Opinion

Izraeli po rrëzon Aksanë duke përdorur ‘maskën’ e sigurisë

Në emër të “sigurisë”, shteti izraelit po ndjek një axhendë për të shkatërruar kompleksin Al-Aksa, duke shkaktuar rritjen e dhunës në tokat tashmë kaotike.

Kompleksi al-Aksa në Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit është vendi më i diskutuar fetar në botë. Është i shenjtë për tre fetë abrahamike, islamin, krishtërimin dhe judaizmin. Për muslimanët, Aksaja është vendi i tretë më i shenjtë, i cili përmendet disa herë në Kuranin e shenjtë. Muslimanët besojnë se Profeti Muhamed shkoi nga Xhamia e Shenjtë në Mekë drejt Aksasë gjatë Natës së Miraxhit dhe u ngjit në qiell nga atje. Por që nga koha e okupimit izraelit të Jeruzalemit, kompleksit që përfshin xhaminë e Aksasë i kanë vënë syrin shumë hebrenj që dëshirojnë të rindërtojnë Tempullin e Solomonit në atë që ata e konsiderojnë si vendin e tij. Hebrenjtë pohojnë se tempulli i lashtë u ndërtua në malin Moriah ku Abrahamit iu kërkua të sakrifikonte djalin e tij. Për ta bërë këtë, ata do të shkatërrojnë dhe rrëzojnë Aksanë.

Al-Aksa është në qendër të konfliktit izraelito-palestinez. Por së pari, unë duhet të diskutoj një nga mitet më të mëdha në lidhje me konfliktin izraelito-palestinez: që është gjallë për shekuj me radhë. Në të vërtetë ai fillon vetëm një shekull më parë, në fillim të viteve 1900. Në ato ditë, toka quhej Palestinë, dhe kishte qenë nën sundimin osman me shekuj. Ajo kishte diversitet fetar, kryesisht e përbërë nga muslimanë dhe të krishterë dhe gjithashtu nga një numër i vogël hebrenjsh, të cilët përgjithësisht jetonin në paqe. Por gjatë rritjes së nacionalizmit në fund të shekullit të 19-të, ajo ndryshoi në dy mënyra të rëndësishme. Së pari, më shumë njerëz po zhvillonin një pamje jo thjesht të arabëve etnikë, por edhe të palestinezëve etnikë, një tjetër identitet kombëtar. Në të njëjtën kohë, në Evropë, më shumë hebrenj po bashkoheshin me një lëvizje të quajtur Sionizëm, ku thuhej se hebraizmi nuk është thjesht një fe, por një identitet kombëtar dhe meriton një komb të vetin. Ata besonin se ata duhet ta vendosnin atë në “vendet e premtuara që iu zotuan Abrahamit nga Perëndia” në Lindjen e Mesme.

Pas Luftës së Parë Botërore, Perandoria Osmane u rrëzua dhe perandoritë britanike dhe franceze zbuluan Lindjen e Mesme. Ndërsa britanikët morën kontrollin e një rajoni dhe e quajtën atë mandatin britanik për Palestinën, sionistët kryen fushata të mëdha për të inkurajuar hebrenjtë europianë që të lëviznin atje. Por kur më shumë hebrenj erdhën, tensionet mes vendasve dhe hebrenjve u rritën. Kur britanikët kufizuan numrin e ardhësve, u formuan grupet e milicisë hebraike për të luftuar vendasit dhe për t’i rezistuar mandatit britanik. Pas Holokaustit që bëri që shumë hebrenj të largoheshin nga Evropa dhe të iknin në Palestinë, duke nxitur mbështetjen e botës për një shtet hebre, numri i hebrenjve në tokat palestineze erdhi në një pikë të parashikuar nga sionistët. Në vitin 1948, OKB miratoi një plan për të ndarë tokën në dy shtete: një për hebrenjtë dhe një për palestinezët. Qyteti i Jeruzalemit do të bëhej një zonë e veçantë ndërkombëtare. Plani i OKB-së zemëroi vendet arabe dhe çoi në luftërat arabo-izraelite. Por çifutët vazhdonin t’i fitonin luftërat, gjë që çoi palestinezët të humbnin gjithnjë e më shumë toka çdo luftë. Një numër i madh palestinezësh u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe u bënë refugjatë. Gjatë dekadave të ardhshme, shtetet arabe gradualisht bënë paqe me Izraelin edhe pse shumë prej tyre kurrë nuk nënshkruan traktate paqeje. Izraeli sot kontrollon të gjithë territorin përveç Gazas, e cila është nën një bllokadë të madhe dhe Bregut Perëndimor. Jo vetëm kaq, por më shumë hebrenj, ose kolonë izraelitë, po lëvizin në vendbanime të reja ilegale të ndërtuara nga shteti izraelit në këto vende. Qeveria izraelite ka mbajtur fushata të mëdha dhe subvencione të mëdha për t’i inkurajuar ata të kalojnë në vendbanimet izraelite, derisa forcat izraelite të sigurisë t’i bëjnë palestinezët të largohen nga shtëpitë dhe tokat e tyre. Me pak fjalë, Izraeli është duke pushtuar ngadalë dhe me dhimbje copat e fundit të tokës që u janë lënë palestinezëve.

Lufta për të kontrolluar Aksanë filloi pas krijimit të Izraelit në vitin 1948. Kur Izraeli pushtoi Jeruzalemin Lindor në vitin 1967, ai ngriti flamurin e tij mbi Aksa. “Ligji i Ruajtjes së Vendeve të Shenjta” u miratua më pas për të ofruar qasje në vendet e shenjta. Vendi administrohet nga autoriteti islamik, Vakëfi i Aksasë, dhe Jordania ka një rol të drejtpërdrejtë në mbrojtjen e xhamisë së tretë më të shenjtë të Islamit, por ushtarët izraelitë përcaktojnë se kush mund të hyjë. Rojet jordaneze janë të vendosur (së bashku me policinë e armatosur izraelite) në të gjitha hyrjet e xhami-së, veç njërës.

Mesxhidul Aksa ka qenë pika qëndrore e shumë përplasjeve dhe nën një kërcënim përshkallëzues nga forcat radikale, disa prej të cilëve tani janë anëtarë të lartë të Knesset (Parlamenti izraelit) dhe ministra të qeverisë së Izraelit. Por më 14 korrik, për herë të parë në 48 vjet, muslimanët u ndaluan të faleshin në xhami. Palestinezët besojnë se Izraeli është duke e shtrënguar kontrollin e tij në zonë dhe është duke u afruar gjithnjë e më shumë çdo ditë për të shkatërruar Aksanë.

Nga ana e tij, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu ndoshta është i lumtur teksa sheh shpërthimin e dhunës në Jeruzalem. Ndërsa përballet me një hetim për korrupsionit për një skandal nëndetësesh, ai sot refuzon të heqë detektorët e rinj metalikë dhe barrikadat e ngritura nga Izraeli para kompleksit al-Aksa, edhe pse Agjensia e Sigurisë së Izraelit thuhet se e këshilloi për t’i larguar. Duket se duke përdorur përsëri maskën e sigurisë, Netanjahu po siguron që vëmendja të shmanget nga akuzat për korrupsion dhe në vend të kësaj të përqendrohet në Aksa.

Duke i shitur komunitetit izraelit dhe ndërkombëtar historinë e sigurisë, Izraeli ka pushtuar tokën palestineze, ka ndërtuar vendbanime vetëm për izraelitët në tokat palestineze, ka shkatërruar shtëpitë dhe shkollat ​​palestineze, ka bllokuar Gazën, ka detyruar banorët e Gazës të jetojnë pa energji elektrike, furnizime të përshtatshme mjekësore ose ujë, dhe madje i ka ndaluar ata nga hyrja në det. Dhe sot, në emër të sigurisë, po ndjek një axhendë për të shkatërruar kompleksin al-Aksa. Për shkak se Izraeli e njeh gjithë botën, përfshirë edhe shoqërinë muslimane, do të shqiptojë vetëm disa fjalë dënimi, por nuk do të bëjë asgjë për t’i ndaluar ata.

MERVE ŞEBNEM ORUÇ

/ © Gazeta Impakt

OPINIONE

INTERVISTA