Bota

Princi Selman: Palestinezët ose të pranojnë propozimet e Trumpit ose të mbyllin gojën

Princi saudit i kurorës Mohammed bin Salman, i njohur me pseudonimin MBS, u ka thënë krerëve të grupeve hebraike me bazë në SHBA se lidershipi palestinez duhet të pranojë kushtet për paqe të paraqitura nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump, raportojnë mediat izraelite.

Gjatë një takimi me dyer të mbyllura muajin e kaluar në Nju Jork me udhëheqësit e organizatave, bin Salman kritikoi ashpër presidentin palestinez Mahmud Abbas, njoftoi të dielën Channel 10 news, duke cituar një burim diplomatik izraelit.

“Në dekadat e fundit, lidershipi palestinez i ka humbur mundësitë njëra pas tjetrës dhe i ka hedhur poshtë të gjitha propozimet për paqe që i janë ofruar”. “Ka erdhur koha që palestinezët të pranojnë propozimet dhe të bien dakord që të vijnë në tryezën e negociatave ose të mbyllin gojën dhe të mos ankohen,” tha bin Salman, raporton Barak Ravid ne faqen e internetit Axios, korrespondent i lartë diplomatik për Channel 10.

Trump e njohu Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit në dhjetor, një veprim që tërhoqi kritikat ndërkombëtare.

Jeruzalemin Lindor, të cilin e zaptoi ushtarakisht Izraeli në vitin 1967, lidershipi palestinez e sheh si kryeqytetin e shtetit të tyre të ardhshëm.

Bin Salman thuhet se i ka bërë presion Abbasit për të pranuar planin strukturor amerikan për paqe pas njohjes nga Trump të Jeruzalemit.

Megjithatë, lidershipi palestinez e ka bojkotuar Shtëpinë e Bardhë që nga shpallja vendimit të Trumpit në dhjetor. Abbas tha se Amerika nuk ishte më një “ndërmjetës i ndershëm” në bisedimet e paqes.

Mohammed bin Salman dhe dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, thuhet se gëzojnë marrëdhënie të ngushta. Kushner shkoi tek bin Salmani për udhëzime mbi rajonin pasi Trump e caktoi atë në ekipin e administratës që do të mbikqyrte negociatat midis palestinezëve dhe izraelitëve.

Ndërsa bin Salman kritikoi lidershipin palestinez, ai më tej deklaroi se negociatat e paqes midis Izraelit dhe Palestinës do të duhet të ecin përpara, para se Arabia Saudite dhe shtetet e tjera të Gjirit të normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin.

Zyrtarët sauditë nuk i kanë komentuar akoma raportimet./aljazeera/Gazeta Impakt