Shqiperia

Atentati te gjimnazi “Partizani”, i plagosur një aktor shqiptar me precedentë penal

Një i ri 28-vjeçar mbeti i plagosur mbrëmjen e djeshme, pasi u qëllua me armë në afërsi të gjimnazit “Partizani”. Por ai nuk ka dashur të japë identitetin e saktë duke i dhënë Policisë dy emra të rremë.

Kur është pyetur për emrin në momentin e parë që ka mbërritur në urgjencën e Spitalit të Traumës, i plagosuri ka dhënë një emër të rremë, duke thënë se quhej Nishe Prendi. Burime nga Policia thanë se i plagosuri ka paraqitur më pas nje karte identiteti me emrin Edison Delia, e cila rezultoi se ishte false.

Sipas gazetës “Panorama” i plagosur është Mishel Prela, aktor shqiptar, i cili ka luajtur në filmin “Saimir”.  Sipas burimeve, ai është një emër i njohur për uniformat blu, pasi kishte vëtëm pak kohë që kishte dalë nga burgu, ku kishte vuajtur dënimin për plagosje dhe kundërshtim të punonjësve të policisë. Po ashtu mësohet se në të kaluarën ka qenë i dënuar në Itali për trafik të lëndëve narkotike. Konfliket e mundshme që mund të ketë pasur në të kaluarën janë edhe pista kryesore ku po hetohet.