E shkuara dhe e tashmja e aleancës Arabi Saudite-Izrael

nga Mehmet Rakipoglu.

Nuk ka dyshim që Izraeli po përjeton periudhën më lehtësuese të politikës rajonale gjatë viteve të fundit, gjë që ka ardhur pjesërisht për shkak të trajektores pozitive të marrëdhënieve të saj me Arabinë Saudite krahasuar me vitet e mëparshme. Ndonëse të dy vendet abstenojnë nga kontaktimet zyrtare, është e sigurtë se ekzistojnë faktorë dhe instrumente të ndryshme që ndihmojnë në ndërtimin e një strategjie të përbashkët midis dy vendeve. Faktori më i rëndësishëm ndër të gjitha është roli i lidershipit të SHBA-së në këtë kontekst. Pas inaugurimit të tij në janar 2017, Presidenti i SHBA-së Donald Trump bëri udhëtimin e tij të parë ndërkombëtar presidencial në Arabinë Saudite, pas së cilës ai vizitoi Izraelin. Ndërkohë dhëndri i Trumpit, këshilltari i lartë Jared Kushner koordinon aktorët e afërt me Uashingtonin në rajon së bashku me hartimin e politikave rajonale të SHBA-së. Trump dhe Kushner po luajnë një rol vendimtar në koordinimin midis Arabisë Saudite dhe Izraelit.

Gjatë viteve të hershme të shtetit të Izraelit, Arabia Saudite nuk shfaqi ndonjë qëndrim miqësor ndaj Tel Avivit. Pas themelimit të Izraelit, administrata saudite miratoi politika negative ndaj Izraelit dhe e përcaktoi vendin si armik në oborrin e saj dhe bëri që autoritetet e ARAMCO-s të premtonin se nuk do ti shisnin naftë Izraelit. Pavarësisht nga kjo, Izraeli e evitoi kundërshtimin e Arabisë Saudite. Ndërsa marrëdhëniet mes dy vendeve gradualisht filluan të moderohen, gjuha kërcënuese filloi të zhduket. Kjo situatë u bë e qartë sidomos pas viteve 1990, kur Arabia Saudite filloi të ndiqte politikat paralele të SHBA-së në Lindjen e Mesme.

A ka ndonjë aleancë të fshehtë ndërmjet Arabisë Saudite dhe Izraelit edhe pse nuk kanë marrëdhënie diplomatike?

Kohët e fundit, Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammad bin Salman, i cili de facto drejton vendin, në mënyrë eksplicite njohu Izraelin. Në një intervistë që dha disa muaj më parë për Atlantic, Mohammad bin Salman tha se populli izraelit ka të drejtën të jetojë në territorin e tij, duke pranuar kështu se Rijadi ka zhvilluar një formë të re në marrëdhëniet me Tel Avivin. Pyetja e parë që të vjen në mend në këtë pikë është nëse ekziston një aleancë e fshehtë midis dy vendeve edhe pse ata nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe konsiderohen si armiq.

Marrëdhëniet saudito-izraelite në retrospektivë

Arabia Saudite është ndër anëtarët themelues të Lidhjes Arabe, e cila është një mishërim i qëndrimit anti- izraelit që synon të mbrojë të drejtat e shtetit palestinez dhe të popollit palestinez. Megjithatë, administrata saudite nuk bëri asnjë hap që do të pengonte themelimin e Izraelit. Arabët reaguan kundër Arabisë Saudite gjatë luftërave arabo-izraelite me arsyetimin se Arabia Saudite nuk ofroi një luftë efektive kundër Izraelit. Duke ofruar mbështetje simbolike për ushtritë që luftonin për të mbrojtur Palestinën në luftërat e viteve 1948, 1967 dhe 1973, sauditët evituan zgjerimin e frontit arab kundër Izraelit.

Në librin e tij “Lindja e Izraelit: Mitet dhe Realitetet”, Simha Flapan nënvizon se trupat saudite nuk u përballën kurrë me forcat izraelite të sigurisë, ndërsa frontet kundër Izraelit kryesisht përbëheshin nga trupat egjiptiane. Po ashtu, sauditët dhanë mbështetje simbolike për luftën e vitit 1967. Megjithëse inventari i shteteve arabe përfshinte gjithsej 250 mijë ushtarë, 2 mijë tanke dhe 950 avionë luftarakë, sauditët dërguan vetëm 4,500 ushtarë, 40 tanke dhe 10 avionë. Ngjashëm me këtë, Arabia Saudite dërgoi vetëm 1.500 ushtarë dhe disa avionë në luftën e vitit 1973, e cila favorizoi Izraelin në vend të forcave arabe.

Izraeli dhe Arabia Saudite ndajnë interesa të përbashkëta dhe kanë bashkëpunuar në disa çështje kritike rajonale.

Të dy vendet ndajnë interesa të përbashkëta dhe bashkëpunojnë në disa çështje kritike rajonale. Për shembull, Arabia Saudite dhe Izraeli ndoqën të njëjtën politikë ndaj Xhemal Abdel Naserit, popullariteti i të cilit u rrit gjatë viteve 60. Gjatë luftës civile të Jemenit, e cila la gjurmën e saj në historinë politike të Lindjes së Mesme dhe u karakterizua si “Lufta e Ftohtë Arabe”, Naseri mbështeti republikanët ndërsa Arabia Saudite mbështeti Zaidët. Veçanërisht vlen të përmendet qasja e Tel Avivit ndaj çështjes. Gjatë gjithë luftës, Izraeli ofroi shërbime të inteligjencës dhe sigurisë për sauditët. Në një operacion të njohur si Mivtza Rotev, agjentët e Mossadit ofruan ndihmë për Arabinë Saudite.

Gjatë viteve 1980 dhe 1990, administratat saudite u përpoqën të normalizonin marrëdhëniet me Izraelin. Mbreti Fahd dhe Mbreti Abdullah ndanë planet e tyre në këtë drejtim me publikun ndërkombëtar, duke shfaqur qëndrimin pozitiv të Arabisë Saudite. Përveç kësaj, administratat saudite mbështetën më së shumti marrëveshjet e pranuara nga Izraeli mbi çështjen palestineze, duke mbajtur distancën e tyre nga lëvizjet e rezistencës palestineze.

Aleancë e zbuluar

Izraeli dhe Arabia Saudite u bënë dy komponentë të rëndësishëm të politikës së SHBA-së në Lindjen e Mesme pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001, gjë që çoi në zhvillimin e lidhjeve më të ngushta ndërmjet dy vendeve në përputhje me politikat rajonale. Arabia Saudite u pozicionua në anën e Tel Avivit në Luftën Izrael-Hezbollah të vitit 2006 dhe miratoi politika të përbashkëta me Izraelin gjatë revolucioneve arabe që filluan në vitin 2011. Në vitin 2012, kompjuterët e ARAMCO-s që u sulmuan nga hakerët iranianë u rivendosën në gjendjen e mëparshme nga ekspertët izraelitë të programeve. Gjithashtu, Tel Avivi dhe Riadi vendosën të konsolidojnë bashkëpunimin e tyre për shkak të shqetësimit rreth Iranit se ndikimi i tij në rajon mund të rritet pas marrëveshjes bërthamore me emrin Plani i Përbashkët Ndërveprues i Veprimit, i cili u nënshkrua në korrik 2015.

Izraeli dhe Arabia Saudite u bënë dy komponentë të rëndësishëm të politikës amerikane për “Lindjen e Mesme” pas sulmeve të 11 shtatorit në 2001.

Zyrtarë të lartë nga Arabia Saudite kanë shprehur gjithnjë e më shumë dëshirën e tyre për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin. Në një intervistë ai i dha gazetës izraelite Haaretz në vitin 2015, ish shefi i inteligjencës së Arabisë Saudite Prince Turki al-Faisal tha se një zgjidhje me dy shtete është e vështirë por e mundur, duke shfaqur në këtë mënyrë prirjen e tij ndaj pozitës së Izraelit. Faisal ja shtriu një degë ulliri Izraelit duke thënë: “Imagjinoni sikur të mund të hipja në një aeroplan në Riad, të fluturoja direkt për në Jeruzalem, të shkoja me autobus ose taksi për në Xhaminë e Kubes së Shkëmbit në Xhaminë Aksa, të kryeja lutjet e së premtes, dhe pastaj të vizitoja Murin Perëndimor dhe Kishën e Varrit të Shenjtë”.

Në të njëjtin vit, gjenerali në pension i Arabisë, Anwar Eshki, u takua me Drejtorin e Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme të Izraelit Dore Gold dhe njoftoi se ata vendosën që marrëdhëniet mes dy vendeve ti bënin publike. Në vitin 2016, Turki al-Faisal u takua me gjeneralin izraelit Yaakov Amidror në një takim të organizuar nga një institucion i studimeve strategjike pro-Izraelit dhe lëshoi mesazhe të moderuara. Përsëri në 2016, Anwar Eshki, një gjeneral i lartë i ushtrisë saudite, vizitoi me një delegacion parlamentin izraelit Knesset ku dha mesazhe paqeje dhe miqësie. Në gusht të të njëjtit vit, ish ministri izraelit dhe rabini Michael Melchior thanë se qytetarët izraelitë do të ishin në gjendje që të vizitonin së shpejti Arabinë Saudite.

Në tetor 2017, ish-ministri i drejtësisë i Arabisë Saudite Muhammed bin Abdul Karim Issa dhe ish ministri i arsimit Halid bin Muhammed al-Angari vizituan një sinagogë në Paris dhe shprehën pikëpamjet e tyre pozitive mbi Izraelin. Në fund të vitit 2017, shefi i Shtabit të Përgjithshëm izraelit, Gadi Eizenkot, tha në një intervistë se ai i tha gazetës së Arabisë Saudite Elaph se ata janë të gatshëm për të shkëmbyer informata me të gjitha shtetet arabe të moderuara, veçanërisht me Arabinë Saudite, në mënyrë që të balancojë ndikimin e Iranit. Përsëri në vitin 2017, gjatë periudhës kur kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se marrëdhëniet midis shteteve arabe dhe Izraelit ishin në një nivel historik, një radio izraelite e quajtur Zëri i Izraelit, pohoi se një anëtar i paidentifikuar i familjes mbretërore saudite vizitoi fshehurazi Izraelin.

Në Maj 2018, Arabia Saudite i dha fund një ndalimi 70-vjeçar dhe lejoi kompaninë ajrore Air India të përdorte hapësirën ajrore saudite për fluturimet nga Nju Delhi për në Tel Aviv. Në prill 2018, Mohammad bin Salman vleresoi se izraelitët dhe palestinezët kishin të drejtat e tyre për të ngritur shtetet e veta, duke dhënë sinjale për njohjen e Izraelit për herë të parë në historinë e Arabisë Saudite. Ndërkohë, mediat izraelite vazhduan të lavdëronin Salmanin, duke lënë të kuptohet se të dy vendet mund të krijojnë lidhje më të ngushta nën sundimin e tij.

Irani dhe Vëllazëria Myslimane

Së fundmi, do të ishte e dobishme të përmendnim perceptimet ndaj kërcënimeve të përbashkëta për të kuptuar pse Izraeli dhe Arabia Saudite u afruan në periudhën pas revolucioneve arabe 2011. Një pikë e përbashkët për të dy vendet është antagonizmi i tyre ndaj Vëllazërisë Myslimane dhe Iranit. Në këtë kuptim, të dy vendet e konsiderojnë Iranin si një kërcënim kryesor. Pushtimi i Irakut në vitin 2001 riorganizoi balancat e pushtetit në rajon në favor të Iranit, gjë që shkaktoi një konkurrencë në rritje midis Arabisë Saudite dhe Iranit si dhe intensifikoi bashkëpunimin e sigurisë dhe të inteligjencës midis Arabisë Saudite dhe Izraelit. Nga ana tjetër, mundësia e Vëllazërisë Myslimane për t’u bërë një faktor kyç në Egjipt dhe politika e rajonit pas revolucionit egjiptian të vitit 2011, e shqetësuan si Izraelin ashtu dhe Arabinë Saudite. Potenciali i kësaj lëvizjeje për të ndryshuar strukturat politike të aktorëve të rëndësishëm në rajon, si në Tunizi, Jordani, Siri, Libi dhe Jemen, çuan në disa pabarazi në politikën rajonale. Në këtë pikë, Rijadi dhe Tel Avivi bashkëpunuan dhe miratuan një qëndrim të përbashkët kundër ndryshimit të rendit rajonal në favor të Ihuanëve (Vëllazërisë Muslimane).

Arabia Saudite dhe Izraeli janë duke ndjekur politika të përbashkëta veçanërisht në çështjet që lidhen me Iranin dhe Vëllazërinë Myslimane.

Të dy aktorët kanë arsye të ndryshme për antagonizmin e tyre ndaj Vëllazërisë Myslimane (Ihuanëve). Ndërsa Ihuanët paraqisnin një kërcënim për sigurinë e regjimit saudit, Izraeli e shihte Hamasin palestinez, zgjatimin e Ihuanëve, si një kërcënim për sigurinë kombëtare. Në këtë kuptim, Ihuanët që erdhën në pushtet pas revolucionit egjiptian si një aktor me potencialin e mobilizimit politik, përshpejtuan konvergjencën saudito-izraelite. Sauditët financuan grushtin e shtetit të 3 korrikut dhe Ihuanët u vunë në listë si një grup terrorist. Ndërkohë, Izraeli mbylli zyrat lokale të Al Jazeeras, një prej mediave të Katarit, vendit që mbështeste Ihuanët në shkallë rajonale dhe globale. Rrjedhimisht, moderimi në fjalimet e të dy vendeve është interpretuar si shenjë e një konvergjence.

Arabia Saudite dhe Izraeli janë duke ndjekur politika të përbashkëta veçanërisht në çështjet që lidhen me Iranin dhe Vëllazërinë Myslimane. Përveç kësaj, një numër motivesh si konkurrenca me Turqinë, lufta kundër kërcënimeve rajonale, siguria e regjimit dhe marrëdhëniet me SHBA-në, çojnë në vazhdimin e koordinimit Riad-Tel Aviv. Prandaj, edhe pse dy shtetet nuk kanë marrëdhënie diplomatike, prania e një aleance të fshehtë mes tyre është e padiskutueshme./thenewturkey/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne