Sali Berisha akuzon Sorrosin për shpalljen e tij non-grata nga Mbretëria e Bashkuar

Sali Berisha ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka paraqitur një raport lidhur me shpalljen e tij non-grata nga Mbretëria e Bashkuar, e cila erdhi për shkak të pretendimeve për korrupsion dhe lidhjeve me bandat.

Berisha tha se argumentat e Home Office nuk qëndrojnë dhe se burimet e përdorura kundër tij, janë të sponsorizuar nga George Soros.

Berisha tha se akuzat për lidhje me bandat vijnë për shkak të një personi me emrin Fatjon Dauti, i dëbuar nga Mbretëria e Bashkuar, por deklaroi se ai nuk e ka takuar asnjëherë këtë person.

Për pretendimet për korrupsion dhe lidhje korruptive të tij dhe fëmijëve të tij, Berisha deklaroi se burimi janë mediat BIRN, Balkan Insight dhe Reporter.al. Sipas tij, këto akuza nuk qëndrojnë pasi këto media i financon George Soros.

“Së pari, çdo shqiptar do të dijë se cilat janë dokumentet ku është bazuar vendimi për shpalljen time non-grata? Dokumentet e Home Office tregojnë tre burime. Burimi i parë është Fondacioni Shoqëria e Hapur e Sorosit. Burimi i dytë, mediat si BIRN, Balkan Insight, me sponsor super-spekulantin e botës, Soros. Burimi i tretë dhe i fundit janë akuzat e kundërshtarëve të mi politikë, Edi Rama, Erion Veliaj, Lulzim Basha”, tha Berisha.

Kujtojmë se Sali Berisha është shpallur si person i padëshiruar nga SHBA-të, për shkak të “korrupsionit madhor” dhe “minimit të demokracisë”. Ky akt u pasua me shpalljen e tij non-grata edhe nga Mbretëria e Bashkuar, për lidhje me bandat dhe korrupsion. Berisha i ka qëndruar versionit se për të dyja këto shpallje, nuk ka prova dhe se ato kanë ardhur për shkak të lobimeve të George Soros./TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne