Opinion

Mbi kapitalizmin

Albert Ajnshtajn

Për lehtësi komunikimi dhe kuptueshmërie, në diskutimin vijues do të quaj ”punëtorë” të gjithë ata që nuk zotërojnë dhe nuk kanë pronësi mbi mjetet e prodhimit, edhe pse kjo nuk korrespondon me përdorimin e zakonshëm të termit.

Pronari i mjeteve të prodhimit gjendet në një pozicion që i lejon të blejë fuqinë punëtore. Nga ana tjetër duke përdorur mjetet e prodhimit, punëtorët prodhojnë të mira ose mallra që bëhen automatikisht pronë e kapitalistit. Pika më esenciale e këtij procesi është marrëdhënia mes asaj çka punëtori prodhon dhe asaj që paguhet, të dyja këto të matura në vlerën reale. Por për sa kohë kontrata e punës është e ”lirë”*, ajo që merr punëtori nuk përcaktohet nga vlera reale e produktit që ai prodhon, por nga minimumi i nevojave të tij dhe nga kërkesat e kapitalistit për fuqinë punëtore, duke marrë parasysh njëkohësisht edhe numrin e punëtorëve që konkurrojnë për të njëjtën punë. Është e rëndësishme të kuptojmë që as në teori pagesa e punëtorit nuk përcaktohet nga vlera reale e prodhimit të tij.

Kapitali privat ka tendencën të përqendrohet në pak duar pjesërisht për shkak të konkurrencës mes kapitalistëve dhe pjesërisht sepse zhvillimet teknologjike dhe rritja e ndarjes së punës inkurajojnë prodhimin në masa më të mëdha në njësi prodhimi, me kosto shumë më të ulëta. Rezultatet e këtyre zhvillimeve na sjellin një oligarki të kapitalit privat, i cili prej fuqisë që merr nuk mund të jetë më i kontrollueshëm as nga një shoqëri demokratike politikisht. Këtë e vërteton fakti që udhëheqësit e pushtetit legjislativ zgjidhen nga partitë politike, të cilat gjerësisht financohen ose influencohen nga kapitalistë privatë të cilët, për qëllimet e tyre, e ndajnë praktikisht elektoratin nga pushteti legjislativ. Pasoja është që përfaqësuesit e njerëzve në fakt nuk mbrojnë mjaftueshëm interesat e shtresave të paprivilegjuara të shoqërisë. Në të njëjtën kohë, kapitalistët privatë në mënyrë të pashmangshme kontrollojnë, direkt ose indirekt, format kryesore të informacionit dhe komunikimit si shtypin, radion dhe arsimin. Në këtë mënyrë bëhet tejet e vështirë, dhe në shumicën e rasteve gati e pamundur, që një qytetar të mund të arrijë në konkluzione të qarta aq sa t’i përdorë në mënyrë inteligjente të drejtat e tij politike.

Situata mbizotëruese në një ekonomi të bazuar në pronën private të kapitalit karakterizohet nga dy parime kryesore: e para, mjetet e prodhimit (kapitali) janë private dhe pronarët e tyre i përdorin ato ashtu siç e shohin të arsyeshme dhe ju intereson dhe, e dyta, kontrata e punës është e lirë. Sigurisht që nuk ekziston një shoqëri puro kapitaliste në këtë drejtim. Mbi të gjitha sepse punëtorët, sidomos disa kategori të tyre, nëpërmjet përpjekjeve të ndryshme politike , kanë arritur të sigurojnë në njëfarë mënyre një formë të përmirësuar të ”kontratës së lirë të punës”. Por e marrë në përgjithësi, ekonomia e sotme nuk ka shumë diferencë nga kapitalizmi i ”pastër” .

Prodhimi kryhet për fitim dhe jo për përdorim dhe nevojë. Prandaj nuk ka siguri që të gjithë punëtorët e aftë dhe të gatshëm për punë do të gjejnë punësim konkret, ndërkohë që një ”ushtri të papunësh’ ekziston sakaq. Punëtori, në këtë mënyrë, është në kërcënim dhe frikë të vazhdueshme për humbjen e vendit të punës. Kjo edhe për faktin se të papunët dhe punëtorët e keqpaguar nuk mund të përbëjnë një treg fitimprurës, prodhimi i të mirave për konsum është i kufizuar e nga këtu kuptohet pasoja dhe vështirësia që sjell kjo situatë. Progresi teknologjik sjell në shumicën e rasteve një papunësi më të madhe në vend që të lehtësojë vështirësinë e punës për të gjithë. Motivi i fitimit, i ndërthurur me konkurrencën mes kapitalistëve, sjell destabilitet në akumulimin dhe përdorimin e kapitalit, gjë që çon drejt një depresioni edhe më të rëndë. Konkurrenca e pafundme shkakton një shpërdorim të madh të punës gjymtimin e ndërgjegjes sociale të individëve, çka e përmenda më parë .

Këtë gjymtim individësh unë e konsideroj si ndikimin më të keq të kapitalizmit. Dhe krejt sistemi ynë arsimor vuan prej kësaj të keqeje . Një qasje e ekzagjeruar konkurrence imponohet te studentët, të cilët mësohen të adhurojnë suksesin triumfues si përgatitje për karrierën e tyre në vazhdim.

Unë jam i bindur që ka vetëm një rrugë për t’i eliminuar këto të këqija të mëdha: Krijimi i një ekonomie socialiste, të shoqëruar me një sistem arsimor të orientuar drejt qëllimeve shoqërore.

E përktheu Erald Vata

Shkruar në ”Why socialism” i publikuar në ”Monthly Review”, Maj 1949 dhe marrë nga https://libcom.org/library/einstein-capitalism

Shënime:

*Kontrata e punës në kapitalizëm konsiderohet e lirë sepse palët (kapitalisti dhe punëtori) nuk mund ta kërcënojnë drejtpërdrejt njëra-tjetrën për të hyrë në marrëveshje. Mirëpo ajo nuk është mirëfilli e lirë pasi punëtori, i zhveshur nga mjetet e prodhimit, nuk e ka në dorë të mos e shesë fare fuqinë e tij punëtore, çka i vendos palët në pozita të pabarabarta./ OP

OPINIONE