Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian u paralajmëruan të mërkurën për mundësinë e daljes së Britanisë nga blloku pa marrëveshje.

Procesi i njohur si Brexit duhet të përfundojë deri në mars të vitit të ardhshëm.

Negociatori i BE-së për Brexit-in, Michel Barnier, dhe sekretari i përgjithshëm i Komisionit Evropian, Martin Selmayr, i njoftuan komisionarët evropianë për përparimin e bërë në negociata vetëm një javë para samitit të 18 tetorit për Brexit-in, i cili është cilësuar si “momenti i së vërtetës”.

Barnier tha se negociatat në nivel teknik do të vazhdojnë edhe këtë javë.

Selmayr, i cili është ngarkuar me koordinimin e punëve për mbrojtjen e BE-së nga dëmtimi ekonomik dhe politik nëse Brexit-i bëhet pa marrëveshje, tha se palët duhet të përgatiten “për çdo rezultat”.

Brukseli dhe Londra kanë caktuar mesin e tetorit si afat për finalizimin e marrëveshjes mbi kushtet e daljes së Britanisë nga BE-ja.

Por, dy palët mbeten të ndara sidomos rreth çështjes së kufirit irlandez, indikacioneve gjeografike, të cilat specifikojnë origjinën e mallrave të caktuara bujqësore, dhe rolit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.

Muajin e kaluar, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se ekonomia e Britanisë do të ketë rënie të menjëhershme nëse largohet nga BE-ja pa marrëveshje mbi kushtet e divorcit.

Mbretëria e Bashkuar duhet të dalë nga BE-ja më 29 mars, 2019, në përputhje me referendumin që ka mbajtur për këtë çështje, në vitin 2016.

11