunjallëku. Forma popullore duroja të mos përdoret fare.

*Dovë-a, -ët (ka kuptimin e duave por edhe të sureve të shkurtra)

*Dhikër-i (të kujtuarit e All-llahut). Forma popullore është zikër ose ziqër.

*Estagfirull-llah (lypja falje nga All-llahu)

*El-hamdulil-lah

*Farz-i, -et (origj. fard); veprim i detyrueshëm. Për hir të traditës që ka formuar kjo fjalë dhe përdorimit të shpeshtë në tekstet fetare, duhet të mbetet me “z” fundore.

*Fetva-ja, -të (mendim juridik për ndonjë çështje fetare). Në gjuhën popullore e hasim me “f”, fetfa.

*Fexhër-i (agu, sabahu).

*Fikh-u (shkenca që merret me jurisprudencën islame). Si nxënës këtë fjalë e shkruanin me apostrof-fik’h, por nuk ka nevojë. Edhe në boshnjakisht e turqisht përdoret pa apostrof.

*Gajb-i (sfera transcendentale e njohurisë). Gjithnjë duhet të shkruhet me “j” (si në origj.) e jo gaib.

*Gurbet. Kjo fjalë me origjinë arabe në fjalorin drejtshkrimor ka formën kurbet. Nuk mund ta kuptoj pse i iket origjinalit të arabishtes, pasi edhe në turqisht edhe në disa gjuhë të tjera është me “g”. Madje edhe përftesat e kësaj fjale janë me “g”, p.sh. fjala garib; gurabaë etj.

*Hadith-i, -et (thëniet e Muhammedit a.s.). Në popull e hasim në formën me s, nga ndikimi i turqishtes. Vazhdimisht në shkrimet tona i jemi përmbajtur formës së origjinalit arabisht. Këtu shpesh gabohet në përcaktorët, që i ndajvihen; nuk respektohet ndërrimi i gjinisë së përcaktorit pas emrit që e formon shumësin me “e”.

*Hallall-i, -et (ar. halal). Kuptimi i kësaj fjale është i njohur dhe haset shpesh në gjuhën e folur. Por kuptimi parësor është: gjithçka që All-llahu e ka lejuar. Ka individë që kanë studiuar në botën arabe dhe duke dashur ta japin këtë fjalë në origjinal e shkruajnë halal, por nuk besoj edhe ta shqiptojnë me “l”.

*El hamdu lil-lah-i te disa autorë e hasim el Hamdu li-l-Lah, por le të mos e përmendim formën e palejueshme elhamdurilah!

*Haram-i, -et, e kundërta e hallallit. Mund të haset si formë nëndialektore harëm, por në gjuhën e shkruar jo.

*Hixhreti (shpërngulja e Muhammedit a.s. nga Mekka në Medine; datënisja e kalendarit islam). E hasim edhe hixhra e hexhira. Duhet të ruhet origjinali Hixhret-i, ashtu siç njihet në popull. Të shkruhet me “H” të madhe. Kur të shkruhet pas vitit miladi, si në shkrimet e mëhershme pas vitit të shënohet H (2005/1426H), si alternativë.

*Hafiz-i (arab. hafidh). Format hafës(z), hafus të mos përdoren.

*Halif-i (mëkëmbësi). Përdorimi i drejtë është me “h” e jo me “k” (kalif). Shumësi i këtij emri të formohet me mbaresën “ë” të shumësit. Te togfjalëshat e tipit Hulefai rashidinë, të përdoret forma e shumësit të arabishtes hulefa-të. Ndërsa fjala hilafet-i të përdoret në kuptimin e fjalës mëkëmbësi-a.

*Hutbe-ja. E hasim edhe formën hydbe. Lexohet në vendin e veçantë të ngritur në xhami që quhet minber.

*Ibadet-i, -et.

*Islam-i. Kjo fjalë, si emër i përveçëm, të përdoret me i (nistore) të madhe (në kuptimin e Fesë Islame), kurse si përcaktor me të vogël: Pushteti islam, Besimi islam, Edukata islame, Legjislatura islame. Nëpër shkrime të ndryshme, në togfjalëshat e këtij tipi përcaktorin islam-e  e hasim me të madhe, kurse fjalën drejtuese me të vogël. Si duket është nga ndikimi i përkthimeve nga boshnjakishtja, ku fjala Islamski, Islamska është fjalë drejtuese dhe shkruhet me të madhe. Po ashtu edhe togfjalëshi Feja Islame, gjithnjë të shkruhet me të mëdha.

*Ikamet-i. Në gjuhën e folur e hasim formën kamet (thirrja që e bën muezini për të hyrë në namaz).

*Ikindi. Në popull por edhe në shkrime përdoret forma iqindi.

*Inshall-llah (in shae All-llahu). Në popull ishalla. Përkthimi i kësaj shprehje duhet të jetë: Në dashtë All-llahu ose Dashtë All-llahu!

*Ixhtihad-i (hulumtimi). Muxhtehid-i, -ët.

*Kada-ja (eda dhe kaza) -shpagimi i borxhit. Falja e namazit në kohë dhe pas kohës së përcaktuar.

*Kible-ja. E hasim edhe këblja. Si shprehje frazeologjike njeri pa këble: i pacipë, i sorollatur.

*Kijamet-i (në kuptimin e Ditës së Gjykimit). Të përdoret me të madhe.

*Magrib-i – perëndimi. Togfjalëshi Vendet e Magrebit, duhet të përdoret me “i” e jo me “e”.

*Mashall-llah (arab. ma shae All-llahu: Si ka dashur All-llahu). Forma popullore marshallah të hiqet nga përdorimi.

*Medrese. Medresja apo medreseja, për t’u diskutuar. Medreze-jo.

*Medhheb-i, -et (shkollat juridike sipas fikhut). Kjo fjalë këto dy dhjetëvjeçarët e fundit është përdorur me “dh”, përkundër formave tradicionale mes-heb, mes-hep, mez-heb.

*Mesxhid. Te ne përdoret në kuptimin e xhamisë. Forma e gabueshme mezxhid.

*Mihrab-i, -et

*Minber-i, -et

*Mu’min-i, -ët (besimtarët)

*Musliman-ët. Të hiqet forma me “y”, që është nën ndikimin e turqishtes dhe që bie në sy më së tepërmi.

*Musned-i, -et (libër hadithi i përpiluar nga Imam Ahmed ibën Hanbeli).

*Muezin-ët

*Namaz-i, -et (sharti i dytë i besimit islam). Fjalë me prejardhje turke ose persiane. Arab. -salat-i.

*Nasihat-i, -et (këshillat)

*Nijet-i, -et (qëllimet). Origjinali arabisht është me teshdid: nijjetun.

*Pejgamber-i,-ët (pers.). Duhet të ketë përparësi absolute ndaj sinonimeve tjera, qoftë të gjuhës shqipe apo të gjuhëve tjera.

*Qafir (arab. kafir, femohues). Forma e shumësit qufarët të përdoret vetëm për shumës e jo qufar-i.

*Radijall-llahu anhu (All-llahu qoftë i kënaqur me të). Shkurtesa r.a.

*Rekat (pjesë e namazit). Haset edhe me “q” reqat.

*Rizk-u (furnizimi). E hasim edhe me “s” risku si dhe në formën rëzku ose rësku.

*Sabër-i (durimi). Por jo sabr.

*Sadaka-ja (dhënia sadaka, për bamirësi). E hasim edhe në formën sadakë-sadaka. (E ka shpëtuar sadaka).

*Sahih-u, -ët (librat më autentikë të hadithit)

*Selamun alejkum (Paqja e All-llahut qoftë mbi ju). Forma më e drejtë: Esselamu alejkum. Format tradicionale të gabueshme selam aliqim dhe selam alejqym. (Te Udhëzuesi përgatitor, f. 290: Es-Selamu alejkum).

*Sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Shkurtesa: s.a.v.s. (Shpëtimi dhe paqja e All-llahut qofshin mbi të). Shkurtesa të shkruhet me shkronja të vogla dhe jo, siç haset, s.a.v. (Shih: Udhëzues…, f. 422).

*Sunnet-i, -et (dhe jo sinetet e as synetet). Tradita e Muhammedit a.s., por suneti-a pa teshdid.

*Shehadeti (dëshmia se nuk ka zot tjetër, pos All-llahut xh.sh. dhe se Muhammedi a.s. është Pejgamber i Tij). Forma e papranueshme shadeti.

*Shejh (Shejhul Az-her apo Az-har). Titull udhëheqësi fetar, por edhe titull akademik.

*Sheriati (ose Sheri’ati… për ta theksuar ajnin).

*Shura-ja (Mexhlisi Shura, Shuraja Evroaziatike). Këshillim i ndërsjellë.

*Taharet-i (pastërtia). Format e gabueshme: tareti dhe tehareti, që hasen në popull. Është mirë që të futet në përdorim, analogjikisht me shprehjet merr abdes, merr gusëll edhe shprehja merr taharet ose merr teharet, me atë kuptim që njihet në popull.

*Teravi-a, -të. Namazi, që falet gjatë netëve të Ramazanit. Jo: taravi-të.

Forma më e plotë është: teravih namaz-i.

*Tesbih (i bën tesbih All-llahut, e lavdëron). Ndërsa tespihët të përdoret me “p”.

*Tevhid-i (Njëjësia e All-llahut). E hasim të shkruar edhe me dubël v(w), që duhet të jetë një tingull ndërmjet vavit dhe u-së.

*Ulema-ja, -të (dijetarë-t).

*Ummet-i, -et. Në literaturën islame përdoret për ithtarët e Islamit. Por përdoret edhe në kuptimin popull (ummetet e mëhershme).

*Vahj-i, -et (Shpallja hyjnore, Kur’ani).

*Vakëf (ar. uakf – pronë e destinuar për xhaminë dhe institucionet e tjera fetare).

*Xhahilij(j)eti (Periudha paraislamike, periudha e injorancës). Në shkrimet e paraluftës e hasim edhe me j të dyfishuar.

*Xhehennem (ferri). Të shkruhet me shkronjë të madhe nistore dhe me “n” të dyfishuar.

*Xhema(a)t (grup njerëzish) em. përmbledhës.

*Xhennet (parajsë, kopsht).

*Xhihad-i (vetëflijimi për hir të All-llahut).

*Zekat-i, -et (ndarja e obligueshme e një pjese të pasurisë atyre që u takon). Dy dhjetëvjeçarët e fundit forma me “k” ka pasur përdorim më të madh, edhe pse në popull mund ta dëgjosh vetëm me “q”.

*Zot-i. Ky emër në Fjalorin drejtshkrimor nuk figuron fare edhe sikur të ishte do ta kishim me “z” të vogël.

*Zotni-a.

*Zotrote. Tf. Zoti Filani sa të ketë mundësi të hiqet nga përdorimi. Gjuhësisht nuk ka kurrfarë pengesash, por në aspektin fetar është shprehje mjaft irrituese.

PËRFUNDIM

Në një studim të mirëfilltë është e pamundur, që të shqyrtohen të gjitha çështjet, që i takojnë kësaj sfere, por ato më qenësoret ishte e pamundur të anashkaloheshin. Shpreh dëshirën, që të propozoj që t’u sugjerohet institucioneve përkatëse arsimore e shkencore, që fjalët e përmendura të përdoren në formën e drejtë, ndërsa masmediat nëse në shtëpitë e tyre informative nuk kanë njerëz që e dinë sadopak arabishten, të paktën le të konsultohen me institucionet fetare, ku përdoren format e kristalizuara të kësaj terminologjie. Merreni me mend emrin e qytetit Qerbela-ja, ta dëgjosh Karballa e sa e sa emra tjerë, që na servirin në formën angleze… Pastaj, të shqiptosh dhe të shkruash sot Omer Khajami ose Kajami (duhet Hajami) dhe Imam Komeini ose Khomeini (duhet Homeini), ambasadori Khaled (ar. Halid), madje emrin e  përveçëm Muhammed e hasim si Mohamed, Mohammad, këto trajta për ne janë të papranueshme dhe nuk i kanë hije gjuhës sonë.

Dua ta përfundoj këtë studim me një konstatim, që është me interes. Në Maqedoni pothuajse kanë ngelur pak hoxhallarë pleq, të cilët në vazet e tyre vazhdojnë të përdorin gjuhën popullore. Ndërsa që nga gjenerata e parë e nxënësve të Medresesë së këtushme, madje edhe ish-nxënësit e Medresesë “Isa Beu” vazet e tyre i mbajnë ekskluzivisht në gjuhën letrare, edhe pse nga xhemati në moshë nuk kuptohen sa duhet. Ky konstatim na jep të drejtë të themi se në predikimet fetare, si në Maqedoni, por edhe në Kosovë, nuk e kemi dukurinë e diglosisë ose bilinguizmit, pra të përdorimit paralel të gjuhës letrare dhe të asaj sakrale. Ky sukses është arritur në sajë të punës konsekuente të mësimdhënësve te medreseve dhe fakulteteve tona islame në mbëltimin e normës së sotme letrare shqipe.

Dashtë All-llahu, që ky studim të jetë një ndihmesë për promovimin dhe pasurimin e thesarit leksikor të shqipes me terminologji të pastër islame.

[1]. Kur’ani Fisnik, përkthim i Feti Mehdiut, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë 1985;  Muhammed Hamidullah, Hyrje në Islam, Kryesia e Bashkësisë Islame e Maqedonisë, Shkup 1985; Jusuf Ramiq, Shkaqet e shpalljes së Kur’ani Kerimit, Lidhja e Shoqatave Ilmije e Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Shkup 1990; Halid Muhamed Halid, Humaniteti i Muhammedit a.s., Lidhja e Shoqatave Ilmije në RSM-Shkup 1990/1411; Husein Gjozo, Islami në kohë, Biblioteka Ikre e Meshihatit të Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Shkup 1994; Hëna e Re, Gazetë kulturore informative islame, Mexhlisi Shura i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Shkup 1987; Ikre, Revistë e Shoqatës së nxënësve të SHMI “Medreseja Isa Beu”, Shkup 1993.

[2]. Propozoj që urimi i Bajramit të jetë E gëzofshi Bajramin, sepse është forma më e përhapur te ne dhe se kjo formë kishte qenë e përhapur edhe në Shqipëri, dikur (krahas Për shumë vjet Bajramin, Me fat Bajramin, Për hajr Mubareq Bajrami). Në kohën e sotme, institucionet dhe firmat e ndryshme, me rastin e kësaj feste, urimet që japin përmes radios e televizionit i formulojnë kështu: Të gjithë besimtarëve myslimanë ua urojmë festën e Fitër Bajramit. Dihet se ithtarët e feve të tjera nuk e festojnë Bajramin. Pra mund t’u urohet mbarë besimtarëve, miqve afaristë-klientëve, nxënësve, studentëve, etj. Përcaktori myslimanë është i tepërt./ zaninalte

32