Nga Faik Miftari

(Pjesa e pestë)

31 gushti-ditë e enjte

Erdhi më në fund dita e shumëpritur, dita e Arefatit, në të cilin të gjithë haxhinjë nga mbar bota(2,5 milion) do të qëndrojnë në rrafshnaltën e Arefatit në tendat e vendosura, gjatë periudhës kohore prej drekës deri në aksham(mbrëmje). Edhe pse duhej të ishim në rrafshnaltë në ora 12.00 të ditës, ne u nisëm në Arefat 12 orë më herët, për shkak të fluksit të madh të haxhinjëve që shkonin të gjithë drejt Arefatit,  për të mos rrezikuar vonimin eventual. U vendosëm në tri tenda që ishin rezervuar për haxhinjë kosovar, në dy tenda ishim meshkujt, në një tendë femrat. Për dallim nga vitet e kaluara, sivjet për herë të parë tendat ishin të pajisur me sistemin e klimatizimit, ashtu që gjatë tërë kohës  qëndrimi në Arefat ishte më komod dhe më lehtë  për të përballuar nxehtësinë e madhe, përveç orëve 12-15.00, për shkak të temperaturës së madhe sistemi i klimatizimit herë pas here binte prej sistemit, ashtu që me të vërtet ato tre orë ishin të mundimshme, ashtu që gjatë jetës sime nuk jam djersitur më shumë se gjatë kësaj periudhë kohore për shkak të temperaturës që arrinte në tenda, gjer në 50 shkallë Celsijus.  Në tenda së bashku në xhemat falëm namazin e drekës dhe iqindisë,  duke falë  nga dy reqate , me një ezan dhe dy ikamete. Namazin e drekës e udhëhoqi myftiu i Kosovës Naim ef. Tërnava, ndërsa namazin e iqindisë e udhëhoqi sekretari i BIK-ut Resul ef. Rexhepi. Pas kësaj pasuan këndimi i telbijeve, tekbireve, leximi i ashereve  të Kur’anit. Ligjëratën e Haxhit në Arefat e mbajti myftiu ynë i Kosovës, duke cek rolin dh rëndësinë e haxhit për besimtarët mysliman në përgjithësi e për haxhinjtë që ishim në veçanti. Për shkak të vapës së madhe dhe çkyçjes së herëpashershme të sistemit të klimatizimit myftiu u detyrua të shkurtojë ligjëratën, pasi që me të vërtetë, dorën ne zemër, ishte e pamundur të vazhdoj më tutje. Pas orës 15.00 kur sistemi i klimatizimit u rikthye funksionimit normal, gjendja në tenda ishte e durueshme, ashtu që gjer në ora 19.00 bëra dua(lutje) të shumta, pikësëpari për mbesën time të dashur, Mehtaben, që gjatë Ramazanit ndërroi jetë, shpirti saj rahmet pastë, për anëtarët e familjes sime të ngushtë dhe të gjerë, miqtë, shokë, fqinjët kolegë, dashamir, për të gjithë  me radhë që kanë porosit, por edhe për të gjithë tjerë në përgjithësi. Në ora 20.00 u nisëm drejt Muzdelifes, të ndarë sipas grupeve nga  komunat, ashtu që neve 88 haxhinjë të Prizrenit , pasi që arritëm në Muzdelife në xhemat së bashku falëm namazin e akshamit dhe jacisë. Aty grumbulluam edhe guralecët(gjithsejtë 49) me të cilin do të gjuajmë simbolikisht shejtanin( djallin) në Mine. Në Muzdelife qëndruam gjer në sabah(mëngjes) në ora 6.oo në të cilin falëm edhe namazin e sabahut, pas së cilës u nisëm drejt Minesë.

Qëndrimi në Muzdelife është vaxhib(obligim), jo farz(urdhër i prerë) sikurse ishte qëndrimi në Arefat. Porse braktisja  eventuale e Muzdelifes nga haxhiu, i nënshtrohet obligimit të therjes së kurbanit për shpagim. Qëndrimi në Muzdelife  vetëm në një pjesë të caktuar të kohës nënkupton se e ke të kryer këtë iradet (ritual). Bile vetëm kalimi gjatë Muzdelifes llogaritet si kryerje e këtij ibadeti (rituali). Muzdelifeja gjendet në rrugën në mes Arefatit dhe Mines. E tërë Muzdelifja konsiderohet vendqëndrim dhe në cilin do pjesë të saj të qëndron haxhiu i llogaritet se e ka kryer këtë ibadet. Qëndrimi brenda kufijve të Muzdelifes në ditët e sotshme është i lehtësuar pasi që përkufizimi i tij është shënuar me shenja të dukshme. Qëndrimi tërë natën gjer në agim në Muzdelife llogaritet synet i preferuar. Porse thuhet se më së miri është të qëndrojë haxhiu në Muzdelife  deri pas namazit të sabahut, e pastaj të niset drejt Minesë. Nata në Muzdelife duhet të kalojë në adhurim të Allahut, këndim  të Kur’ani dhe duatë(lutje). Poashtu bëhet tubimi i guralecëve për gjuajtje simbolike të shejtanit(djallit), të cilët duhet të kenë madhësinë e një kokrre bizele, para se të niset drejt Minesë, bëhet edhe falja e namazit të sabahut në kohën e hyrjes së tij. Për dallim nga Arefati qëndrimi në Muzdelife ishte goxha i vështirë, pasi kushtet e qëndrimit aty janë të vështira. Qëndruam 10 orë në një sipërfaqe të shtruar vetëm me zall dhe  gurrë, mu pranë rrugës e cila shkon në drejtim të Minesë. I shtruam ashtu në sipërfaqe do shtroja që i patëm marr me vete , dhe në ato falëm namazet dhe mbi to qëndruam tërë natën. Qëndrimi në Muzdelife gjatë tërë natës  në ato kushte ekzistuese me të vërtet ishte një njollë, jo e pëlqyer gjatë kryerjes së Haxhit, e të cilin autorietet vendore saudite të Ministrisë së haxhit duhet të kenë parasysh dhe të ndërmarrin diç në atë drejtim.

1 shtator-ditë e premte

Në ora 6.oo të mëngjesit të ditës së xhumasë(premte) u nisëm me autobusë drejt Minesë, pasi që arritëm në Mine u vendosëm në tenda , për shkak të fluksit të madh të haxhinjëve drejtuar  xhemerateve për hedhjen e guralecëve, për momentin për dy orë ishte mbyllur rruga, ashtu që neve për dy orë patëm kohë për të pushuar pakës, pas dy netëve të kaluara pothuajse pa gjumë. Në ora 9.oo  të mëngjesit u nisëm në këmbë drejt xhemerateve(vendit ku bëhet hedhja e guralecëve) e cila ishte një distancë prej 2, 8 km. Pas një ore arritën në xhemerate, pikërisht në xhemeratin e madh, ku në ditën e parë të Kurban Bajramit i hodhëm 7 guralecë, një nga një, simbolikisht për ta goditur shejtanin(djallin) e madh.

Xhemeratet në Mine janë vend ndodhjet, në të cilët në mënyrë simbolike bëhet gjuajtja  e tyre me guralecë gjatë tre ditëve të Kurban Bajramit, në kohë dhe vend të caktuar dhe numër të caktuar të guralecëve. Në ditën e parë të Kurban Bajramit bëhet gjuajtja e 7 guralecëve në Xhemretul Akabe (madhe), në ditën e dytë dhe të tretë të Kurban Bajramit gjuhen nga shtatë guralecë të tria xhemeratet, e vogla, e  mesmja dhe e madhja,  gjatë tre ditëve të Kurban Bajramit gjuhen gjithsejtë 49 guralecë. Është e lejuar që guralecët mund të gjuajnë për persona tjerë të cilët për shkak të sëmundjes apo moshës së shtyrë nuk janë në gjendje që tre ditë me radhë të shkojnë drejt xhemerateve (vendndodhjeve) në Mine. Koha e gjuajtjes së guralecëve në ditën e parë të Kurban Bajramit, zgjat prej mëngjesit e gjer në mbrëmje, por është e preferuar që gjuajtja e guralecëve të bëhet pas lindjes së diellit e gjer në kohën e drekës. Ndërsa gjatë ditës së dytë dhe të tretë të Kurban Bajramit, gjuajtja e guralecëve bëhet prej mëngjesit(lindjes së diellit) e deri në mbrëmje( perëndim të diellit), por e preferuar është koha prej pas namazit të drekës e gjer para akshamit(perëndimit të diellit). Nuk preferohet gjuajtja e guralecëve gjatë netëve. Gjuajtja e guralecëve gjatë tre ditëve të Kurban Bajramit është vaxhib( e obliguar), haxhiu që eventualisht nuk e kryen apo e vonon gjuajtjen e guralecëve është i obliguar të bëjë shpagimin e tij duke therë  kurban.

Pas gjuajtjes së guralecëve ditën e parë të Kurban Bajramit haxhinjët therin  kurbanët e tyre,  haxhinjë që e kryen haxhin Temettu e kanë vaxhib(obligim) që të therin kurban. Neve kurbanet i kemi pas të paguara me rastin e pagesës së çmimit të haxhit, ashtu që në organizim të Bashkësisë Islame të Kosovës therja e kurbaneve është kryer prej organeve përgjegjëse në vendet e caktuara, duke filluar  prej ditës së parë të Kurban Bajramit, e deri në namazin e iqindisë të ditës së katërt të Kurban Bajramit. Haxhiu eventualisht që nuk ka mundësi të therë kurban duhet të agjërojë tre ditë në Meke para Arefatit dhe shtatë ditë pas kryerjes së haxhit kur të kthehet në vendlindje.

Pasi që e kryem këtë ibadet(ritual) u drejtuam drejt hotelit  në të cilin ishim të vendosur , ecëm në këmbë afër 2 km, pasi që atë paradite i tërë trafiku ishte i mbyllur në Meke për shkak të fluksit të madh të haxhinjëve që ktheheshin nga Mineja në Meke. Pasi që u kthyem në hotel, në rrojtoren afër hotelit i qetha flokët, me të cilin u plotësua kushti për të hequr  veshjen e ihramit, të cilët i  mbajta  dy net dhe një ditë e plotë,  dhe pas dushit të bërë i vesha teshat e zakonshme.

Shkurtimi i flokëve apo ruarrja e flokëve është një prej kushteve  të haxhit, është vaxhib(obligim) të cilin çdo haxhiu mashkull duhet të zbatojë këtë kusht, ndërsa gratë haxhiket vetëm bëjnë shkurtimin e flokëve. Shkurtimi apo qethja e flokëve është e mjaftueshme, por është e preferuar ruarrja e flokëve në tërësi. Ruarrja apo shkurtimi(qethja) e flokëve është e përcaktuar në kohë të caktuar dhe në vend të caktuar. Koha e kryerjes së këtij kushti, gjegjësisht të ruarrjes apo qethjes së flokëve është gjatë ditëve të Kurban Bajramit, por preferohet që të kryhet pas hedhjes së guralecëve në ditën e parë të Kurban Bajramit, me ç’rast plotësohet edhe njëri prej kushteve për t’u liruar nga veshja e ihramit. Vendet ku duhet të bëhet ruarja apo qethja e flokëve është Haremi, rrethina e shenjtë e Mekës apo Mineja. Nëse eventualisht haxhiu nuk i përmbahet kohës dhe vendit të caktuar për ruarjen apo qethjen e flokëve, obligohet që të therë kurban për shpagim të tij.

Ishte veç ora 11.oo e ditës së xhumasë,  pasi  ishim kthyer në hotel, ashtu që nuk pata kohë të shkoja për të falur namazin e xhumasë në Qabe, në Harem, pasi  ishte  fluksi i paparë në Qabe, për shkak të kryerjes së Tavafit Ifade, të haxhit dhe , ditës së parë të Kurban Bajramit, ashtu që namazin e xhumasë e fala në xhamin e cila gjendej afër hotelit. Pas namazit të xhumasë,  pushuam deri në mbrëmje, njëkohësisht duke uruar  cimerëve dhe haxhinjëve tjerë  festën e Kurban Bajramit. Duhet të cek edhe një të dhënë se haxhinjtë që gjenden në haxh nuk  janë të obliguar të falin namazin e Kurban Bajramit, por vetëm  falin namazin e sabahut. Në mbrëmje, në ora 23.oo në mënyrë të organizuar, një grup i haxhinjëve prizrenas,  37 haxhinjë me mulla Afrimin në krye shkuam në Qabe për të kryer tavafin ifade, të haxhit,  i cili është farz(urdhër i prerë), pa të cilin haxhi nuk është i plotë. Për shkak të fluksit të madh të haxhinjëve që ishin atë natë në Qabe,  tavafin ifade e kryem në katin e tretë përreth Haremit të Qabesë. Pas kryerjes së tavafit e kryem edhe sa’jin, ashtu që pas kësaj kohe, për shkak të lodhjes vendosëm  të mbesim gjer në mëngjes në Qabe, ashtu që pushimi që e bëmë ishte i mirëseardhur, dhe pas faljes së  namazit të sabahut u kthyem në hotel.

Tavafi Ifade është farz(urdhër i prerë), dhe krahas Arefatit, është shtylla e dytë bazike e haxhit, mospërmbushja eventuale e tij nga haxhiu e bën haxhin të pavlefshëm. Ai nuk mund të shpaguhet me asgjë, bile as me therjen e kurbanit. Argument për tavafin ifade, apo të haxhit e gjejmë në Kur’an  në suren (kapitullin) el Haxh, ajeti (verseti) 29, i cili  thotë:”…Dhe le të sillen(bëjnë tavaf) rreth shtëpisë së lashtë”. Tavafi ifade kryhet pas kryerjes së Arefatit, duke filluar prej ditës së parë të Kurban Bajramit, dhe nuk ka limit, por gjithsesi duhet patjetër të kryhet. Është e preferuar që Tavafi ifade të kryhet gjatë tri ditëve të Kurban Bajramit, ndërsa koha më e pëlqyer është të kryhet në mëngjesin e ditës së parë të Kurban Bajramit.

Sa’ji është ibadeti(rituali) i haxhit që është vaxhib(i obliguar) i cili kryhet në mes kodrave Safa dhe Merva pranë Qabesë në Meke. Në rast se haxhiu eventualisht nuk e kryen këtë kusht atëherë për shpagimin e tij detyrohet të therë kurban. Rëndësia e këtyre dy kodrave është e vlefshme, pasi që edhe në Kur’an  përmenden në suren(kapitullin) el Bekare, ajeti(verseti) 158, i cili thotë:”Safa dhe Merve janë nga shenjat(për adhurim) të Allahut, e kush e mësynë shtëpinë për haxh(Qaben) ose për umre(vizitë jashtë kohës së haxhit) nuk është mëkat për të që t’i vizitojë ato dyja(të ec në ato vende)”. Poashtu edhe pejgamberi ynë i dashur, Muahmedi a.s. për vlerën e sa’jit ka thënë: “Juve është bërë obligim Sa’ji prandaj kryeni atë”, transmeton imam Ahmedi. Haxhiu në një distancë të caktuar vrapon  në mes këtyre dy kodrave, duke rikujtuar dhuntinë e Allahut fuqiplotë që ia dhuroi Haxheres dhe të birit të saj Ismailit, në luginën e Mekës, burimin e ujit të Zemzemit, për të shuar etjen Ismaili, djali i saj, gjatë së cilës Haxherja ka vrapuar në mes të këtyre dy kodrave, asaj të Safasë dhe Mervesë, në kërkim të ujit. Sa’ji kryhet edhe me veshjen e ihramit, por edhe me veshjen e zakonshme, poashtu sa’ji kryhet pas kryerjes së tavafit ifade, të haxhit. Sa’ji fillon nga kodra e Safasë dhe përfundon në kodrën e Mervesë, dhe atë duke ecur shtatë herë. Në rast se e bënë nga ana e kundërt, nuk është i vlefshëm sa’ji, por është i  shënuar vendi nga i cili nis ibadeti(rituali) i sa’jit. 7 ecjet në mes kodrave të Safasë dhe Mervesë, preferohen të jenë pa ndërprerje, ndërsa në vendin e shënuar me drita të gjelbër, meshkujt vrapojnë me vrap të ngadalshëm, ndërsa femrat ecin normal gjatë tërë sa’jit. Gjatë kryerjes së sa’jit haxhiu bën dua dhe lutje të ndryshme sipas dëshirës së tij.

17