Shqiperia

Çështja ‘Agron Xhafaj’. Prokuroria e Krimeve të Rënda bashkon dy dosjet e hetimit

Prokuroria e Tiranës e ka kaluar procedimin e nisur në bazë të kallëzimit të Agron Xhafajt për fabrikim të fakteve dhe provave të rreme në audio-përgjimin e denoncuar nga PD mes tij dhe bashkëpunëtorit X, Albert Veliu, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Kjo e fundit ka hapur një tjetër procedim për akuzën e trafikut të narkotikëve pas publikimit të audio-përgjimit në fjalë. Sipas Top Channel, ky kalim ka ndodhur pasditen e së premtes, meqenëse të dyja materialet kanë persona të njëjtë, që dyshohen se janë përfshirë në audio-përgjim.

Po ashtu, prokuroria e Tiranës i ka kaluar Krimeve të Rënda edhe dëshminë e Albert Veliut, i cili përpara se të pyetej nga Krimet e Rënda kishte dhënë sqarime tek prokuroria e Tiranës. Mësohet se Veliu edhe në dëshminë e dhënë pranë organit të akuzës të Tiranës, i ka qëndruar faktit që video-përgjimi është i vërtetë dhe se ai kishte biseduar me Agron Xhafajn për të trafikuar hashash.

Nga ana tjetër në të njëjtën dosje që i është deleguar Krimeve të Rënda, janë edhe dëshmitë e vëllait të Ministrit të Brendshëm, i cili hedh poshtë në mënyrë kategorike që audio-përgjimi mes tij dhe Albert Veliut të jetë i vërtetë. Madje për të provuar këtë, ai ka dorëzuar në prokurorinë e Tiranës edhe një ekspertize teknike, të cilën e ka bërë privatisht me disa ekspertë britanike, të cilët kanë arritur në konkluzionin se zëri në audio-përgjim, nuk është i Agron Xhafës./ lapsi

OPINIONE