Turqia ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se do të mbështetet tek armatimet ruse nëse ato refuzojnë t’i shesin raketat “Patriot” dhe avionët luftarakë “F-35”. Ankaraja zyrtare ka deklaruar se, pajisja me armatime ruse nuk bie ndesh me parimet e NATO-s.

Turqia ka kaluar në kundërsulm duke paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se, nëse nuk i shesin raketat “Patriot”, në të ardhmen do të blejë një tjetër sistem mbrojtës “S-400” nga Rusia.

Ministri i Jashtëm, Mevlut Çavushoglu’ ka deklaruar se e njëjta gjë vlen edhe për avionët “F-35”, derisa Turqia të jetë në gjendje t’i prodhojë ata në mënyrë autonome. Shefi i diplomacisë turke ka theksuar se, janë disa vende të NATO-s që zotërojnë raketa ruse të brezit të vjetër “S-300”, duke iu referuar këtu Greqisë.

Duke folur pak ditë pas takimit të zhvilluar të hënën në Moskë mes presidentëve Erdogan dhe Putin, Çavushoglu’ ka thënë se të zotërosh një sistem raketor mbrojtës ndryshe, nuk bie ndesh me parimet e anëtarësisë në NATO.

Ai ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për refuzim të bashkëpunimit kur ka thënë se, deri tani ato i janë përgjigjur negativisht propozimit të Turqisë për të ngritur një komision të përbashkët teknik për të mbikëqyrur instalimin e sistemit “S-400” dhe për të monitoruar interferencën e mundshme të tij në sistemet e NATO-s.

Vetë Aleanca deklaroi disa ditë më parë lidhur me blerjet e armatimeve ruse nga Ankaraja se nuk ka ndërmend ta përjashtojë Turqinë për shkak të këtij veprimi

20