Belgjika, Portugalia dhe Luksemburgu do të mbyllin shkollat për të luftuar koronavirusin

Belgjika, Portugalia dhe Luksemburgu kanë njoftuar se do të mbyllen shkollat si masë paraprake kundër koronavirusit të ri.

Kryeministrja belge, Sophie Wilmes, në një konferencë për media tha se shkollat e vendit do të mbyllen që nga e premtja në mbrëmje deri më 3 prill.

Wilmes po ashtu tha se të gjitha aktivitetet kulturore e sportive janë anuluar dhe se vetëm tregjet e farmacitë do të qëndrojnë të hapura në vend.

Ndërsa, kryeministri i Portugalisë, Antonio Costa, në një konferencë për media tha se të gjitha shkollat dhe universitetet do të mbyllen deri më 9 prill.

Ndërkohë, ministrja e Shëndetësisë e Luksemburgut, Paulette Lenert, njoftoi se të gjitha shkollat në vend do të mbyllen nga 16 marsi deri më 27 mars.

Lenert shtoi se vendi ka konfirmuar 26 raste të koronavirusit.

Koronavirusi i ri, i njohur zyrtarisht si COVID-19, për herë të parë u shfaq në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar dhe është përhapur në të paktën 114 vende.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), e cila ka shpallur shpërthimin një pandemi, numri global i vdekjeve ka kaluar shifrën 4.900, me mbi 134 mijë raste të konfirmuara./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne