Rusia kundër ndërhyrjes ndërkombëtare në Sudan

Një zyrtar rus ka thënë se Moska është kundër ndonjë “ndërhyrjeje të huaj” në Sudan. Zëvëndësministri i Jashtëm i Rusisë, Mikhail Bogdanov tha se për zgjidhjen e krizës në Sudan nevojiten dialogu dhe kompromisi.

“Natyrisht, për ta bërë këtë, keni nevojë për të vendosur rregull dhe ju duhet të luftoni kundër ekstremistëve dhe provokatorëve të cilët nuk duan që situata të stabilizohet “, citoi agjencia ruse e lajmeve RIA të ketë thënë Bogdanov.

Ai nuk e specifikoi se kujt i adresohet si ekstremistë dhe provokatorë.

“Ne jemi kundër çdo ndërhyrje të huaj”, tha më tutje zyrtari i lartë rus.

Sudani është zhytur në dhunë që kur ushtria, në prill, e dëboi nga pushteti presidentin Omar al-Bashir, pas protestave masive kundër sundimit të tij 30-vjeçar autokratik.

Më 3 qershor, trupat dhe forcat paraushtarake në Sudan bastisën një kamp protestuesish në kryeqytetin Kartum, në të cilin ishin mbledhur mbështetësit e opozitës.

Këshilli Ushtarak, i cili e arrestoi Bashirin, u zotua për të vendosur sundimin civil pas një periudhe tranzicioni që do të zgjasë jo më shumë se dy vjet.

Por udhëheqësit e opozitës kanë vazhduar protestat duke kërkuar një transferim më të shpejtë të qeverisjes ushtarake në atë civile./rel

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne