Pas Bosnjë e Hercegovinës dhe së fundi Serbisë, Turqia do të lejojë importin e mishit edhe nga Kosova. Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, me ftesë të Ministrit të Bujqësisë së Turqisë, Ahmet Eshref Fakibaba, ka marrë pjesë në edicionin e 13-të të Panairit Ndërkombëtar për Bujqësi dhe Blegtori, i cili u mbajt në Izmir të Turqisë.

Në hapje të panairit kanë marrë pjesë edhe ministra e zyrtarë tjerë të lartë shtetërorë nga vende të ndryshme të botës.

Ndërkohë, ministri Rikalo është takuar me homologun e tij turk, Ahmet Eshref Fakibaba. Të dy ministrat biseduan për mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm në mes të dyja vendeve.

Gjatë këtij takimi të dy ministrat janë pajtuar për nënshkrimin e një marrëveshje tregtare për eksportin e produkteve kosovare me origjinë shtazore dhe bimore, si dhe bagëtive të ndryshme në Turqi.

Në ditët në vazhdim, ata janë pajtuar që të formojnë edhe grupet punuese për jetësimin e kësaj marrëveshje në mes të dyja vendeve. Ministri e falënderoi homologun turk për gatishmërinë e treguar në vazhdimësi që të ndihmojë Kosovën në zhvillimin e mëtutjeshëm në sektorin e bujqësisë dhe theksoi se me realizimin e kësaj marrëveshje hapet një epokë e re e zhvillimit të sektorit bujqësor në mes të dyja shteteve. Nga ana tjetër, ministri Fakibaba shprehi gatishmërinë që krahas kësaj marrëveshje, do të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për Kosovën në fuqizimin e mëtejmë të këtij sektori./ trt

40