Profesorit, Qemajl Morina

nga Faik Miftari.

Lajmin për vdekjen e profesorit, Mr. Qemajl Morina e mora së pari nëpërmjet rrjetit social të Facebookut nga shoku Mulaim Shehu i cili e kishte postuar në këndin e tij social. Lajmi për vdekjen e profesorit Qemajl Morina nuk më befasoi shumë, pasi që kohën e fundit vuante nga sëmundja, dhe se i ishin afruar ditët e fundit të jetës në këtë botë kalimtare, pasi që të gjithë neve jemi të Zotit dhe tek Zoti do të kthehemi, kush më herët e kush më vonë.

Pasi mora lajmin për vdekjen e tij, i lexova një Elham për shpirt të tij dhe bëra dua (lutje) që Krijuesi Fuqiplotë ta mëshirojë me mëshirën e tij të gjithëmbarshme shpirtin e tij të ndritur, që ishte obligimi im moral në aspektin fetar ndaj profesorit të nderuar. Ndërsa në aspektin shoqëror për respektin e thellë që kisha ndaj tij, si profesor, hoxhë, pedagog, publicist, botues, përkthyes, kryeredaktor shumëvjeçar i revistave Dituria Islame dhe Edukata Islame, i cili me shkrime, punime , përkthime si dhe botime të librave , ka lënë gjurmë të pashlyer në publicistikën fetare, kombëtare, letrare, kulturore . Për veten time ndjeva një obligim moral që ta përkujtoj me këtë shkrim post mortum (pas vdekjes), profesorin, pedagogun, hoxhën, publicistin, përkthyesin, botuesin, letrarin, Qemajl Morina.

Profesori ka qenë njeri i qetë, i urtë, i tërhequr, njëri që nuk fliste shumë, por ishte njeri që pandërprerë shkruante shkrime, artikuj, punime, përkthime, ishte një pendë e radhë në publicistikën islame, letrare, kombëtare e ndërkombëtare. Kam pas rastin ta njoh qysh nga vitet e nëntëdhjeta kur ishte kryeredaktor i revistës Dituria Islame, të cilit kohë pas kohe i dërgoja shkrime, të cilin bashkëpunim e vazhduam edhe si kryeredaktor i revistës shkencore Edukata Islame të cilin me plot sukses e ka udhëhequr për plot 15 vjet, prej vitit 2001 e gjer në vitin 2016.

Një herë patë qëlluar në vizitë, në Prizren ditën e premte, me ç’rast profesori Qemajl Morina erdhi në xhaminë e Bajraklisë për të falur namazin e xhumasë. Imami i xhamisë së Bajraklisë, mulla Reshat ef. Mexhiti, në shenjë respekti për Qemajlin, e luti që ta mbaj hytben (ligjëratën) javore të xhumasë. Me shumë vështirësi e pranoi, dhe hipi në mimber(tribunë) për të mbajtur hytben(ligjëratën) javore të xhumasë. Unë, mezi pritsha, që ta përfundojë ligjëratën, pasi ai nuk kishte shprehi të folurit, nuk dinte të mbante fjalime, nuk kishte oratori. Pasi që përfundoi namazi i xhumasë, pasi që u përshëndetëm i thash pa një pa dy: “Qemajl efendi, hera e parë që të kam dëgjuar dhe të jetë kjo hera e fundit që të mbash, hytben(ligjëratën javore), pasi ty Zoti të ka falë të shprehurit e të shkruarit, e jo të shprehurit e të folurit(oratorisë)”. Ai me këto fjalë u lehtësua dhe më ktheu:” Po nuk kam fare talent, të mbajë fjalime e lere të mbajë hytben(ligjëratën) javore të xhumasë, unë di të shkruaj, atë dhunti më ka dhënë Zoti, por ç’ti bëja imamit, mulla Reshatit, i cili më zuri pisk, dhe nuk munda ta refuzojë, pas insistimit të vazhdueshëm të tij për të mbajtur ligjëratën javore të xhumasë”.

Në këtë përkujtim prej opusit të tij të gjerë të shkruar dhe të përkthyer do të përmend një kontribut të tij të çmuar dhënë letërsisë shqipe, me përkthimin e romanit të njohur në gjuhën arabe “ Koha e shpërnguljes në veri” të shkrimtarit sudanez Tajib Salih, të cilën e botoi Shtëpia botuese “KOHA” në vitin 2010 në Prishtinë. Në parathënien e tij të shkruar enkas me rastin e përkthimit të romanit të autorit arab Tajib Saliih nga gjuha arabe në gjuhën shqipe, përkthyesi Qemajl Morina, përveç tjerash ka cekur:

“Shkrimtari sudanez Tajib Salih, u afrimua me romanin e tij ”Koha e shpërnguljes në veri”, me të cilin ishte kandiduar për çmimin Nobel për letërsi. Shkrimtari Tajib Salih ishte i pazëvendësueshëm në letërsinë bashkëkohore arabe në fushën e novelës. Shumë kritikë letrarë mendojnë se Tajib Salih i parapriu teorisë së politologut amerikan Samuel Hantingtonit, lidhur me temën e konfliktit ndërmjet civilizimeve. Romani”Koha e shpërnguljes në veri” është vlerësuar lart nga kritika letrare. Ai është vlerësuar ” romani më i çmuar i shekullit njëzetë” nga Akademia e Letërsisë Arabe . Sipas një përzgjedhjeje të gazetës”The Guardian”, në vitin 2002, është vlerësuar midis 100 romaneve më të mira të të gjitha kohëve. Ky roman është përkthyer në më shumë se 35 gjuhë të botës. Romani është përkthyer nga gjuha arabe. Kështu edhe gjuha shqipe do të radhitet në mesin e atyre gjuhëve botërore në të cilat do të flas romani më i njohur deri tash i shkruar në gjuhën arabe”.

Në fund të këtij shkrimi post mortum (pas vdekjes) për profesorin Qemajl Morina do të përfundoja me fjalët: z. Qemajl efendi, jetove shkurt në këtë botë të përkohshme, por ke lënë shkrime, punime, dhe përkthime të shumta të shkruara dhe të botuara jo vetëm për kulturën tonë fetare islame e kombëtare të popullit shqiptar, por edhe për kulturën arabe dhe islame në aspekt ndërkombëtar, të cilët do të shfrytëzohen tani e tutje si referenca (burime) shkencore të pashtershme për brezat e ardhshme të nxënësve, studentëve dhe hulumtuesve tjerë në përgatitjen e punimeve të diplomave, masterëve, doktoratave dhe punimeve të ndryshme shkencore. Shpirti yt rahmet pastë!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne